Panorama (Albania)

Mbrojta para prokurorit, Zhiti: Jam pishtar

"Uria, minjtë. I mbyllur... S'kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat"

-

Gjyqi juaj është dhunë, duhet gjyq tjetër. Gjyq për gjyqin... - Kalojmë me dëshmitarë­t, - thirri gjykatësi. ... Tani po më dridhej i gjithë trupi. Dukshëm. Nuk i mposhtja dot. S'kisha folur kurrë para kaq shumë njerëzve. Më hutonte dhe drita, dhe salla e pamatë. Ndryshe është klasa me nxënësit. Jam dhe i qethur. Ashtu i kafkët, fjalët e mia do të duken sikur nuk i përkasin më botës së të gjallëve, por thjesht një makthi të një dite gjyqi dhe aq. S'më duhej asnjë rol, përveç ai i vetes dhe i së vërtetës sime.

- Zoti gjykatës, zotërinj të pranishëm, zoti prokuror! Është vuajtje të flasësh siç jam unë i shtrënguar ta bëj. - Ke qenë i cenuar, je prekur i pandehur? - më pyeti gjykatësi. - Uria, minjtë. I mbyllur... S'kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat. Trysni psikologji­ke dhe shpirtëror­e, po, vazhdimish­t. Por ajo që më shkatërron, është se me mua duan të sajojnë armikun, jo se e kanë zbuluar. Nuk ka asnjë provë serioze që ju të merrni kurajën të dënoni një jetë. Poezitë e mia, që dikush i quan armiqësore, së pari, nuk janë të tilla, sepse nuk mundin, nuk është ky misioni i çdo poezie qoftë, përkundraz­i. Së dyti, poezitë e mia ende s'janë libër, s'kanë lexues dhe nuk i kanë bërë kurrkujt agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit.

Prokurori u ngrit vrikthi më këmbë, se ç'donte të thoshte, por gjykatësi i bëri shenjë me dorë që të mos më pengonte…

Në sallë filluan mërmërimat. Prita sa mbaruan. Gjykatësi s'deshi të ma jepte fjalën prapë, por mua më duhej të thosha, e kisha vendosur:

- Me 100 lepuj nuk formohet dot një kalë, me 100 supozime nuk formohet dot një provë. Kështu thotë një proverb, - dhe nuk shtova: anglez. - Ju doni të më dënoni me supozime.

- I pandehuri, - kërceu prokurori - është kundër tufëzimit të bagëtive, e dëgjuat.

- ... kundër është ky gjyq! - Më kapi një dhembje koke më keq se në qeli.

Prokurori po lexonte pjesë nga ditari im, pashë që ia zgjati hetuesi nga radhët e para të sallës, ndalte te fletët e përthyera. Ato që s'i kuptonte, i mbulonte me të thirrura. "… hapëm gropa si varre të vegjël… nxorëm patate e futëm brenda të shtunën tonë të masakruar… Një mollë hëngri Adami me Evën dhe i përzunë nga Parajsa. Përditë ha mollë të egra këtu unë ( kemi mbetur pa bukë, s'ka…) dhe s'po i shpëtoj dot kësaj parajse të tmerrshme…" Flaku ditarin...

Njerëzit ishin nemitur. Dallgët e kokëve hidhnin shkëndijim­e sysh me habi gojësh që shuheshin pa mbërritur të gjitha tek unë.

Ndjeva se po më rrallohej ajri përreth. E kotë, thashë me zë.

.. Vepra kriminale e të pandehurit paraqet rrezikshmë­ri të theksuar shoqërore, sepse drejtohet kundër shtetit të diktaturës së proletaria­tit. Në masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmë­rinë e theksuar shoqërore të veprës kriminale, rrezikshmë­rinë shoqërore të vetë të pandehurit, i cila ka vazhduar për një periudhë të gjatë në rrugën kriminale me gjithë vërejtjet që i janë bërë herë pas here, ka parasysh origjinën e tij shoqërore, arsimin dhe moshën e të pandehurit

Pranoje hëpërhë mynxyrën ashtu siç të vjen batërdi e pandreqshm­e...

- Do të lypësh mëshirë, i pandehur? - pyeti gjykatësi, duke më parë më gjatë, por gjithmonë i akullt.

E kishin shumë qejf dhe mezi e prisnin rënien e kundërshta­rit te këmbët, të mposhtur, që kërkon mëshirë. M'u fanit arena, e qarkuar nga pafundësia e duarve me gishtin e madh poshtë, duke e tundur në kërkim të dënimit. Por populli im s'ka duar të lira, i ka të lidhura me zinxhirë, po thosha me vete, me poezi të papërfundu­ara dot. Komunistët nuk e njohin mëshirën. Ata njohin veç një dorë, atë që i udhëheq drejt dhunës.

- Jam mësues, - ngrita zërin tim të lodhur, - pra, pishtar drite, - dhe heshta. ( Mos duhej të shtoja "siç thotë Partia"?) ( Ishte sforcimi i fundit.) - Dhe, si i tillë, - vazhdova, - kam flakën time, por edhe tymin tim... Nuk duhet ta shuajmë flakën... me gjyq. - Dhe heshta mes heshtjes së rëndë si rërë. S'kuptova ç'përshtypje bëra, por më erdhi keq për veten, m'u duk se pata shpresë për një çast.

Trinia gjykuese, duke kthyer kokët nga njëri- tjetri, i afronin, se ç'mërmëritni­n duke mbuluar fjalët me pëllëmbë ose me ndonjë fletore nga të miat, që i kishin marrë për provë, nëse do të duhej t'i përdornin, vendosi të tërhiqej mënjanë.

Gjykatësi nuk urdhëroi të m'i hiqnin prangat, por shkurt dhe thatë tha: - Gjyqi do të vazhdojë nesër... VENDIMI Nuk po lëvizte asgjë, veç po përsëritej si në ankth dita e djeshme, prangat, makina, salla e gjyqit, banka e të akuzuarit, trinia e inkuizicio­nit ( Minosi, Eakusi, Radamanti, kështu quheshin? Po, po, këta janë gjyqtarët e botës së përtejme!), prokurori, policët e mi, të pranishmit në sallë, patjetër dhe i akuzuari, unë dhe jo unë, turma e nemitur dhe nuk po e përjetoja, jo, isha përtej asaj vorbulle të vdekur, jashtë kufomës sime, shpirt, po i këqyrja të gjitha me një ftohtësi të nxehtë, pa i kuptuar pse bëheshin, përse duheshin.

Gjykatësi në këmbë po lexonte atë që lexoi prokurori dje dhe ne në këmbë po dëgjonim. Poezia ime po më fuste frikën tani. Ajo paskësh qenë një bombë shkatërrim­tare, që, mbi të gjitha, donte të hidhte në erë shtetin dhe Partinë. Po unë do të flas? Çfarë do të them apo nuk vlen asgjë? Dëgjo, dreqi e marrtë, se janë për ty këto:

... Vepra kriminale e të pandehurit paraqet rrezikshmë­ri të theksuar shoqërore, sepse drejtohet kundër shtetit të diktaturës së proletaria­tit.

Në masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmë­rinë e theksuar shoqërore të veprës kriminale, rrezikshmë­rinë shoqërore të vetë të pandehurit, i cila ka vazhduar për një periudhë të gjatë në rrugën kriminale me gjithë vërejtjet që i janë bërë herë pas here, ka parasysh origjinën e tij shoqërore, arsimin dhe moshën e të pandehurit. Për këtë arsye Gjykata duke u bazuar në nenet 249- 159 të K. Pr. P.

Vendosi Të deklarojë fajtor të pandehurin Visar Zhiti për agjitacion e propagandë kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/ 1 të K. Penal e dënon me 10 vjet heqje lirie... Vuajta e dënimit i fillon nga data që është arrestuar.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit..................................................................

Sekretari Gjyqtari Rexhep Gashi Mërgim Dragusha ( Firma) ( Firma) Dhe vula në mes si gropë e zezë që të hedh në ferr... Nuk po e ndieja që po m'i shtrëngoni­n duart me pranga.

* * * Edhe nëse prangat e diktaturës së dikurshme janë të ndryshkura, ka ende mendësira të atilla, akuza si atëherë, veprime të dhunshme dhe arrivizëm diktatoria­l që arrin edhe kreun e shtetit...

Dhe vërtet, poezia mbetet përgjigja e vetme, që edhe ajo duket si e mënjanuar dhe e nëpërkëmbu­r?!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania