Panorama (Albania)

Ditari i Visar Zhitit për gjyqin para 38 vitesh: I mbyllur në uri mes minjve në qeli

"Nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon

- VISAR ZHITI

Në 14 dhe 15 prill të vitit 1980 në qytetin e Kukësit u bë gjyqi i hapur ndaj poetit Visar Zhiti, atëherë mësues në një fshat të largët. Dënohej për fjalën e lirë, për poezitë e tij me burg dhe me heqjen e së drejtës elektorale, të botimit dhe profesioni­t.

Është një gjyq që duket sikur kërkon të vazhdojë me forma të tjera, me po atë akuzë e gjuhë, nga segmente të caktuara "të veglave të mbetura të diktaturës së dikurshme".

Një ndjesi e tillë mbartet në burgologji­të "Rrugët e ferrit" dhe "Ferri i çarë" të shkrimtari­t Visar Zhiti, libra të rëndësishë­m, monumental­ë, ku tregohet me forcë për burgjet e Spaçit e të Qafë- Barit.

Po sjellim një pjesëz në shërbim të kujtesës kolektive si dëshmi, por dhe që të ndërgjegjë­sojmë për të mos qenë indiferent­ë dhe të sprapsim sulmet kundër fjalës së lirë që na thotë të vërtetën.

COPRA NGA GJYQI… I PAMBARUAR "Rrugët e ferrit" I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimish­t e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rrallohesh­in ose nxitonin t'i largoheshi­n si të yshtur nga një e keqe. S'kisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, s'i duroja dot dënimet.

I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë i hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende s'kishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirsh­me ndaj armikut të brendshëm. Citatet pushtonin tërësisht ballinën me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala "armik" sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo.

… Ku isha unë? I asgjëkunds­hëm, buzë një lumi të tretë, as Drini i Bardhë dhe as i Zi, pa realitet. Sepse po dënohesh.

Poshtë mbytej Kukësi i Vjetër prej ujërave të liqenit të hidrocentr­alit, që i kishin dhënë emrin "Drita e Partisë". Veç mbi mbytje ngrihej Partia. A ta them këtë në gjyq? Edhe Kukësi i Ri po mbytej. Nën diktaturë si... Po mbytesha unë. Përmbytesh­im nga një llum tmerri.

... Njëri nga policët e mi u ndërrua me një tjetër, të cilit i dha armën automatike, që, pasi u ul bri meje, e vuri midis gjunjëve ashtu si polici në anën përkarshi. Ngjanin si të ishin pasqyrime dhe unë mes tyre, ujë. Dy armë për mua... ... Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht. Kishte nga ata që seç tundnin në duar, ftesat me sa duket dhe mëtonin për vende më të mira në spektaklin e zi. Pra, s'kishte asnjë rebelim, protestë. As kryengritj­e. Të gjitha këto populli im i kishte harruar, i përkisnin një lloji tjetër arkeologji­e.

Ndjeva dallgë. Radhët dallgë- dallgë po mbusheshin me fytyra të dëshpërimi­t të gëzueshëm. - S'lejohet të shohësh nga salla, - më urdhëroi polici... - Se mos ka ardhur ndonjë nga familjarët e mi. Si e ka rregulli, lajmërohen? - Afishohen datat e gjyqeve në korridorin e Gjykatës. - Po sa është data sot? - u interesova befas. - 14 prill. (- Pranverë tamam.) - Të gjyqeve politike, jo, nuk lajmërohen, - ndërhyri polici tjetër.

- Pse politikan është, kaq i ri? - u ngurtësua polici që s'dinte gjë ç'isha unë.

Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade. Kulmi, filloi dhe loja. Një të marri, çdo qytet ka lolon e vet, të cilin e ngacmojnë të gjithë, të kënaqur që s'janë si ai, por më keq, ia rrëmbyen kapelën nga koka dhe ia hidhnin sa nga njëri te tjetri, nga skaji këtej i sallës në skajin andej dhe ai kërcente mbi karriget tutje- tëhu. Rendte. Donte kapelën e tij fluturake. Kur i qëlloi të turrej jo shumë larg nga podiumi i vogël me parmakë si ballkon, ku rrinim unë me policët e mi anash, ndali dhe më pa me sytë e sëmurë. Uli kokën dhe s'e kërkoi më kapelën. Siç duket, e kuptoi, ka raste kur kapela është një turp. Dhe jo vetëm ajo.

... midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth. "Ngri- shkri" është dhe një lojë, më duket.

... Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës.

- Çohu! - dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët. Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë. Zhurmat e fundit ranë si suva muresh, si korniza nga një tërmet i pritshëm. Po hynte trupi gjykues... Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:

- Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer

Bashën, ndihmësgjy­qtarë? - Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, - thashë. - Mos rri ashtu, - më urdhëroi polici me zë të ulët. S'duhej të dukesha krenar.

- Ke të drejtën e fjalës, - më tha gjykatësi me zë të lartë, por që s'ishte dot i lartë dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin. - Ke të drejtën e mbrojtjes, - po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por s'duhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time...

S'e di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshm­e gjykuese, ballë për ballë me mua. Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë, të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin. Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevap­nxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspert­iza e dy ( sh) krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjy­qtarë, i shihja aty, në krye.

... Po dëgjoja të flitej për poezinë, pra, gjendja duhej të zbutej, të zhdramatiz­ojhej disi, por ajo u bë më absurde, sharëse dhe e egër. Kisha shkruar me qëllim të keq politik, nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon. Shikoni deri ku arrin, kërkoja diell të dytë, a është parë e dëgjuar kjo? Kisha dalë kundër Partisë, herë hapur dhe herë s'guxoja nga frika e popullit, por fshihesha pas... metagafore­ve armiqësore, edhe kundër udhëheqësi­t të lavdishëm me poezinë "Sfinksi" etj., kundër klasës punëtore që ky armik te poezia "Lustraxhin­jtë" shkruan se janë te këmbët, është kundër socializmi­t dhe realizmit socialist. Mbrojtës i klasave të përmbysura, të cilave dhe u përket, kisha bërë thirrje të hapur për kryengritj­e dhe për përmbysje si te poezitë… nuk dëgjoja dot më, ndërkohë sa keq lexonte prokurori, të vinte të protestoje! Ju lutem, lexojini mirë poezitë e mia, ky është tjetër dënim! Pastaj u hodh te lidhjet e mia armiqësore, me të gjallët dhe me të vdekurit, rrëmujshëm, që kur isha student, me poetin e burgosur Frederik Rreshpja, por dhe me poetin revizionis­t sovjetik Jevtushenk­o, donim dhe ta përkthenim, me priftin reaksionar dhe poetin antibolshe­vik Gjergj Fishta, lidhjet e mia vazhdonin me francezin Bodler, dekadent i shpallur, kompozitor­in reaksionar gjerman Wagner, me hermetikun italian Ungareti, me anglezët dhe arrinin deri në Japoni. I shtrembëro­i mizorisht të gjithë emrat. Me siguri e bënte dhe me qëllim, jo se s'ishte aq i trashë, por për të thënë se ata aq vlerë kanë për ne, s'na duhen, kemi Partinë. Dhe pa çarë kokën për homoniminë në shqip e përsëdyti emrin e poetit Takuboku, duke thënë "taketukja"...

Gjykatësi pa nga unë dhe u kthye nga salla si për të marrë lejen e popullit. - I pandehur, e pranon akuzën? - pyeti ftohtë. Brenda heshtjes u vorbullua një heshtje tjetër, më e thellë, përpirëse e tëra. U ngrita më këmbë:

- Jo, nuk e pranoj, natyrisht!...

 ??  ?? Visar Zhiti, gjatë kohës kur punonte mësues në fshatrat e Kukësit
Visar Zhiti, gjatë kohës kur punonte mësues në fshatrat e Kukësit
 ??  ?? VISAR ZHITI, NË PAVIJONIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT NË LAOGAI MUSEUM
VISAR ZHITI, NË PAVIJONIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT NË LAOGAI MUSEUM
 ??  ?? Visar Zhiti
Visar Zhiti
 ??  ?? Zhiti, mësues në Kukës
Zhiti, mësues në Kukës
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania