Panorama (Albania)

Mësyjnë hajdutët në fshat, vidhen në një natë 3 banesa

Emigrantit i djegin makinën, e ëma: Djali sapo është kthyer nga Anglia, i morën dhe pasaportën

- KORÇE/

Tri banesa dhe një automjet tip "Audi" kanë qenë objekt i një serie vjedhjesh të ndodhura gjatë orëve të para të së enjtes në fshatin Belorta në Korçë.

Incidenti më i rëndë ka qenë ngjarja që lidhet me makinën, ku autorët pasi kanë marrë sendet me vlerë prej saj dhe një shumë prej 1 mijë euro, i kanë vënë zjarrin për të humbur gjurmët. Automjeti ishte në pronësi të 26vjeçarit D. Duro dhe kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02: 00, ku po gjatë natës, në po të njëjtin fshat, raportohet se kanë ndodhur dhe tri vjedhje të tjera banesash. Fillimisht, autorët kanë hapur derën e makinës dhe kanë marrë prej andej një shumë prej 1 mijë eurosh, pasaportën si dhe një aparat celular. Pas kësaj, makinës tip "Audi" i është vënë zjarri ndërsa ndodhej e parkuar para shtëpisë së prindërve të emigrantit. Autorët, sipas Policisë, fillimisht me mjete të forta kanë hapur njërën nga dyert e automjetit ku dhe kanë përvetësua­r sendet me vlerë që kanë gjetur brenda saj, ndërsa më pas për të zhdukur gjurmët ata e kanë mbushur mjetin me kashtë e më pas i kanë vënë flakën duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarj­a. Familjarët tregojnë se rreth orës 02: 00 të mëngjesit janë ngritur nga gjumi, pasi kanë dëgjuar zhurmë dhe më pas kanë parë makinën që ishte përfshirë nga flakët. Nëna e 26- vjeçarit shprehet se, i biri ka vetëm pak ditë që është kthyer nga Anglia dhe se nuk ka asnjë konflikt. Sipas Lindira Duros, gjithçka është vjedhje dhe makinës i është vënë flaka për të fshehur gjurmët.

A mund të na e përshkruan­i si ndodhi ngjarja? Ku ishit ju?

Rreth orës 02: 00 të mëngjesit dëgjuam një zhurmë te dera. Nuk dolëm sepse menduam që mund të ishin njerëz që kalonin, pasi afër shtëpisë është dhe lokali i fshatit. Kur në orën 2: 15 dëgjuam një zhurmë të fortë, u tmerruam. Dolëm dhe pamë që makina ishte në flakë.

Si vepruat, çfarë bëtë pasi patë makinën në flakë?

Po çfarë të bënim? Nisëm të bërtisnim, dolën edhe disa nga fqinjët. Djali menjëherë shoi motorin sepse nëse do të kishte shpërthyer, mund të kishte hedhur në erë gjithçka. Erdhën dhe fqinjët, por nuk kishim çfarë bënim, flakët vazhdonin.

Pasi shuat zjarrin, çfarë konstatuat?

Pasi u shua zjarri, pamë që kishin marrë rreth 1000 euro që djali i kishte lënë brenda në makinë. Kishin marrë kasetofoni­n, pasaportën dhe një celular. Më pas dëgjuam që kishte pasur edhe vjedhje të tjera në fshat.

A keni dyshime se kush mund ta ketë bërë këtë gjë?

Jo, nuk kemi asnjë dyshim. Djali është emigrant në Angli, sapo kishte ardhur, nuk është grindur me njeri. Edhe ne nuk kemi konflikte me askënd. Nuk kemi asnjë dyshim se kjo mund të jetë çështje konflikti që ka lidhje me familjen. Besoj se hajdutët i vunë flakën thjesht për të fshehur gjurmët. Policia të gjejë autorët dhe t'i ndëshkojë në të kundërt, do t'i gjej unë dhe do t'i djeg siç më dogjën ata makinën e djalit. Është e frikshme që në kohën ku jetojmë të të ndodhë diçka e tillë.

 ??  ?? Makina e djegur
Makina e djegur

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania