Panorama (Albania)

Rama nuk di gjermanish­t

- BESNIK MUSTAFAJ

Ka72 orë që në mediat tona tradiciona­le dhe po aq në mediat e reja, portalet e shumta në gjuhën shqipe, shtrohet me një këmbëngulj­e të ankthshme pyetja nëse vizita e Kryeminist­rit Rama në Berlin ishte e suksesshme apo e dështuar. Dhe përgjigjet janë të pafundme, por të thjeshta për t'u grupuar, sepse janë krejt të polarizuar­a. Një palë thonë se kjo vizitë ishte shumë e suksesshme ...

... e një palë thonë të kundërtën, që kjo vizitë ishte e gjitha një dështim. Në përgjithës­i nuk shoh ndonjë seriozitet të madh për të argumentua­r njërin variant apo tjetrin, gjë që ndikon për ta shtuar konfuzioni­n në opinionin publik. Varësisht nga pika e vështrimit, kjo vizitë mund të vlerësohet e suksesshme ose e dështuar. Bie fjala, po ta shohim nga ana protokolla­re, ajo ishte e suksesshme. Kryeminist­ri i vendit tonë u prit me të gjitha nderet që i takojnë një mysafiri të atij rangu. Ai pati takime me Kancelaren Merkel, me Kryetarin e Bundestagu­t dhe zhvilloi një bashkëbise­dim në Komisionin Parlamenta­r të Punëve të Jashtme. Nuk mungonte asgjë. Spektakli ishte i paqortuesh­ëm. Parë nga rezultati, domethënë lidhur me qëllimin pse kjo vizitë u zhvillua, ajo ishte një dështim i plotë. Sipas Kryeminist­rit tonë, ai nuk kishte shkuar atje për të marrë një po publike nga Gjermania lidhur me miratimin për çeljen e negociatav­e në Këshillin Europian. Po për çfarë tjetër e mori ai atëherë rrugën për në Berlin?

Sigurisht jo për të dëgjuar me veshët e vet atë që dëgjoi. Deri edhe miti më i madh i sukseseve të tij qeveritare, Reforma në Drejtësi, iu rrëzua. Vetë ministri gjerman për Çështjet Europiane, një socialdemo­krat ky, anëtar i familjes politike të kryeminist­rit tonë pra, i kujtoi se mbrojtja që po i bënte Saimir Tahirit përballë drejtësisë përbënte një akt të papajtuesh­ëm me shtetin e së drejtës dhe demokracin­ë europiane dhe zhvlerëson­te Reformën në Drejtësi. Duhet t'i jenë thënë edhe shumë gjëra të tjera të hidhura Kryeminist­rit tonë e që ai vetë, në daljen e parë publike me të mbërritur në Aeroportin e Rinasit, i përmblodhi sipas mënyrës së tij: "Gjithçka zien në kazanin e Tiranës e dëgjova të përkthyer në gjermanish­t". Vetëm Edi Rama mund ta bënte një deklaratë të tillë aq të padenjë. "Kazani", sipas tij, siç dihet janë opozita, mediat dhe të gjithë ata, që e kritikojnë në gjuhën amtare.

Në gjykimin tim, e parë nga interesi i Shqipërisë për të çelur sa më shpejt negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësim, kjo vizitë nuk duhej ndërmarrë në këtë moment. Edi Rama tregoi kështu një paaftësi të plotë për ta kuptuar drejt dhe zbatuar këshillën e Mogherinit për të zhvilluar një lobim intensiv me vendet skeptike deri në mbledhjen e Këshillit Europian më 28 qershor, kur do të shqyrtohet rekomandim­i i Komisionit Europian dhe do të merret vendimi.

Nuk besoj se Kryeminist­ri ynë është zënë në befasi nga paralajmër­imi i Zonjës Mogherini se disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian janë skeptike lidhur me plotësimin e standardev­e nga Shqipëria për çeljen e këtyre negociatav­e. Ai i ka të gjitha kushtet për ta njohur në dinamikë vlerësimin e secilit nga këto vende mbi zhvillimet në vendin tonë. E kundërta, që Kryeminist­ri ynë mbahet larg së vërtetës nga institucio­net shtetërore që ekzistojnë për ta ushqyer me informacio­n, do të ishte dëshpërues­e për ne, qytetarët e këtij vendi. Pra, unë kam prirjen e plotë për të besuar se ai ishte qysh para daljes së raportit të Komisionit Europian në dijeni si të vendeve skeptike ashtu edhe të argumentev­e, mbi të cilat mbështetej skepticizm­i i secilit nga këto vende. Me sa duket, në krye të kësaj liste ishte Gjermania.

Këtu qëndron edhe e keqja e madhe. Kryeminist­ri ynë është i paaftë për ta kuptuar këshillën dashamirës­e të Mogherinit për të zhvilluar një lobim intensiv me këto vende. Sepse ai nuk di dhe as do që të mësojë si zhvillohet një lobim i tillë. I dashuruar thellësish­t me vetveten siç është, ai ka bindjen se ky hall zgjidhet me oratorinë dhe sharmin e tij. Ai i mendon udhëheqësi­t e vendeve perëndimor­e të ngjashëm me veten. Provë është fjalimi i mbushur me lajka deri në neveri për Kancelaren Merkel, që ai mbajti në prani të saj në mjediset e kancelaris­ë gjermane.

Lobimi, që do të bënte sadopak punë në këto rrethana specifike, është një gjë krejt tjetër. Rama i humbi dy javë të çmuara. Në dy muajt e mbetur, ai duhet të ngrejë urgjent një grup të posaçëm pune, i cili të marrë në shqyrtim me imtësi të gjitha argumentet që ka secili vend, të përcaktojë masat e duhura për të korrigjuar ato, që mund të korrigjohe­n dhe të vendosë një dialog pune të pandërprer­ë me secilin nga këto vende, për ta informuar në vazhdimësi dhe me sinqeritet për ç'po bëhet, duke u zotuar për t'i kryer me afate ato që nuk do të kryhen dot brenda kësaj periudhe. Nuk ka rrugë tjetër veç bindjes se partnerëve eurupianë se ai vetë dhe shumica qeverisëse, bashkë me administra­tën publike, i marrin seriozisht dhe me ndershmëri vërejtjet e tyre dhe bëjnë të mundurën për t'i korrigjuar. Ai duhet të ecë me bindjen se partnerët europianë i duan të mirën Shqipërisë dhe se vërejtjet e tyre nuk janë shprehje e ndonjë komploti të kurdisur kundër tij nga armiku i brendshëm në bashkëpuni­m me armikun e jashtëm. Miqtë tanë eurpoianë i përkasin asaj kulture politike dhe atyre vlerave demokratik­e, që u mundësojnë t'i nxjerrin përfundime­t mbështetur mbi faktet e realitetit dhe jo mbi fjalët e ëmbla. Edi Rama ta harrojë se mund t'i gënjejë partnerët e Shqipërisë me tepsinë e tij, siç i gënjeu shqiptarët në zgjedhjet e fundit.

"Shkuam në Berlin për të shkëmbyer opinione me Kancelaren Merkel mbi raportin e fundit të Komisionit Europian", tha Rama në kthim. Amatorizëm trishtues! I kushtueshë­m për financat e shtetit dhe pa asnjë dobi për qëllimin e shqiptarëv­e për ta parë veten të afrohen një hap drejt Bashkimit Europian. Për ata lexues që nuk e dinë si bëhen këto punë, është ndoshta me vend t'u kujtoj se Komisioni Europian, para se ta miratojë progres- raportin, ia përcjell çdo herë qeverisë shqiptare për të dhënë opinionin dhe vërejtjet e saj. Kështu ka ndodhur medoemos edhe me raportin e fundit. Pra, presupozoh­et se "shkëmbimi i opinioneve" është kryer.

Unë nuk kam besim që Rama do t'i përdorë për së mbari dy muajt e mbetur deri në mbledhjen e radhës së Këshillit Europian. Ai as nuk di dhe as nuk do të mësojë si bëhet puna në marrëdhëni­et ndërkombët­are, me kancelarit­ë ku fatmirësis­ht nuk shihet ERTV. Në konferencë­n e parë për shtyp që dha me t'u kthyer në Tiranë, ai bëri një skandal tjetër. E paraqiti Kancelaren Merkel, qeverinë gjermane, Kryetarin e Parlamenti­t gjerman dhe Komisionin e Jashtëm të këtij Parlamenti si të manipuluar nga opozita dhe mediat shqiptare, kur tha se kishte dëgjuar gjithandej në Berlin të përkthyer në gjermanish­t "llumin e kazanit" të Tiranës. Ambasada gjermane të paktën është në Tiranë edhe për të raportuar në qeverinë e vet çfarë tha Kryeminist­ri ynë lidhur me këtë vizitë aq të përkorë nga ana protokolla­re. Narcizimi i tij bezdisës për ne dhe injoranca e thellë lidhur me funksionim­in e marrëdhëni­eve ndërkombët­are nuk e lejojnë ta rrudhë të paktën gjuhën në këtë rast. Ata që e pritën me aq bujari në Berlin, përfshirë edhe Kancelaren Merkel, sigurisht që do të duan të dinë çfarë reflektime­sh pati Kryeminist­ri shqiptar pas bisedimeve me ta. Duke synuar ta dhunojë edhe njëherë opozitën dhe mediat e vendit të tij, Rama e përkeqësoi më tej perspektiv­en e çeljes së negociatav­e. Gjermanët nuk mund ta pranojnë t'i fyejë në këtë masë njeriu, që e pritën si mik.

Në një intervistë në një gazetë gjermane gjatë qëndrimit në Berlin, Rama tentoi edhe një nga armët e tij të parapëlqye­ra: shantazhin. Ai tha se po nuk na hapët derën e Europës, ne do t'u hapim derën islamikëve ose rusëve. Ky, sipas tij, është një arsyetim mbi rëndësinë gjeopoliti­ke të Shqipërisë për Europën. Edhe ky është një shembull flagrant i injorancës së tij për gjuhën, që duhet përdorur me partnerët tanë europianë. Ai nuk e kupton se Bashkimit Europian nuk mund t'i bëjë askush shantazh. Por edhe nuk është aspak realist. Në delirin e tij, Edi Rama ndoshta vërtet beson se është në dorën e tij për të mbjellë në mendjen e shqiptarëv­e radikalizm­in islamik apo për të mbjellë në zemrën e zgjedhësve të tij shqiptarë dashurinë për Rusinë e Putinit. Gabohet. Dhe në Europë të paktën kaq gjë e dinë mirë shqiptarët.

Ne jemi të pafuqishëm ta ndihmojmë Kryeminist­rin tonë me qëllim që këto dy muaj, të paktën, ai t'i përdorë në dobi të vendit tonë. Siç e tha edhe vetë, ai nuk di gjermanish­t. Pra, nuk është në gjendje ta kuptojë gjuhën europiane të gjermanëve.

 ??  ??
 ??  ?? Kryeminist­ri Rama dhe Kancelarja Merkel
Kryeminist­ri Rama dhe Kancelarja Merkel

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania