Panorama (Albania)

Policia para Gjykatës, 1 km kordon kundër protestues­ve

Incidentet, gjakoset Spaho, Noka kap për fyti policin

- ERALD DELIU

Mëngjesi i së mërkurës nuk qe një ditë e zakonshme në Tiranë. Një pjesë e bulevardit “Gjergj Fishta”, gati 1 kilometër, ishte bllokuar që herët dhe në të ishin vendosur të organizuar forca të shumta policie.

Heshtja që gërshetohe­j me pëshpëritj­et e tyre nuk i përngjante aspak panoramës së vizitës së Papa Franceskut në Tiranë apo të ndonjë personalit­eti të lartë të botës Perëndimor­e, që kur viziton Shqipërinë, priten fjalë të mira dhe jepen buzëqeshje për mikpritje. Këtë herë kishte shumë fytyra të ngrysura. Segmenti nga kryqëzimi i Drejtorisë së Policisë së Tiranës deri në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” ishte rrethuar nga të gjitha anët. Në çdo rrugicë prapa tij kishte efektivë policie, plot 1000 të tillë ishin mobilizuar për mbarëvajtj­en e një procesi gjyqësor ndaj 23 protestues­ve. Në mjediset e Gjykatës së Tiranës, 23 protestues­it e Rrugës së Kombit do të mësonin masat e sigurisë ndaj tyre. Duket se jo të gjithë e prisnin gjithë këtë përforcim të godinës së Gjykatës së Tiranës, e cila u mor hua pjesërisht nga simotra e Kukësit. Banorët e zonës u detyruan të devijonin rrugën dhe lëvizja e automjetev­e u bllokua. Heshtja nisi të zbehej dhe pëshpëritj­et nuk dëgjoheshi­n më kur në krahun tjetër të “Lanës”, te “Vasil Shanto”, nisën të grumbulloh­en rreth 20- 50 protestues, kryesisht familjarë të të arrestuarv­e, por edhe disa pjesëtarë të shoqërisë civile. Nën thirrjet “Rama ik” dhe “Lironi shokët tanë” në krahun tjetër, në godinën e Gjykatës, deputetë të opozitës zhvendosën vëmendjen e Policisë. Ishte ora 09: 10 kur në portën kryesore të godinës nisi edhe mosmarrëve­shja e zakonshme. Deputetët kërkonin të hynin dhe Policia nuk i lejonte. Në këto raste debatet zor se përfundojn­ë me marrëveshj­e dhe nuk kaluan shumë kur skena të njohura u shfaqën. Një familjar i protestues­ve gati e shkuli derën e brendshme të Gjykatës, ndërsa deputeti Noka kapi prej fyti njërin prej punonjësve të policisë. Debatet burrërore nuk i zbuti as prania e deputeteve femra dhe Edmond Spaho doli me njolla gjaku në këmishë nga dera e Gjykatës. Por gjakrat u qetësuan shpejt pas një telefonate të deputetëve me drejtorin e Policisë dhe Gjykata vendosi që ta hapte seancën për deputetët. Rreth orës 09: 30 seanca nisi dhe heshtja dukej sikur po rikthehej, por jo. Protestues­it në anën tjetër të rrugës bllokuan qarkullimi­n e mjeteve duke u ulur këmbëkryq. Mesazhet ishin të qarta, “jo dhunës” dhe “solidarite­t me të arrestuari­t”. Kësaj të fundit iu përgjigjën edhe disa prej drejtuesve të bllokuar në trafik, të cilët pasi morën ndjesën e sinqertë për shqetësimi­n, u ranë borive disa herë me kërkesë të protestues­ve. Për disa orë me radhë protestues­it ishin vëmendja kryesore e ditës, por asnjëherë nuk ngacmuan efektivët e policisë. Ndërkohë, në anën tjetër, në godinën e Gjykatës, muri rrethues i policëve edhe zbutej përpara ndonjë kamerieri që u sillte kafet të pranishmëv­e në seancë. Dukej se do të ishte një ditë e gjatë dhe kështu qe. Ristani, Spaho, Strazimiri, Nora Malaj, Kejdi Mehmetaj, Ivi Kaso hynin dhe dilnin në oborrin e Gjykatës teksa seanca vazhdonte. Në krahun tjetër, protestues­it, edhe pse të pakët, nuk ndaluan për asnjë moment së përkrahuri të arrestuari­t. Pas 6 orësh e gjysmë, Gjykata më në fund e tha fjalën e saj, por vendimi u përbuz. Deputetët e opozitës e quajtën një turp, ndërsa gjyqtarja u largua nxitimthi nga salla. Vendimi nuk u prit mirë as nga protestues­it, të cilët nuk e pranuan as ngushëllim­in e opozitës. Ata u larguan kokulur, por jo të dorëzuar, ndërsa opozita njoftoi protestën e sotme. Ajo që vlen të theksohet është se nuk pati dhunë jashtë Gjykatës, por vetëm incidente brenda saj, ku ishte e pranishme politika.

 ??  ?? Kordoni i Policisë dje pranë Gjykatës së Tiranës
Kordoni i Policisë dje pranë Gjykatës së Tiranës
 ??  ?? Spaho duke debatuar me një zyrtar të Policisë
Spaho duke debatuar me një zyrtar të Policisë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania