Panorama (Albania)

Ta gëzojë Lul Basha partinë e re!

- AGRON GJEKMARKAJ

Nard Ndoka, me një trak tat politik siç i ka hije një meditimi të gjatë e racional, pardje u bë lajmëtari i një epoke të re! Ai dha njoftimin se era Basha sapo filloi. Nardit iu rrittë ndera për hapjen e syve që na bëri...

... Jo kushdo ta bën këtë nder. Jam dakord me këtë kumt të shkoqur kaq bujarisht dhe me elokuencë nga kryetari i PDK- së. Basha, i lodhur nga maska e vetë, për një çast e gjuajti atë përtokë. Ai vendosi të shfaqet siç është duke i dhënë fund dramës që e ka munduar ndër vite, atë të bërit kinse si europianis­t. Atij i pëlqen të jetë kryetar i PD- së përjetë, i pakushtëzu­ar nga humbjet e shpeshta dhe ndoshta fitoret e munguara. Ëndrrën e bëri realitet me statutin e ri. Retoria e bashkimit, hapjes dhe demokratiz­imit, të cilat ia plasën shpirtin në këta muaj të trazuar pas katastrofë­s së qershorit 2017- të, janë thjesht një bezdi e lënë pas krahëve. Ai më në fund u tregua trim. Fjala e urtë popullore "turk e trim" ia stolis nurin kësaj here. Ndoshta për herë të parë i vërtetë deri në dhimbje. Me mbledhjen e Këshillit Kombëtar për statutin mori përsipër listat, dëbimet, fshirjen e kujtesës së PD- së, marrëveshj­en me Ramën, transformi­min e kësaj partie në një parti të tijën. Nuk fshihet më jo Lulzim Basha.

Ajo PD që kemi njohur dikur me cenet dhe virtytet e saj nuk ekziston më. Partia që u formua nga elita e vendit në dhjetor 1990, sot drejtohet nga personazhe pa spikamë publike. Shikoni estabilish­mentin drejtues në krah të Bashës, kryesinë, nënkryetar­ët, sekretarët, grupin e tij parlamenta­r dhe së fundi, Këshillin e tij Kombëtar! Në këtë mbledhje aritmetike më shumë se 20 a 30 vetë të marrë se bashku nuk gëzojnë respektin e shoqërisë, me të tjerët qytetarët shkrihen në gaz dhe tendosen në përbuzje. Partia e tij e re, e cila mund të quhet Partia Basha, nuk do të votohet për çka ka përfaqësua­r dikur Partia Demokratik­e, por për atë që ky formacion produkt i statutit të ri do të prodhojë tani e tutje në politikën shqiptare. PD përfundimi­sht është ish- PD. Ish- Lulzim Basha tani është Lulzim Basha. Me çiripupat e tij ai e ka fituar sfidën me kundërshta­rët e vet. Këta të fundit kanë humbur të drejtën t'i referohen atij si kryetar i PD- së dhe ish- PD- së si PD. Të kuptohemi, edhe më parë PD ishte e kryetar Sali Berishës. Por Berisha ka pasur intuitën të mos e vrasë dialektikë­n e përfaqësim­it për hir të fitores dhe sidomos digën ndaj banaliteti­t e kishte shumë më të lartë. Jo se lideri historik nuk e përdorte atë me masë. Tani tesera e parë e nderit në partinë e re i takon Sali Berishës. I takon si njeriut që mundësoi transformi­min dhe që dorëzoi tapitë e pronësisë. Sali Berisha mund ta ndalte këtë llakërdi, por nuk desh. Sali Berisha mund të shkonte në mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe t'u mbante një fjalim siç di ai kur do të realizojë diçka, por nuk e bëri. Ndenji në zyrë se me gjasë ashtu ka rënë dakord me Bashën. Sali Berisha ka bërë marrëveshj­e me Bashën. Arsyet do t'i kuptojmë me kalimin e kohës. Sali Berisha nuk është opozitari etik i Bashës, përkundraz­i është mbështetës­i i tij kryesor. Fabula se Basha është Kryetar i PD- së dhe Berisha Kryetar i Bashës, duket intriguese sa ajo tjetra që Basha e shantazhon Berishën.

Kundërshta­rët e Bashës, ata të cilët Berisha i quan ish- bashkëpunë­torët e tij që nuk i desh si pasardhës, Topalli, Patozi, Bode, Bregu, Imami, Ruli etj. duhet ta lënë mënjanë hipokrizin­ë dhe të kuptojnë se ata i braktisi Sali Berisha. Nuk ka rëndësi në i bëri ai apo Basha listat. Berisha i lëshoi. Të na i kursejnë qurravitje­t dhe vikamat kundër Lulit se ai është në biznesin e lojën e vet dhe doli ku e ku më i zoti se ata. Ehuha. Pastaj, kur ishin në PD, me përjashtim të Bregut që paralajmër­oi herët se çdo ndodhte, të gjithë heshtën me shpresën se do t'i hante të fundit. Tani po deshën, le të ngrohen në diell duke fërkuar barkun apo kujtuar monë e madh kur luftonin në krah të Doktorit bollsheviz­mën ose të bëjnë parti tjetër, po Lulin ta lënë të qetë, nuk u ka më borxh ta dënojnë orë e çast. Askush nuk besonte se Basha të ishte kaq ambicioz. Doktori i zemrës e njeh mire trurin e PD- së. Lulit desh t'i linte një parti të pastër, pa grupe armiqësore dhe ia la. Me gjasë, hesapi nuk i shkonte deri te 230 mijë vota mangët. Shumë parashikim­e mund t'i kenë dalë Doktor Berishës në lidhje me Bashën, se përndryshe e rrëzonte për 5 minuta, por rrëshqitje­n kaq rëndë si zor ta ketë menduar. Çdo e keqe e ka një të mirë. Banaliteti tani, në fakt i duhet si humus për mitologji dhe nostalgji të reja. Pakti i Berishës me Bashën përfshin mikpritjen e Berishës në partinë e re, për aq kohë sa t'i duhet këtij të fundit. PD- ja e re ngjan si kapsulë anijesh kozmike, në të cilën strehohen disa veta për t'i ikur apokalipsi­t. Basha tani ka një parti të vetën, të cilën e trajton si pronë, ashtu si një bari tufën e vet që, kur do qengjat, i lejon t'i bëhen dele, delet i mjel, qumështin e bën kos, djathë, tlyn, dhallë ose i fal, i shet etj. Me këtë parti do bëjë betejat e veta në raport me qëllimet. Nuk është e thënë se synon pushtetin, por as nuk e refuzon nëse rastësisht i bie në dorë. E djathta s'ka pse gëzohet e as të hidhërohet me sukseset apo dështimet e tij. Ato janë qari i vet. Rriskon në mënyrën që di. Del në treg. Po iu shit produkti, bereqavers. Por opinioni duhet ta dijë se partia e Bashës nuk është më një parti ideologjik­e dhe as e djathtë. Thjesht ajo është një parti e veta, e cila nëse votohet për si është, le t'i gëzojë votat. A është parti opozitare? Kjo është pyetje e vështirë. Edhe është, edhe nuk është sepse zor me e nda se çfarë është pritja... është apo nuk është opozite?! Duhet të heqim dorë nga këshillat sesi Basha duhet të bëhet i mirë për ta rrëzuar Ramën e keq. Ndoshta Lulin kjo këshillë e brengos e i thyen zemrën për momentin. Rama nuk pranoi të bënte zgjedhje pasi fitoi, ndërsa Basha sanksionon postin e përjetshëm pasi humbi. "Opozita e re" gjeti mbretin e saj. "Le ta gëzojë Baftjari se është djalë për së mbari", thuhet në një këngë tallave shumë të përhapur kohët e fundit.

 ??  ??
 ??  ?? Këshilli Kombëtari i PD
Këshilli Kombëtari i PD

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania