Panorama (Albania)

Apeli e lë në arrest shtëpie, Frrokaj: Nuk do shprehem, hetimi të shkojë deri në fund

Frrokaj: Asnjë njeri i imi në 10 breza s’ka lidhje me personat që kanë përfituar tokë. Kam ngelur i ofenduar nga Prokuroria

- SENAD NIKSHIQI SHKODER/

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, do të vazhdojë të jetë i privuar nga ushtrimi i detyrës që mban.

Kjo, pasi Gjykata e Apelit në Shkodër nuk ka pranuar që kryebashki­aku demokrat të hetohet i lirë. Tre zyrtarë të lartë të Lezhës kanë mbetur sërish nën masën “Arrest shtëpie”, por me ndryshimin e vetëm pa mbikëqyrje policore dhe është hequr e drejta e moskomunik­imit. Gjykata e Apelit në Shkodër dha vendimin e saj në seancën për masën e sigurisë për Fran Frrokaj, kryetar i Bashkisë Lezhë, Gjokë Ndoka, kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë dhe Enver Hafizi nënkryetar i Bashkisë Lezhë. Këta shtetas akuzohen nga Prokuroria për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentac­ioni”. Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata rrëzoi kërkesën e Prokuroris­ë. Nga ana tjetër pala mbrojtëse për 7 zyrtarët kërkoi masën lehtësuese “Detyrim paraqitje”, por Gjykata e Apelit vendosi vetëm të heqë mbikëqyrje­n policore dhe moskomunik­imin, duke i lënë në “Arrest shtëpie”. Vetë kryebashki­aku Frrokaj pas këtij vendimi e quajti një hap para drejt drejtësisë këtë vendim, ndërsa tha se nuk ka asnjë përgjegjës­i në këtë proces. “Nuk do të shprehem, drejtësia të veprojë, do ta kërkojmë në shkallë të tjera. Mendoj që do të jenë më të drejta. Vendimi është një hap përpara drejt lirisë, drejtësisë. Por besoj se drejtësia e plotë do të gjendet në shkallë të tjera. Pasi të plotësohen hetimet, për të cilat unë jam që të plotësohen. Jo, nuk do shprehem në këtë drejtim për një sulm politik apo jo, të mbarojnë provat dhe në fund fare do flas. Nuk kam asnjë lloj përgjegjës­ie në këtë proces, absolutish­t do të vazhdoj të kërkoj pafajësinë deri në fund”, deklaroi Fr- rokaj. Më tej, kreu i Bashkisë Lezhë nga ana tjetër ka përgënjesh­truar dhe një prej përfituesv­e të tokës në zonën bregdetare në Shëngjin, është familjar i tij, duke iu referuar Frrok Frrokut. “E ndiej veten totalisht të pafajshëm. Kërkova ndryshim të masës sepse nuk jemi në gjykim me themel për të kërkuar pafajë- si. ATMP vjen i plotësuar dhe nuk plotësohet asnjëherë nga bashkia. Ne jemi thjesht institucio­n i ndërmjetëm në këtë rast. AMTP kalon te ne më shumë për vjeljen e taksës. Qytetari që ka këtë dokument, bashkia nuk ka të drejtë firme. AMTP unë firmos 20 deri 50 në dite dhe nuk kam kompetencë të shkoj në terren. Ne kemi 5 ditë kohë të kthejmë përgjigje. Mbiemri Frrokaj nuk ka lidhje me mbiemrin Frroku. Asnjë njeri i imi në 10 breza nuk ka lidhje me këta persona. Kam ngelur i ofenduar nga Prokuroria, të paktën një herë do të duhej të isha thirrur sepse jam i komunikues­hëm”, deklaroi Frrokaj në sallën e gjyqit. Për Gjelina Bacajn, drejtore e Bujqësisë në Bashkinë Lezhë, Adenis Haxhia, jurist i bashkisë, Enkelejd Zefi, specialist pranë ZVRPP, Dilaver Neli, Pjetër Gjoni përfitues i tokës u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë nga Gjykata e Apelit në Shkodër. Të gjithë këta persona, pjesë e këtij procesi, janë të dyshuar për falsifikim të dokumentac­ionit për disa prona në bregdet në Malin e Rencit, pjesë e njësisë Shëngjin, duke i përfituar shtetas të tjerë në mënyrë të paligjshme. Kreu i Bashkisë së Lezhës u arrestua bashkë me 11 persona të tjerë me akuzën se në bashkëpuni­m me njëri- tjetrin, duke abuzuar me detyrën, kanë tjetërsuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, te vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.

 ??  ?? Fran Frrokaj, në Gjykatën e Apelit në Shkodër
Fran Frrokaj, në Gjykatën e Apelit në Shkodër

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania