Panorama (Albania)

Qytetarët ndihen të frikësuar: Grabitësit të dënohen maksimalis­ht!

-

Brenda muajit mars, në qytetin e Fierit kanë ndodhur dy tentativa për grabitje, me dy viktima. Rasti i parë ndodhi më 2 mars, ku gjatë grabitjes së një pike të këmbimit valutor, humbi jetën Agur Vernozi, 54 vjeç, pasi ndërhyri për t’i ardhur në ndihmë pronarit të pikës së këmbimit, ndërsa grabitësit po e detyronin nën kërcënimin e armës t’u dorëzonte paratë. Ndërsa më 23 mars, Policia ndërhyri në kohë rekord duke u përplasur me armë me autorët, ku për pasojë mbeti i vdekur 20- vjeçari Xhuljan Sollaku dhe u plagos Arben Muça, 33 vjeç. Një ditë pas kësaj ngjarjeje, qytetarët shprehen se janë në panik dhe nuk ndihen të sigurt. Disa prej tyre kërkojnë ashpërsimi­n e ligjit, duke kërkuar dënim maksimal. “Pa mbushur muaji dhe kanë ndodhur dy ngjarje të rënda. Nuk mundemi të rrimë të qetë në shtëpitë tona. Jemi me frikë në zemër. Nuk dimë sesi do të vendoset rregulli e qetësia, por kemi nevojë të besojmë te shteti e ligji. Gjynah është kur vritet nJERIU, Por kriminelët si ata të një nate më parë e kanë merituar”, shprehet Thëllënza Lushka. Ndërsa një qytetar tjetër thotë se Fieri, nga një qytet i qetë, kohët e fundit është kthyer në më të zhurmshmin. “Dikur thoshin Fieri është qytet i qetë, por tani s’e themi dot më. Flemë e zgjohemi me frikë se mos na shqyejnë natën dyert. Ku e dimë ne se kur na vjen radha. Shteti duhet t’i ndëshkojë ashpër këta që të mos ketë vjedhje. Po i lë me 6 muaj ata, të gjithë vjedhin prapë, nuk kanë frikë”, ka thënë qytetari Qazim Beno.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania