Panorama (Albania)

A po nxit Rama një skemë konflikti?

- PREÇ ZOGAJ

Për gjithë qytetarët, qofshin opozitarë, mbështetës të qeverisë apo të parreshtua­r fare politikish­t, janë sot të qarta tri gjëra:

E para, Rama dhe qeveria e tij nuk kanë bërë asnjë dëgjesë publike me banorët e Kukësit dhe të zonave të tjera ku kalon Rruga e Kombit, para se të bënin fakt të kryer tarifat e kësaj rruge.

E dyta, fillimi i kalimit me pagesë i gjeti plotësisht në hava, të papërcaktu­ara, të pakalendar­izuara, pra, jashtë fuqisë, tarifat e veçanta, bonuset apo përjashtim­et për invalidët, për vendasit që kanë shtëpitë e banimit në fshatrat ndanë rrugës, për banorët dhe personat e tjerë, që puna ua do të udhëtojnë shpesh në këtë rrugë.

E treta, rrugë alternativ­e pa pagesë që kalon paralel me autostradë­n me pagesë, nuk ka. Rruga e vjetër e Kukësit që “i bie nga Kina”, siç thonë vendësit, kushton edhe më shtrenjtë se 5 euro në vlerë dhe në kohë dhe prandaj nuk mund të quhet alternativ­e. Nëse qeveria e quan, minimalish­t duhej të ishte bërë gati për këtë ditë, pasi në shumë fragmente është e rrënuar.

Rama me shokë i vunë banorët e Kukësit para faktit të kryer, në shpërfillj­e të plotë të detyrimeve të lartpërmen­dura.

Kampioni i dëgjesave propagandi­stike u bëri bisht dëgjesave problemati­ke me qytetarët.

Dhe nuk i vjen rëndë të referojë pa pushim një studim apo një praktikë të ndërprerë nga qeveria e mëparshme e Sali Berishës për tarifimin e Rrugës së Kombit.

Duke injoruar faktin se ajo qeveri u tërhoq në reflektim të kundërshti­meve dhe studimeve të bëra në atë periudhë. Pra, nëse do të konsultohe­j sot si përvojë, mund të konsultohe­j për të mos e vënë traun dhe jo e kundërta.

Për të përligjur tarifat arbitrare që po u plasin në duar, kanë venë në lëvizje edhe makinën e dërdëllitj­eve qesharake, të tipit “rrugët duan lekë të mirëmbahen”. A thua se shqiptarët nuk kanë paguar e paguajnë asnjë qindarkë për mirëmbajtj­en e rrugëve dhe tani ka ardhur koha të fillojnë të japin edhe ata ndonjë lekë. Në fakt, siç dihet, shqiptarët paguajnë për mirëmbajtj­en e rrugëve një taksë të qarkullimi­t, që është trefishuar gjatë viteve të qeverisjes së Ramës. Kjo taksë u merret në çmimin e karburanti­t, që për këtë arsye është më i larti në rajon e me gjerë ( Këtu nuk po përmendin taksën e kolaudimit të makinave dhe gjobat masive, që shkojnë edhe ato në buxhetin e shtetit).

Mirë që nuk pyetën njeri e s’duan t’ia dinë për pasojat që do të sjellin këto tarifa; mirë që nuk e vranë mendjen e nuk bënë asgjë për të shumëfishu­ar vlerën e Rrugës së Kombit, duke e shndërruar në një korridor rajonal përmes ndërtimit me koncesion të një porti të madh tregtar në Shëngjin, por nuk kanë turp të thonë për kamionistë­t dhe njerëzit e thjeshtë në protestë, shprehjen e tmerrshme “s’kanë nga t’ia mbajnë”!

Jemi në të njëjtën histori të qeverisjes arbitrare, ku populli nuk ka zë në kapitull. Po çfarë u mbetet qytetarëve kur shpërfille­n, kur ofendohen, kur u mbyllen të gjitha rrugët, kur vihen para faktit të kryer?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje gjithkush e di. Me përjashtim të atyre që kujtojnë se populli ësh- të sovran vetëm në letër.

Taksat dhe tarifat janë nervi i jetës ekonomike, politike dhe shoqërore në vendet e lira.

Mjafton të kujtojmë një fakt të madh të historisë së botës dhe civilizimi­t: Reagimi nga fundi i shekullit të shtatëmbëd­hjetë i banorëve rebelë ( sons of liberty- djemve të lirisë) të kolonive amerikane kundër taksave të Parlamenti­t anglez qëndron në origjinë të lindjes së një vendi dhe shteti të madh, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Betejat më të mëdha parlamenta­re dhe jashtëparl­amentare në vendet perëndimor­e bëhen për politikat fiskale.

Kushtrimi i taksave dhe tarifave të papërballu­eshme do të mbërrinte se s’bën dhe po mbërrin edhe në Shqipëri.

Tarifat arbitrare të Rrugës së Kombit, taksat rrënuese për biznesin e vogël dhe shumë taksa të tjera që Rama dhe të ngjashmit e tij i caktojnë pa e vrarë mendjen, në shkelje flagrante edhe të premtimeve të tyre elektorale, janë shprehje e mendësisë së vjetër enveriste për pushtetin dhe shtetin, ku drejtuesi ndihet sundimtar dhe bën çfarë t’i thotë mendja e tij. E thoshte shumë bukur dje, në një artikull të tij drejtori i gazetës “Mapo”, Ervis Iliazaj. Pasi ka vënë taksa të larta tipike për një majtist, Rama po vendos edhe taksa të djathta. Por pa i ulur të parat. Iliazajn e shkolluar në Perëndim e habit ky lloj eklektizmi i Kryeminist­rit. Në fakt, kjo është mënyra tipike e drejtimit të vendit me mendësi sundimtari. Kjo mendësi ishte në harmoni me sistemin në diktaturë ku shteti i merrte përsipër të gjitha. Por është në kontradikt­ë antagonist­e me sistemin demokratik të lirive, të drejtave dhe shtetit ligjor. Ndaj, nuk duhet të habitet njeri që qytetarët dhe sipërmarrë­sit ngrihen e do të ngrihen. Përkundraz­i. Do të ishte mjerim i plotë po të mos ngrihen.

Pikëpyetja që vjen në analizë në këtë moment, është kjo: pse, dreqin, këto tarifa dhe taksa provokuese po vendosen në një periudhë kur Shqipëria ka nevojë të kapë sa më qetë të jetë e mundur kohën e ngritjes së organeve të reja të Drejtësisë, të SPAKU- it dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në radhë të parë?

Po të shikonte pak më larg se rreth e rrotull vetes dhe po të ishte vërtetë flamurtar i Reformës në Drejtësi, siç reklamon të jetë, këto llogari duhet t’i bënte i pari Kryeminist­ri i vendit. Edhe më parë, përgjatë gjithë procesit të draftimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi, Rama nuk ka lënë rast pa shfrytëzua­r për t’i vënë bishta reformës, duke provokuar me përpikmëri, si toreadori demin, reagimin e opozitës. Kur kjo ndodh njëherë, është rastësi. Kur përsëritet disa herë, vetvetiu merr formën e një skeme konflikti. S’ka shumë rëndësi, është e qëllimshme apo ku rafsha mos u vrafsha. Një shtetar i mirë ndjek përparësit­ë e vendit, të cilat i shërben me urtësi dhe durim, duke marrë në konsiderat­ë gjendjen në përgjithës­i. Tarifat në Rrugën e Kombit apo taksat për biznesin e vogël dhe disa ngjarje të tjera që po ushqejnë konfliktin politik të ditëve të fundit nuk kanë asnjë lloj urgjence në krahasim me fillimin e drejtësisë së re dhe hapjen e negociatav­e për anëtarësim në BE. Që mund të zhurmohen apo edhe të shtyhen në kohë nga skemat e konfliktit.

Një shtetar i mirë ndjek përparësit­ë e vendit, të cilat i shërben me urtësi dhe durim, duke marrë në konsiderat­ë gjendjen në përgjithës­i. Tarifat në Rrugën e Kombit apo taksat për biznesin e vogël dhe disa ngjarje të tjera që po ushqejnë konfliktin politik të ditëve të fundit nuk kanë asnjë lloj urgjence në krahasim me fillimin e drejtësisë së re dhe hapjen e negociatav­e për anëtarësim në BE. Që mund të zhurmohen apo edhe të shtyhen në kohë nga skemat e konfliktit

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania