Panorama (Albania)

Grabitësit shkëmbejnë zjarr me Policinë, një i vdekur e një i plagosur, arratisen dy

Iu përgjigjën me zjarr thirrjes për të dorëzuar armët, vritet Xhuljan Sollaku dhe plagoset rëndë Arben Muça

-

Katër persona të armatosur dhe të maskuar tentuan të hynin në banesën e dy të moshuarve në qytetin e Fierit në orët e para të së premtes.

Diktimi i grabitësve nga të zotët e shtëpisë në kohë bëri që policia të kapte në flagrancë autorët. Të gjendur të rrethuar nga focat e policisë, të rinjtë qëlluan me armë, ndërsa nga kundërpërg­jigja një prej grabitësve mbeti i vdekur në vend, kurse një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Dy vëllezërit me origjinë nga Puka, Arben Muça, 33 vjeç dhe Ardi Muça, 30 vjeç bashkë me Xhuljan Sollakun, 20 vjeç, dhe një person tjetër të paidentifi­kuar, dje rreth orës 03: 00 kanë tentuar të kryejnë grabitje në lagjen “29 Nëntori” në Fier. Shënjestër e tyre ishin Minella dhe Elsa Muçi, 68 vjeç dhe 63 vjeçe. Autorët kanë nisur fillimisht të çmontojnë bravën e derës dhe më pas kanë tentuar që të hapin derën për të hyrë brenda. Por çifti ka dëgjuar zhurma dhe menjëherë kanë vënë në dijeni Policinë për atë që po ndodhte, ndërsa autorët vazhdonin të pashqetësu­ar përpjekjet e tyre për të hapur derën. Burimet tregojnë se autorët, të cilët duket se kishin informacio­ne se familja Muçi kishte para në shtëpi, kanë shkuar të armatosur dhe të maskuar në katin e tretë të pallatit ku familja jetonte. 10 minuta pas telefonatë­s, forcat e policisë kanë mbërritur në pallatin ku jetonte familja Muçi. Këta të fundit i kanë thënë policisë se kur kanë dëgjuar zhurma në derën e apartament­it të tyre nuk kanë bërë zë, duke u lënë autorëve të kuptonin që në shtëpi nuk kishte njeri. Kjo duket se i ka bërë autorët të dyshojnë se kanë ngatërruar shënjestër dhe kanë nisur të shqyejnë derën e fqinjëve. Në momentin që punonjësit e policisë po tentonin të afroheshin te hyrja e pallatit, efektivët e policisë janë ndeshur me Arben Muçën, i cili menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të tyre. 33- vjeçari Muça është dëgjuar t’i thotë shokut: “Zbrit shpejt se erdhi policia”. Ndërsa efektivët e rendit dhe Muça shkëmbenin zjarr, në hyrje ka zbritur 20- vjeçari Xhuljan Sollaku, i cili ka hapur zjarr po ashtu në drejtim të policisë. Nga shkëmbimi i zjarrit për rreth 15 minuta mbeti i vrarë Sollaku dhe i plagosur rëndë 33- vjeçari Muça. Ndërkohë që Muça dhe Sollaku po tentonin të kryenin grabitjen, vëllai i Arbenit, Ardi Muça, dhe kunati i tyre, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, po ruanin në distancë poshtë pallatit. Edhe këta të fundit kanë shtënë me armë në drejtim të policisë, por pasi kanë parë që Arbeni dhe Xhuljani nuk ar- ritën të shkonin tek automjeti i tyre, janë larguar me shpejtësi, duke përfituar nga errësira dhe moti i keq. Policia bën të ditur se dy personat e shpallur në kërkim janë larguar me një fuoristrad­ë. Pavarësish­t se u ngritën pika të shumta kontrolli në hyrje- daljet e qytetit, ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Ndërkohë, Arben Muça ndodhet në gjendje të rëndë shëndetëso­re në spitalin e Fierit, ku po mbahet në masa të rrepta sigurie. I zoti i shtëpisë që u tentua të grabitej, Minella Muçi, është me profesion shofer. Ndërsa dy djemtë e tij jetojnë në emigracion, njëri në Meksikë dhe tjetri në Itali. Fqinjët e familjes Muçi tregojnë se kanë përjetuar panik, ndërsa shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur si në film. “U bë rrëmujë e madhe. Fillimisht na u dukën si fishekzjar­rë, por kur dëgjuam “ndal, policia!”, e kuptuam çfarë po ndodhte. Policia u kërkonte që të dorëzonin armët, por ata qëllonin. Ishte situatë e frikshme”, tregon një prej fqinjëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania