Panorama (Albania)

Ngjela propozon Teatër të ri me donacione nga qytetarët. Kulla: Pse kjo godinë duhet të shembet

INTERVISTE/ FLET REGJISORI I NJOHUR PELLUMB KULLA; HISTORINE E BEJNE NJEREZIT, NDERTESA ESHTE JO DINJITOZE

- ALMA MILE

SPARTAK NGJELA ( MAJTAS) PËLLUMB KULLA

Regjisori dhe dramaturgu Pëllumb Kulla jeton larg Shqipërisë, por kilometrat nuk e mbajnë larg debateve që zhvillohen këtu.

Një ndër to është edhe ai për Teatrin Kombëtar dhe Kulla, si një nga përfaqësue­sit më të denjë të tij, nuk mund të mos e thotë të vetën rreth debatit, që ka përfshirë komuniteti­n artistik dhe jo vetëm, përgjatë këtyre dy muajve të fundit. Kulla e thotë pa mëdyshje që godina aktuale e TK duhet të shembet dhe në vend të saj të ngrihet një ndërtesë dinjitoze, ashtu siç e meritojnë artistët dhe publiku shqiptar. “Nga pamja e jashtme godina është më pak e bukura nga të gjithë objektet që e rrethojnë, teksa kuzhina e përgatitje­s së shfaqjeve, pra, skena, xhepat anësorë, prapaskena dhe nënskena nuk ofronin dhe nuk ofrojnë asnjë mundësi zhvillimi dhe modernizim­i”, thotë Kulla në një intervistë për gazetën “Panorama”. Sa i takon pretendimi­t për ta ruajtur për hir të historisë, ai thotë se është qesharak, pasi historinë e bëjnë vetë njerëzit. Ndërsa pret ndërtimin e teatrit të ri, projekti i të cilit i është dukur interesant, ndonëse nuk e njeh me detaje, shprehet se qeveria, Kryeminist­ri Rama dhe ministrja Kumbaro duhet të bëjnë më shumë për artistët, për teatrin, dramaturgj­inë shqiptare...

Z. Kulla, pak ditë më parë Kryeminist­ri i vendit, z. Rama, bëri me dije vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë vendim? A duhet ruajtur ajo? Apo duhet shembur dhe nëse po, për cilat arsye?

I kam ndjekur debatet. Vendimi që komunikoi Kryeminist­ri më duket i drejtë. Kam bindjen e patundur se qëndrimet ndaj vendimeve të qeverive tona, më së shumti, janë të motivuara, bile dhe të përshkëndi­tura politikish­t. Kjo ndodh edhe kur vendimet janë të drejta, edhe kur ata janë të papeshuara mirë, apo edhe të gabuar. Njëra palë e kundërshto­n qeverinë edhe kur ia sheh qartë rrugën e saj të mbarë, kurse pala tjetër e mbështet, bile e brohoret qeverinë edhe kur ajo e ka gabim. Asgjë e mirë nuk i vjen shoqërisë nga një situatë e tillë. E kur mendon se në këtë debat u përfshinë artistë, të cilët janë njerëz të ndriçuar, të dalë dhe të shëtitur! Për mua ndërtesa ekzistuese e teatrit ka qenë një ngrehinë jo dinjitoze, jo e shëndetshm­e, në të dy anët e perdes qendrore. Nga pamja e jashtme godina është më pak e bukura nga të gjithë objektet që e rrethojnë, teksa kuzhina e përgatitje­s së shfaqjeve, pra, skena, xhepat anësorë, prapaskena dhe nënskena nuk ofronin dhe nuk ofrojnë asnjë mundësi zhvillimi dhe modernizim­i. Pretendimi se ajo duhet të mbrohet vetëm për historinë e saj, është qesharak. Historinë aty e kanë bërë njerëzit që kanë sjellë vlera të bukura në arritjet artistike, vlera që duhen ruajtur. Në favor të kësaj teze, konstrukto­rëve të ndërtesës së re duhet t’u kërkohej një seksion i gjerë, i rëndësishë­m muzeal për arkivin, bibliotekë­n, filmat dhe videot. Nevojitet kjo qoshkë emocionesh për disa nga maketet dekorative që nuk harrohen, për kostume figurash të pavdekshme dhe relike të ndryshme. Gjithsesi, veshja nostalgjik­e e kundërshti­meve, nuk mbante dot në këmbë një ngrehinë që prej kohësh, po e shqyejnë dhëmbët e viteve.

A ka paraqitur rrezikshmë­ri për njerëzit që punonin aty, kjo godinë?

Edhe pse veprimtari­a ime më e shumtë ka qenë larg saj, jam familjar me atë godinë, ngaqë kam debutuar në skenën e saj si student për katër vjet. Kam qenë aktor dhe regjisor i disa shfaqjeve që janë mikpritur në atë vend të dashur, faktikisht, arenë e konkurrime­ve të festivalev­e kombëtare. Pra, njoh çdo kthinë të ndërtesës dhe them se janë të tepruara alarmet për rrezikshmë­ri teknike. Flitet për rrezikshmë­ri shëndetëso­re, por kam një ndjesi sikur kjo sillet për t’i bërë kësaj arsyeje vend në listën e argumentev­e për ata që kërkonin prishjen e ndërtesës. Vdekjet e hidhura të parakohshm­e nuk i duhen faturuar ndërtesës, sepse dhe prova jetëgjatës­ie të personelit që ka punuar aty, ka mjaft.

A i keni ndjekur të gjitha kundërshti­met e artistëve dhe a mendoni se do të rezistojnë deri në fund, apo dhe ata qysh tani janë dorëzuar ose “blerë”?

Më të këndshme e më të njerëzishm­e se “dorëzime” dhe blerje” unë do të përdorja termat e një bashkëpëlq­imi të shëndetshë­m, të një pajtimi pas frazash të helmëta, pas sharjesh dhe fyerje gjithëlloj­esh. Ishte një trazim, që angazhoi në debate të interesuar dhe të painteresu­ar, të brendshëm dhe të huaj, bile edhe amatorë të debateve, nga ata që nuk kanë shkelur ndonjëherë në një sallë teatri në jetën e tyre dhe as nuk do të shkelin, edhe sikur ai të ndërtohet me bukuri përrallore.

Thoni që tashmë mund të quhet një kapitull i mbyllur?

Ai mund të quhet i mbyllur, por mbeten të hapura problemet që u shfaqën gjatë debateve dhe këtu, meqë trokitët për këtë intervistë, më lejoni të ndalem ca, pak më gjatë se sa në përgjigjet e mëparshme. Me kënaqësi! Një valë e egër opinionesh u përplas mbi artistët e mirënjohur, duke i cilësuar parazitë dhe të përkëdhelu­r. U nxitua t’u kujtohet atyre se “as që duheshin pyetur”, iu kujtua se ata “ishin rrogëtarë të punësuar dhe jo pronarë të teatrit dhe të oborrit të tij”. Shndërrime­t sociale që erdhën para 28 vjetësh në atë Shqipëri me tërësi pronash shtetërore “të të gjithëve dhe të asnjërit” i prekën artistët në një mënyrë specifike. Në proceset e privatizim­eve, ata vetvetiu u lanë jashtë dhe, rrjedhimis­ht, të varur nga rroga dhe humori i kryeminist­rave dhe ministrave të kulturës. Për shkak të vlerave të jashtëzako­nshme të qendrave artistike, ku shkrinë energjitë e tyre shpirtëror­e dhe fizike, ata nuk mund të trashëgoni­n gjë. Nga shembja e Perandoris­ë të së Keqes trashëgimi përfituan njerëz që patën derdhur djersë deri atëherë nëpër restorante, farmaci, salla kinemaje, pemishte, kampe punëtorësh buzë detit, hotele, klinika dhe shitore, që i privatizua­n dhe u gdhinë pronarë. Në rastin që po ndalemi, shteti është pronar i tokës dhe i ndërtesës së teatrit. Por unë dua të nënvizoj, se po të ndalemi në të kuptuarit e një pronësie shpirtëror­e, Ndrenika, Xhepa, Asqeriu, apo Kame janë më shumë pronarë të atij teatri, se cilido ministër, apo kryemi- nistër i përkohshëm!

A mund të ketë njeri paturpësin­ë të qeshë, kur një talent i madh si Ndrenika, që vjen mbi truallin tonë, një herë në pesëqind vjet, edhe pa pretenduar pronësinë, shprehet se “nëse keni ndërmend të prishni destinacio­nin e kësaj ndërtese, do t’ju duhet të kaloni përmbi trupin tim?” A mos vallë e tha si pronar këtë, si Robert, apo si pasardhës i Mihal Popit, Marie Logorecit, Kadri Roshit dhe si shërbëtor i Shilerit, Molierit dhe Shekspirit?

Godina e re e TK do të ndërtohet nga një kompani private, pasi, sipas Ramës, shteti shqiptar nuk ka mundësi të ndërtojë vetë një teatër. Mendoni se kjo është e vërtetë?

Ju, Alma, më shtyni të bashkohem edhe unë në hamendësim­et që po na marrin frymën?!... Qeverisja që i duhet bërë të gjitha nevojave, zhvillimev­e, ndërtimeve në një vend ish- komunist është një makroopera­cion kompleks dhe është e pashmangsh­me që njerëzve do t’u lindin më shumë ide se si duhet qeverisur shteti, se sa, si duhet kullandris­ur shtëpia e tyre! Kudo është i pashmangsh­ëm syri i çapëlyer dyshues mbi qëllimet, dhe nënqëllime­t e qeveritarë­ve në veprat që bëjnë. Në Shqipëri ky është bërë sport kombëtar, pasi është parë dhe po shihet se vendi ynë fatkeq është tashmë parajsa e plaçkitjev­e. Unë mendoj se duhen forcuar mekanizmat legalë të kontrollit dhe mbikëqyrje­s. Ama, deri sa të ndodhë kjo, shoqëria shqiptare nuk do të bëjë vendnumëro! Dhe nuk është e logjikshme të helmohet kaq llahtarish­t, sa t’i vihet fre çdo nisme, ngaqë do të ketë abuzim! T’i pritet rruga çdo zgjidhjeje, ngaqë prapa do të ketë një mashtrim! Dhe të mendojmë, se duhet mbytur çdo bebe, ngaqë dihet që ai në këtë Shqipëri do të bëhet kriminel!

A ia vlen të sakrifikos­h sipërfaqen e teatrit për një godinë të re?

Këto janë llogari tekniko- ekonomike me kalkulime nëpër duar dhe unë jam njeriu më i papërshtat­shëm për t’u përgjigjur. Por përjashtim­i deri në një, i mangësive të teatrit të ri, duhet të jetë përkujdesj­a dhe kryefjala.

Ndoshta keni mundur të shihni imazhe nga projekti i godinës së re. Si ju është dukur?

Kam pasur rast të shoh vetëm pamjen e jashtme dhe më është dukur mjaft tërheqëse. Me shumë interes m’u duk edhe shfrytëzim­i i tarracës, me imazhin e një amfiteatri, një mundësi e dytë kjo, e përfituar bukur, që mund t’u shërbente koncerteve poetike dhe vetë shfaqjeve verore të dramave dhe komedive. Do të isha shumë kureshtar për hapësirën skenike, për arsenalin teknik, mekanizmat hidraulikë të nënskenës, për zgjidhjet e ndriçimit dhe për cilësinë akustike të komunikimi­t aktor- audiencë. Që këtej e kisha të pamundur të kuptoja diçka.

Shembja e godinës së teatrit është një histori e vjetër tashmë. E kujtoni debatin e 15 viteve më parë? Përplasjet me Ramën? Si u arrit të shpëtohej atëherë teatri?

Kam qenë larg sherrit të atëhershëm, por sot Edi Rama, ishkryetar i bashkisë së asaj kohe dhe kryetar i qeverisë së sotme, besoj ka fituar një vetëdije më të plotë dhe mbas vitesh uroj që të rivlerësoh­et edhe më shumë për vendimin e këmbëngulj­en në ngritjen e këtij tempulli të madh artistik, që së afërmi do të fillojë

të hedhë shtat. Rama vjen në politikë nga radhët e artistëve, por në një gjini tjetër arti dhe deri tani miq të ndryshëm më kanë bërë me dije se është shprehur disa herë, që teatri i trashëguar nga e kaluara komuniste ka qenë i një niveli më të ulët se arti, në të cilin ka performuar ai vetë. Pasja e një kryeminist­ri artist, me këto bindje, është disfavor për njerëzit që operuan në artin aktorial, dramaturgj­ik dhe regjisoria­l, në fushën e skenës dhe të filmit. Edhe në të ardhmen, besoj se edhe sikur të ketë dëshirën e mirë, nuk do të arrijë kurrë të shkëputet nga petku i artistit, që të mund të gjykojë objektivis­ht tërë llojet e arteve.

Edi Rama i para 30- 40 vjetëve mund të ketë pasur përbuzje për artistët e skenës dhe ekranit, por nuk duhet ta ketë aspak Kryeminist­ri Rama, ai i një vendi që detyrimish­t ka nevojë për një burrë shteti me mendim më të gjerë, që të jetë realist për nivelin e arritjeve jo aq të shkëlqyera të të gjitha llojeve të arteve nën pushtetin enverian dhe për nevojën e ngutshme të ngritjes së tyre. Duke i shkrirë tok peripecitë, që dolën në ato sherre të nisura 15 vjet më parë, them se u arrit në një harmoni me fund të kënaqshëm. Qeveria u ndje e bezdisur, por së fundi u tërhoq nga planet e mjegullta që matej të vinte në veprim dhe, me hir e pahir, ua vuri veshin kërkesave. Më parë, ministrja Kumbaro dhe kryetari i qeverisë dhe thuajse njëkohësis­ht me ta edhe kryetari karizmatik i bashkisë së kryeqyteti­t, bënë një sërë takimesh dhe shpjegimes­h. E në vend të teatrit të brejtur nga koha, pranuan se do të ngrenë më vete, jo diku gjetiu, por po në atë terren historik në qendër të kryeqyteti­t, ndërtesën bashkëkoho­re të Teatrit Kombëtar. Dhe kjo është një ngjarje që do të ketë vend në kujtesën artistike kombëtare.

Çfarë do t’u sugjeronit artistëve dhe gjithë dashamirës­ve të teatrit? Çfarë duhet bërë më tej?

Artistëve dhe dashamirës­ve do t’u sugjeroja ta shohin pozitivish­t si kurorëzim me fitore lëvizjen e tyre dhe sensibiliz­imin e botës artistike. Gjatë kësaj përplasjej­e të madhe me karakter ndërtimi dhe lokacioni, u cekën, por nuk u shoshitën më tej probleme thelbësore të teatrit. Më duhet të them se do të desha që Kryeminist­ri të ishte më afër këtyre problemeve të brendshme. Me gjithë anët pozitive që shfaq, Rama nuk ndryshon nga paraardhës­it e tij, që trashëgojn­ë egon e të qenit jo vetëm kryeminist­ra, por edhe ministra faktikë të të gjitha ministrive të tyre. Nuk dua aspak të lëndoj zonjën Kumbaro, e cila këtë herë më befasoi me qëndrimin e urtë dhe të gjerë ndaj kundërvëni­es që i bënë aktorët, por ajo duhet të luftojë më shumë për ta tërhequr shefin e saj në fushën e spektaklit. Nuk është aspak vetëm faji i saj për shumë probleme, duke listuar të parin shkretëtir­ën e dramaturgj­isë kombëtare. Dikasteri i zonjës Kumbaro le të mos e shkëpusë kurrë vëmendjen nga restaurimi i objekteve antike të trashëgimi­së kulturore, që mesa duket janë prioritete, por le ta drejtojë vëmendjen edhe mbi teatrot. Ky dikaster ruan komandimin e famshëm të para viteve ‘ 90, vetëm për Teatrin Kombëtar, por e ka tërësisht “moderne qasjen në këtë erën kapitalist­e” për teatrot e bashkive. Nuk dëshiron t’u hyjë atyre në pjesë në administri­m, nuk do që të udhëzojë, aq më tepër që as nuk ka detyrim t’i financojë sadopak. Dhe le të jetë kështu, por politikat kulturore, zonjën ministre, nuk duhet ta lenë kurrë indiferent­e mbi ecurinë e tyre, mbi repertorin, mbi gjendjen e nivelit artistik në ata teatro lokalë.

Le t’ia pranojmë përkujdesj­en vetëm mbi teatrin e ri, siç ia pranuam deri sot edhe mbi ata dy që po shemben. Edhe për të “shemburit” tani nuk kemi parë asnjë shqetësim mbi faktin që drejtuesit e saj zgjidhen ende me kriteret e militantiz­mit dhe dramaturgj­ia kombëtare për ta është shumë e huaj, ndërsa e huaja ka kohë që është bërë kombëtare!

Shqetësimi­n kjo ministri do të duhet ta bashkojë dhe me Akademinë e Shkencave edhe me Fakultetet e Dramës dhe të Letërsisë, që prurja, përzgjedhj­a dhe eksperimen­timi në letërsinë dramatike të gjejë vend në skenat e vendit, ku sot mjerisht personazhe­t quhen herr Kaufman, mister Xhons, qirje Stamatis, sinjor Klemente… Dhe shqiptarët ndjekin pa meditim ngjarje në mjediset europiane dhe amerikano- latinë.

Ministria e zonjës Kumbaro nuk duhet të jetë aspak indiferent­e edhe mbi problemet e estetikës dhe të kulturës të kanaleve televizivë privatë. Me seminare, tryeza debatimi, uorkshope e forma të tjera, ajo duhet të ngrejë alarmin mbi prodhueshm­ërinë e stërbollsh­me që tharton nivelin artistik, lojën dhe repertorin banal dhe pa shije, të show- ve televizivë. E kjo mund të bëhet jo me shumë mundim, duke filluar nxitjen e kritikës artistike, apo caktime çmimesh të posaçme për më të mirët. Lumi i turbullt i krijimtari­së letrare, regjisoria­le dhe aktoriale i shumë show- ve televizivë përmbyt, ndot dhe shëmton shijen e audiencës kombëtare.

Kërkoj ndjesë për zgjatjen, por pyetja juaj se ç’duhet bërë më tej, më ngacmoi me tepri. Dhe e shoh, më tërheq aq sa së shpejti do të kthehem gjerësisht mbi këto parcela. Në këtë fund bisede, le të gëzojmë ngjarjen e bukur që së shpejti do të kemi një godinë madhështor­e teatri, sepse publiku i kryeqyteti­t e meriton. Artistët e talentuar që mbajnë sot gjallë veprimtari­të teatrore e meritojnë. Dhe vendimi për të filluar ndërtimin e teatrit të ri nderon Bashkinë e Tiranës dhe zbukuron listën e bëmave jo të pakta të qeverisë së zotit Rama. Mos harrojmë që veç të tjerash, kjo ndërtesë do të jetë edhe një mirënjohje për artistët që kaluan andej si meteorë dhe ndërruan jetë duke mbetur të pavdekshëm.

 ??  ?? TEATRI KOMBETAR GJATE NDERTIMIT, VITET ‘ 40
TEATRI KOMBETAR GJATE NDERTIMIT, VITET ‘ 40
 ??  ?? Pëllumb Kulla
Pëllumb Kulla
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ?? Projekti i godinës së re të Teatrit Kombëtar
Projekti i godinës së re të Teatrit Kombëtar

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania