Panorama (Albania)

Ornela Vorpsi: Pse i kam ndërprerë marrëdhëni­et me motrën Laura Vorpsi, puna si kubiste në disko

“Kam nevojë për shkëmbim të thellë dhe të vërtetë dhe kur nuk e kam, njeriu nuk më intereson”

- BLENDI FEVZIU

INTERVISTE/ ARTISTJA FLET PER JETEN PRIVATE: SI E DETYRUAN NENEN TIME TE DIVORCOHEJ NGA BABAI I ARRESTUAR

Pas hapjes së ekspozitës në COD, Ornela Vorpsi u tregua tepër e hapur për të folur për veten dhe artin e saj. Ndër të tjera, ajo ndaloi edhe në studion e Blendi Fevziut, në "Opinion", ku tregoi për jetën e vet, nënën, babain e burgosur, largimin, dashurinë për Edi Ramën, raportin e ndërprerë me të motrën, Laurën, dhe njohjen me bashkëshor­tin, kur punonte si kubiste në një diskotekë në Milano.

Ju keni kaluar gjysmën e jetës suaj në Shqipëri dhe gjysmën tjetër jashtë vendit, çfarë përfaqëson Tirana për ju?

Përfaqëson vendin tim të lindjes, me të cilin kam rrënjë të thella dashurie dhe përfaqëson atë që jam unë sot. Vini shumë rrallë.. Kam ardhur në mënyrë të heshtur. Nuk kam dalë në media, por në Shqipëri kam qenë edhe 5- 6 muaj më parë. Pushimet verore i bëra në Shqipëri. Nuk është ditur në mënyrë publike, por kam ardhur.

Ndërkohë, edhe librat që keni publikuar, botuar në 18 gjuhë, ende nuk kanë ardhur në Shqipëri. Nuk keni dashur apo..?

Jo, kam dashur. Bëmë një tentativë me një shtëpi botuese, por nuk isha shumë e kënaqur me përkthimin. Ishte profesores­hë universite­ti. U bë një kontratë mes shtëpisë botuese "Dituria" dhe shtëpisë sime botuese në Francë "Actes sud" dhe nuk isha fare e kënaqur me cilësinë e përkthimit, gjuha shqipe m'u duk me shumë parazitizm­a. Nuk kisha as mundësi, as kohë të rimerrja dhe rishikoja përkthimin nga e para.

Ju keni shkruar në italisht, tani në frëngjisht, në shqip nuk keni shkruar asnjëherë?

Kam shkruar kur kam qenë në Shqipëri. Kam botuar te revista "Pionieri", por kam filluar të shkruaj në tokë franceze në moshën 28- 29 vjeçare dhe nuk ishte fare në planet e mia. Piktura ishte projekti im kryesor, ndërsa letërsia, shkrimi, më kanë befasuar në jetën time. Nuk kisha ëndërruar kurrë të bëhesha shkrimtare. Ëndrra ime ishte shumë e qartë në shpirtin tim, por jeta të befason me surpriza. Si nisët të shkruanit? Nisa të shkruaj në një moment kur isha shumë perplekse karshi artit kontempora­n, nuk gjeja veten. Në momentin që lashë Shqipërinë dhe u futa në Akademinë e Arteve të Bukura në Itali, isha me pikturën dhe më kujtohet një profesor që më ka lënë shumë mbresë, i cili më tha: "Piktura ka vdekur me kohë". Sepse kishin hyrë format e "reja" të artit kontempora­n, që gjithsesi nuk ishin aq të reja, pasi Marcel Dushamp i kishte bërë ato që në 1900- ën, por ishte moda e këtyre formave, që quhen art konceptual. Dhe unë në këtë lloj arti nuk ndihesha fort mirë.

Ky është një refren i njohur, piktura ka vdekur, letërsia ka vdekur..

Absolutish­t, në një prej librave më të bukur të Biblës, "Ekleziasti", thuhet: "Nuk ka asgjë të re nën këtë diell". Çdo gjë riciklohet, por thelbi është po ai. Dhe tani ka një rikthim të pikturës, por në ato momente unë isha në një lloj hezitimi të dhimbshëm, ku piktura nuk kishte vend dhe kur shkoja në një galeri me një pikturë, ishte thuajse e papranuesh­me, pasi ishin në modë, performanc­ë, instalacio­ni..

Ju u larguat nga Instituti i Lartë i Arteve, në Akademinë e Arteve të Bukura në Itali, në vitet ' 90-' 91, si ndryshonte mënyra e mësimdhëni­es në pikturë nga ajo klasike, në një botë ku piktura kishte kaluar në një stad modern prej dhjetëra dekadash. A ishte shokuese?

Sigurisht që po. Unë shkova me pikturën time dhe pedagogu që më tha piktura ka vdekur, Diego, ekspozita merrej me instilacio­nin, që për mua dukej si një dekor i brendshëm. Nuk kishte lidhje me konceptin tim për artin, jo sepse unë në ILA bëra pikturë figurative, por sepse unë thellësish­t doja dhe dua pikturën. Është edhe një piktor i famshëm sot, që thotë në një anë është piktura dhe në një anë është arti bashkëkoho­r. Unë jam me pikturën. Më pëlqen ngjizja e ngjyrave, modelimi, kompozimi. Instalacio­net, performanc­at, nuk ma ngrohin shpirtin.

Duket sikur kaloni nga njëri pasion në tjetrin, nga arti figurativ në instalacio­n, fotografi, letërsi, pse kjo shkapërder­dhje në shumë fusha?

Nuk është shkapërder­dhje, është kërkesë ndaj vetes, në një mënyrë sa më të plotë. Është shumë e vështirë të gjesh veten, sepse jemi në një gjendje transformi­mi të vazhdueshë­m. Ku e keni gjetur veten më shumë? Në pikturë dhe letërsi. Ndaj edhe e kam lënë fotografin­ë. Ndoshta e kam gabim, por më dukej tepër e kollajshme, unë kam nevojë për beteja të vërteta, me ato matem. Dhe betejat e vërteta janë piktura dhe letërsia.

Duket se prozhektor­ët më shumë janë në letërsi. Si erdhi letërsia dhe pse nisët të shkruanit në italisht?

Isha me një Erasmus në Paris, dhe në këtë humbje të dhimbshme karshi artit kontempora­n, në dilemën se ku do të vendosesha unë në atë që ndodhte sot, isha pezull. Dhe në një nga këto ditë, u ula në një kafene në Rue Montorguei­l dhe më erdhi vetiu të shkruaja një tregim, pa e menduar fare. Më erdhi në jetë. U ula të pija një çaj dhe nisa të shkruaj, ndoshta sepse nuk mund ta pranoja që unë të mos prodhoja. Kam një lloj dëshire dhe nevoje të justifikoj ekzistencë­n time.

A pate ndjesinë se fëmijëria dhe adoleshenc­a ju vjen më e kthjellët se në kushte normale?

Vjen e kthjellët, por më vjen edhe ndryshe nga ç'e kam jetuar, për shkak të distancës. Dhe kjo i deformon.

Jeni kthyer të analizoni momentin kryesor të formimit tuaj?

Më duket se kam bërë goxha luftë, pas 15 vjetëve, të ndry- shoj thelbin tim. Përse? Sepse u rrita me një alfabet, me një gjuhë, jo në sensin e gjuhës së mirëfilltë, por si edukatë, si sjellje, që më vonë nuk më pëlqenin më.

Cilat ishin? Ju lindët në Tiranë, familja juaj kishte probleme me regjimin, babai juaj ishte burgosur dhe për një fëmijë nuk ishte shumë e thjeshtë. Si e keni përjetuar?

E kam përjetuar shumë vështirë. Pas zhdukjes së babait tim, nisën ankthet e mia. Për 6 muaj, ne nuk e dinim se ku ishte. Në polici na thoshin që duhet të ishim ne që duhet të tregonim se ku ishte babai, ndërsa ne nuk dinim asgjë. Mbaj mend, nëna ime ishte tejet e tronditur. Unë isha 7 vjeç, nëna ime 29. I thanë: "Na trego ku është yt shoq, ndryshe të varim nga gjuha". Nëna ime u sëmur, sepse u tmerrua.

Çfarë dilema kishit, mendonit se ishte arrestuar apo arratisur?

Nuk di të them, sepse për fëmijët nëna dhe babai janë bota dhe të të heqin babain, të kanë hequr gjysmën e botës. Dhe fëmijët për një lloj mbijetese mundohen të presin atë që nuk duan dhe bëjnë sikur nuk ekziston. Këtë kam bërë edhe unë. Më dukej sikur babai nuk ekzistonte dhe nuk e doja më. Ishte një formë vetëmbrojt­je për të përballuar një traumë. Sepse fëmija nuk e ka kapaciteti­n të përballojë një dramë të tillë. Pas 6 muajsh mësuat që babai ishte arrestuar? Babi ishte i dënuar politik për 7 vite në burgun e Spaçit. Kam shkuar ta takoj me nënën time dhe nuk e njoha. Ai ishte jashtë mase i dobësuar dhe diçka mungonte në fytyrën e tij, unë nuk mundesha dot ta kuptoja. Pata frikë ta takoja, pasi ai donte të më përqafonte, por unë isha një fëmijë që kisha frikë ta prekja këtë të huaj, që ishte i veshur me një lloje pizhameje me vija. Në fytyrë kishte ndryshuar, ndërsa më vonë e kuptova se çfarë kishte ndryshuar në fytyrë. Kur erdhëm në shtëpi, babai i kishte dhënë nënës sime një gjë të vogël, një qese të vogël, ku kishte futur dhëmbët. Ato i ishin thyer nga torturat .. Përse u akuzua babai juaj? Nuk e di, pasi gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Asnjëherë nuk e kemi marrë vesh. Gjëra tërësisht absurde. Sepse kishte thënë që babai i tij ishte dënuar kot, pasi edhe gjyshi ka qenë në burg; sepse kishte thënë që në dyqan nuk ka patate... këto janë ato që kemi mësuar më vonë.

Pra, ju u rritët pa babain, vetëm me nënë. Ishte e vështirë?

Ishte tej mase e vështirë. Sepse nëna ime u sëmur, vuante nga mania e persekucio­nit, i dukej sikur e ndiqnin gjatë gjithë kohës dhe mbaj mend që ankthet e para të jetës sime kanë filluar në atë periudhë.

Ndërsa shumica e njerëzve që kishin probleme me regjimin, ktheheshin në hije, ju dhe nëna juaj dilnit çdo natë shëtitje në rrugët e Tiranës, ishte kjo një lloj sfide?

Besoj se edhe ne ishim hije, po nëna ime binte në sy se ishte e bukur. Për këtë fakt ishte kjo zhurmë e madhe, sepse nëna ime ishte e bukur dhe pa burrë. Por edhe ne si hije kemi jetuar. Kemi jetuar jashtë jetës sociale, pa miq dhe ajo shëtitja ishte e vetmja mënyrë e ekzistencë­s sonë. Në shkollë kishte diferencim­e? Qartë që kishte. Unë nuk mund të vazhdoja Liceun Artistik, me gjithë pasionin për pikturën. E kishit pasion që 14 vjeç? Që në moshën 6- vjeçare. Për mua ishte zgjedhur që piktura do të ishte jeta ime. Në atë kohë, piktura ishte fillimi dhe fundi i botës sime. Edhe në 8- vjeçare e kam vuajtur shumë që kisha një baba të burgosur politik.

Babai juaj doli nga burgu, por ju nuk u bashkuat më, përse?

Nuk u bashkuam, sepse kishte kaluar shumë ujë nën urë. Nënën time e detyruan të divorcohej, sepse në të kundërt do të na internonin. Historia na ndau. Ç'raport krijuat më vonë me babanë? Kam një raport shumë të dashur. U desh kohë për mua që të rigjej babanë tim, pasi për një fëmijë që nuk e sheh babanë për 7 vjet, nuk është e lehtë. Ka gjithmonë një pjesë të jetës ku ai është i munguar dhe një pjesë ku ai bëhet i pranishëm, por nuk është si një familje me nënë e me baba? Cila ishte ndjesia kur e takuat? Akoma e ndieja të huaj. Kisha një dhimbje të madhe dhe një ndjenjë faji që e ndieja të huaj. Emocioni ishte kaq i fortë, saqë nuk mund t'i bëja dot ballë. Isha si e mpirë. Po me nënën, ç'raport kishit? Ishte një raport tej mase i vështirë, sepse unë u ktheva në qendrën e botës për të. Ajo jetonte me mua. Ishte një lloj fuzioni, që ishte e vështirë t'i bëje ballë. Nënat shqiptare bëjnë shumë mbi fëmijët, por ajo ishte edhe më shumë.

Në vitin 1987 fituat të drejtën për të vazhduar Institutin e Lartë të Arteve, si ndodhi që vajzës së një ishtë dënuari politik i jepej kjo mundësi?

Sepse Enver Hoxha kishte vdekur dhe diçka ishte zbutur. Mora pjesë në konkurs dhe fitova.

Si ishte ILA dhe shoqëria e lartë e asaj kohe? Ndihej që ishte fundi?

Fundi ishte i prekshëm. Në Institutin e Lartë të Arteve kam mësuar më shumë se ç'kam mësuar në Brera. Jepte mësime konkrete, si ndërtohej një figurë, kompozimi, dritëhija, kurse ajo që kalova në Milano ishte për mua një humbje kohe. ILA më bëri kjo që jam sot, hodhi themelet. Mësova si pikturohej. Në akademitë e botës rrallëherë ndodh kjo. Për një njeri që do pikturën, kjo është shumë e rëndësishm­e. Ju u larguat në 1990, cila ishte arsyeja? Sepse nuk e gjeja veten. Kishte shumë që u larguan për arsye ekonomike, për një jetë më të mirë, unë u largova për shumë arsye. U largova nga një shoqëri që më kishte vënë në marzhat e saj, pa perspektiv­ë. Kisha nevojë të gjeja vendin tim dhe të largohesha nga ky opinion që ishte i papërballu­eshëm. Në Itali qëndrova 5 vjet dhe më pas 1 vit në Paris 8, në Francë. Përse në Shqipëri nuk vdiset kurrë? Sepse në atë kohë vdekja u përkiste të tjerëve. Sipas Hajdegerit, ka vdekje autentike, kur kushdo e mendon vdekjen e vet dhe vdekje joautentik­e, që vdekja u përket të tjerëve, jo vetes. Mbaj mend në fëmijërinë time, populli im fliste vetëm për vdekjen e të tjerëve, ndërsa për vete jo. Vjen nga një shoqëri ku ne jetonim, një mbyllje totalitare, në një pellg të qelbur, ku dhe shumë procese njerëzore, duken shumë të largëta, që i përkasin vetëm tjetrit. Pra, fenomene që lidhen me një kontekst të caktuar historik. Ku ka pasur më shumë sukses vepra juaj letrare? Italia ishte jashtë mase mirëpritës­e ndaj veprës sime, edhe Franca, edhe SHBA, por edhe në Gjermani, "Vendi ku nuk vdiset kurrë", është zgjedhur një nga librat më të mirë të vitit. Jam e befasuar dhe e lumtur. Për çfarë flasin librat tuaj që pritet të dalin? Njëri titullohet "Vera e Oltës" dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë Shqipërisë nuk do t'i shpëtoj dot asnjëherë dhe as dua t'i shpëtoj. Nuk kam asnjë mundësi.

 ??  ?? ORNELA VORPSI NE HAPJEN E EKSPOZITES NE “COD”
ORNELA VORPSI NE HAPJEN E EKSPOZITES NE “COD”
 ??  ?? Laura Vorpsi
Laura Vorpsi
 ?? LAURA VORPSI ( MAJTAS) ORNELA VORPSI ??
LAURA VORPSI ( MAJTAS) ORNELA VORPSI
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania