Panorama (Albania)

Vetingu në Polici, proces i rregullt ligjor apo aksion politik?

- PËLLUMB NAKO

Të gjithë e dimë se jo vetëm opinioni publik i vendit, por edhe organizmat ndërkombët­arë e kanë në maksimum ndjeshmëri­në ndaj problemit të korrupsion­it që ekziston në Shqipëri dhe jo vetëm. Organizma si Komisioni Europian, këtë ndjeshmëri e kanë barazuar me njërin prej kushtëzime­ve themelore të hyrjes së vendit tonë në BE. Një kalë beteje i tillë kaq interesant, plotësisht i frytshëm për përfitime të majme politike, nuk mund të lërë mënjanë betejat e krahëve të politikës. Me gjithë antagonizm­in në dukje, thelbi i shqetësime­ve të tyre mbetet i njëjtë. Njëri krah është shfaqur plot vrull dhe vetëmohim në publik, duke mos lejuar në asnjë rast t’i shpëtojë pozimi si flamurtar i luftës kundër tij, ndërkohë që shqetësimi­n e vërtetë e ka se si ta shtjerë në dorë drejtësinë, ta komandojë atë dhe të krijojë mundësinë që në sytë e publikut, të korruptuar të jenë vetëm kundërshta­rët dhe aleatët e tyre. Krahu tjetër, opozita, e pafuqishme për të parandalua­r ndërrimin e dorës së kontrollit të saj, del në publik si përfaqësue­se e pavarësisë së drejtësisë, duke rrezikuar të identifiko­het si mbrojtëse e mëkateve të saj. Në raste të tilla kur ndjeshmëri­a e publikut është shumë e madhe, situata tërësisht e elektrizua­r nga ndjesitë kundrejt së keqes që ka pllakosur, manipulimi i publikut është fare i thjeshtë. Identifiki­mi i së vërtetës mbetet i vakët, për të mos thënë i njësuar me të keqen. Aq shumë, sa linçimi po duket drejtësi.

Në Polici, ajo që po ndodh, është kaotike. Policia është pjesë e ekzekutivi­t dhe si e tillë, ky i fundit jo vetëm e ka kontrollua­r dhe e kontrollon, por as nuk mundohet që në publik të marrë poza të respektimi­t të autonomisë së saj. Presioni publik dhe sidomos ai ndërkombët­ar për autonominë e Policisë është më i nuancuar, ose mungon tërësisht.

Ligji 12/ 2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë, Gardës së Republikës dhe...” u aprovua në Parlament më 5 mars 2018. Ai hyri në fuqi 15 ditë pas daljes në Fletoren Zyrtare. Konkretish­t, më 5 prill 2018. Rreth 10 mijë punonjës Policie së bashku me familjet e tyre duhet që brenda një muaji, më datën 5 maj 2018, të kenë dorëzuar gjithë dokumentac­ionin e nevojshëm të lidhur me deklarimin dhe justifikim­in e pasurisë, të kontrollit të figurës dhe të vetëvlerës­imit profesiona­l.

Në publik serviren gjithë të mirat që do t’i sjellë Policisë ky ligj. Por publiku nuk e ka idenë fare për vështirësi­të përballë të cilave janë vendosur punonjësit e Policisë. Dhe vështirësi­të janë për punonjësit e ndershëm, për ata që do të plotësojnë formularët. Të tjerët, sidomos klientët, i kanë të qarta gjërat dhe rrugën që do të ndjekin.

Nuk është ndonjë zbulim i madh të konstatosh se fillimi i procesit të mbledhjes së dokumentev­e për vetingun në Policinë e Shtetit, sipas ligjit 12/ 2018, ka qenë nën një kaos të plotë. Stres i shkaktuar nga pasiguria dhe sidomos paqartësia në plotësimin e formularëv­e. Të gjithë vrapojnë. Pyesin dhe për përgjigje nuk marrin asgjë të sigurt, por gjithçka fillon me shprehjen “Mesa di unë”, “sipas meje”, “mendoj” etj.. Sepse edhe personeli i autorizuar për ndjekjen e ecurisë, nuk është i qartë, me gjithë trajnimin e organizuar me personelin dhe financën në Akademinë e Policisë.

Ministria e Brendshme, si nismëtare e procesit nuk ka krijuar asnjë lehtësi për punonjësit e Policisë, të cilët janë vënë përballë kërkesave të panumërta për t’i plotësuar në një kohë rekord. Pas ankesave të panumërta ajo filloi të shikojë disa gjëra. Bëhet fjalë për plotësime formularës­h të shumtë, të mbështetur nga po aq shumë lloj vërtetimes­h dokumentar­e, lidhur me një jetë të tërë për veten dhe familjen. Dhe këto dokumente jo vetëm nuk gjenden në të njëjtin institucio­n, por edhe i njëjti dokument duhet kërkuar në disa institucio­ne, në qytete të ndryshme. P. sh. nëse një oficer, gjatë karrierës së tij është transferua­r 5 herë ( dhe të tillë ka shumë) do t’i duhet që vetëm një vërtetim ( ai i pagës) ta marrë në pesë vende të ndryshme. E njëjta gjë edhe për bashkëshor­ten, edhe për fëmijët madhorë apo për personat e lidhur me ta ( babai, nëna, vjehërri, vjehrra, në bazë të certifikat­ës familjare). Pra, në rastin e marrë, nëse edhe bashkëshor­tja dhe dy fëmijë madhorë do të ishin transferua­r 5 herë, do t’ju duheshin plot 20 vërtetime vetëm për një zë nga 12 në total. Shembulli duket grotesk, por teorikisht është i mundshëm. Dhe kjo vetëm për pagat, pasi kemi të bëjmë edhe me vërtetime të tjera të shumta që lidhen me pronat e paluajtshm­e, të luajtshme dhe historikun e tyre si blerje, shitje, dhurim, shkëmbim, tjetërsim, të shoqëruara me numra kontratash, certifikat­a pronësie etj. etj...

Kurse për transaksio­net bankare, me këtë rast, bankat gjetën parajsën e tyre. Të gjendura përballë kërkesave të shumta për pasqyra llogarie të punonjësve të Policisë, ato vunë në dispozicio­n punonjës specifikë, duke e kthyer shërbimin e kryer me pagesë. Kostoja arriti deri në 30 mijë lekë të vjetra për pasqyrën e një individi. Por më pas, Ministria e Brendshme u kujtua çfarë kishte bërë dhe hyri në marrëveshj­e me bankat për tarifa më të arsyeshme. Në media thuhet për tarifa zero. Bankat thonë se kanë politikat e tyre. Pra, çdo ditë njoftime të reja. Asgjë e parashikua­r që më parë.

Për zbatimin e tij, ligji 12/ 2018, në nenin 66, parashikon edhe dy akte nënligjore:

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 2, të nenit 29, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri i Brendshëm që, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë udhëzimin në zbatim të pikës 8, të nenit 65, të këtij ligji.

Të dy aktet nënligjore, pavarësish­t se nuk lidhen direkt me procesin e plotësimit të deklarimev­e nga ana e punonjësve, që do t’i nënshtro- hen procesit të vlerësimit, ende nuk kanë dalë. Nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe, që formalisht të jetë hartuar e gjithë paketa ligjore dhe nënligjore, para se të fillojë procesi. Kjo gjë do të tregonte me shumë respekt për dinjitetin e Policisë. Më shumë qartësi.

Por nuk mjafton me kaq. Gjithë punonjësit e Policisë, subjekt i ligjit për kontrollin kalimtar po plotësojnë dokumentac­ionin në bazë të një udhëzimi me titullin: “Për mënyrën e deklarimit të pasurive...” Ky udhëzim, megjithëse ka edhe stemën e Republikës së Shqipërisë, edhe stemën tjetër, atë të vitit mbarëkombë­tar për Skënderbeu­n, megjithëse në fund thotë se “Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare” nuk ka as datë, as numër, as nënshkrim, as datën e hyrjes në fuqi. As ishte i parashikua­r në ligj. Pra, mbi 10 mijë punonjës Policie, së bashku me familjet e tyre, po punojnë mbi bazën e një udhëzimi fantazmë që me sa duket do të kalojë tek ALIUZMI për t’u legalizuar. Përse kjo mungesë respekti për Policinë? Një dokument i tillë aspak me vlera administra­tive ngjall pasiguri në hartimin e dokumentac­ionit. Nuk shërben si pikë referimi.

Përse një nxitim kaq i madh në kushtet kur edhe punonjësi më i mirë dhe më i ndershëm i mundshëm në radhët e Policisë rrezikon të përjashtoh­et nga puna automatiki­sht, nëse nuk dorëzon dokumentac­ionin brenda datës 5 maj dhe do të paragjykoh­et njëlloj nga publiku si ai që fsheh pasurinë? Do të dëmtohej vetingu, nëse ligji do të kishte për afat 5 qershorin?

Policia është vendosur e tëra përballë një sasie kërkesash të fryra dhe për një afat të shkurtër kohe, përballë një paragjykim­i ekstrem, jo për të pastruar radhët e saj, por për të krijuar mijëra dosje, eventualis­ht të paplota dhe me gabime. Dhe duke iu referuar ligjit 12/ 2018, mangësitë do të gjykohen në përputhje me vlerësime të tjera, të cilat dihen se si dhe cilët institucio­ne i kryejnë. Tërësisht të kontrollua­r nga qeveria. Pra, të gjithë në ankth. Asnjë pikë e sigurt referimi. Në këtë mënyrë, lidershipi politik ka të gjitha kushtet e duhura për të mbajtur nën presionin e tij masën totale të Policisë për aq kohë sa zgjat ky mandat politik dhe do të humbasë gjurmët e majës së piramidës policore 2014- 2017, që u implikua në kanabizimi­n e mbarë vendit. * Ish- drejtor në Policinë e Shtetit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania