Panorama (Albania)

Ardenica, altari i Gjergjit dhe Donikës?

Shënime në Vitin e Skënderbeu­t

-

Shtyn portën e rëndë të drunjtë treqindvje­çare të Manastirit të njohur të Ardenicës dhe para teje shfaqet një monument autentik kishtar. Ardenica ka një shkëlqim mbretëror, ndoshta ngaqë vete aty me ndjesinë se në atë tempull qe kurorëzuar...

Gjergj Kastrioti me Donikën e Gjergj Arianit Komnenit, i ardhur përmes folklorit si Gjorg Golemi i pathyeshëm. Ai mbetet një nga bujarët e mëdhenj të kohës së tij, prijës i kryengritj­es antiosmane të vitit 1433, në kohën kur dhëndri i tij i ardhshëm ende nuk ishte kthyer në atdhe. Në Ardenicë kemi qenë dhe para nëntë vitesh, së bashku me një grup gjimnazist­ësh të Rrëshenit, por kësaj here ishte përkujtimi i Skënderbeu­t që na shtyu drejt manastirit të njohur ortodoks, në kodrën më të lartë të Myzeqesë, vetëm dyqind metra mbi det, dhe pse për ne që jemi rritur në male, ajo kodër duket “fushë”. Ardenica është e hershme, e shekullit XIII, aq sa dhe kisha e Shën Mërisë e Vaut të Dejës. Toli Shabani, mësues letërsie 80- vjeçar, njohës e shqiptues elokuent i historisë së Myzeqesë, e poetizon Ardenicën kur flet për kurorëzimi­n e Skënderbeu­t aty. “Ishin tre manastire, i Zvërnecit të Vlorës, i Apolonisë së Fierit dhe i Ardenicës së Lushnjës”, thotë Toli. Skënderbeu nuk e zgjodhi për peizazhin e bukur “lundrues” mbi Myzeqe të atij tempulli, por për pozitën strategjik­e, si simbol i marrëdhëni­eve princërore dhe miqësisë me Muzakajt, Topiajt etj., ku siç dihet njëra nga motrat e Skënderbeu­t ishte e martuar me Gjon Muzakën. Kuptohet, atëherë martesat ishin politike, ndaj dhe martesa e të parit të shqiptarëv­e duhej të “kënaqte” dinastitë e kohës, si të gjitha martesat e familjeve princërore e mbretërore europiane. Shkrimtari Naun Kule, që drejton shoqatën “Myzeqeja” dhe gazetën e saj lokale me të njëjtin emër, shkruan se Skënderbeu e zgjodhi këtë manastir për t’iu dhënë garanci Muzakajve e Topiajve se dhe pas kësaj martese ai do të jepte mbështetje të barabartë për gjithë princërit shqiptarë. Në këtë optikë, ky autor e sheh dhe gjestin e Skënderbeu­t, i cili, në çastin ceremonial, e nderon manastirin dhe klerikët që e kurorëzojn­ë, duke iu dhuruar një shpatë tepër të çmuar. Si bekues dhe kurorëzues i martesës përmendët emri i Igumenit Feliks, personalit­et i njohur i kohës. “Ardenica e meritonte Skënderbeu­n dhe ai e meritonte Ardenicën”, e mbyll bisdedën Toli, njeriu që mund të ligjërojë pa pushim për vendlindje­n e tij të begatë në monumente, grurë dhe qumësht. Skënderbeu e nisi dasmën në Vlorë, në Kaninë tek Aranitajt, ku qëndroi tri ditë, pastaj një natë në Ardenicë dhe në vazhdim në Krujë. ( Thuhet se para se të mbërrinte atje, qëndroi një natë në Berat.) Kurse muajin e mjaltit e kaloi në Kepin e Rodonit, në kalanë e tij të detit. Një dasmë, pos se historike dhe e legjendari­zuar, siç del dhe nga rrëfimi i thjeshtë i Zoit, kujdestari­t të manastirit, i cili na shpie te muret dhe mbishkrime­t e vjetra. Kemi ardhur të prekim altarin ku u kurorëzua Gjergji dhëndër. Nëse do të ishim në ndonjë manastir të ngjashëm perëndimor, puna do të kishte qenë e lehtë, do të kishim hyrë drejt e në arkiv dhe murgjit do të na vinin bujarisht përpara regjistrin e kurorëzime­ve të vitit 1451 dhe ne do të mund të lexonim aty emrat Gjergj e Donika e të tjera të dhëna historike. Por nuk është e mundur; në radhë të parë se janë rreth gjashtëqin­d vite në mes dhe Manastiri i Ardenicës, ashtu si të gjitha objektet e tjera të kultit në Shqipëri, është rrënuar e bastisur me dhjetëra herë nga hordhitë e huaja pushtuese. Dhe si të mos kishin mjaftuar këto, rrënuesi më i madh i arkivit dhe kujtesës së tij ishte zjarri i rënë në vitin 1932 dhe djegia e bibliotekë­s me mbi 30 mijë libra, kodikë, regjistra dhe dokumente të tjera arkivore. Një çmim që e kanë paguar aq shumë arkiva kishash në Jug e në Veri. Megjithatë, Manastiri i Ardenicës na duket nga më të ruajturit e llojit të tij. Të tërheq ikonostasi, pikturat murale të dy ikonografë­ve me mbiemrin Korçari, apo ato të Kostandin Shpataraku­t, figurat e shenjtërve, si Shën Gjon Vladimiri, muzikantit të famshëm durrsak Jan Kukuzeli, princit Karl Topia etj. Aty hyjnë e dalin besimtarë dhe kureshtarë, turistë që flasin në gjuhë të ndryshme. Teksa murgjit e mbyllur brenda bëjnë zakonin e tyre të vjetër, lutu dhe puno.

Nga Ardenica mund të shohësh gjithë Myzeqenë, Fierin në jug, Apoloninë në Perëndim, Lushnjën në veri dhe mes mjegullave të lindjes, Beratin etj. Kemi kaluar nëpër këto qytete, antike ose jo, dhe kemi vënë re se peizazhi urban ka ndryshuar, janë bërë rrugë më moderne e me të sigurta, sheshe dhe parqe të hijshme. Nuk kanë ndryshuar vetëm qytetet e mëdha të rajonit, por dhe të vegjlit si Patosi, ku ndër gjerat që bien në sy janë dhe “unazat” e tyre, që kanë urbanizuar dhe mjedisin përreth, qendrat e reja tregtare si “VIVA” në periferi të Fierit etj. Jemi ndër të paktët që hyjmë në librari për të parë nëse ka ndonjë botim të ri të autorëve të zonës apo ndonjë ribotim të veprave të Jakov Xoxës, Fatos Mero Rrapajt, Faslli Halitit e të tjerë, por libraret, që kanë 15 vite në pritje të blerësve të librit, na thonë se nuk ka më lexues. “Ka dalë telefoni e të rinjtë nuk lexojnë më”, dëgjohet refreni i tyre vetmues. Është Viti i Skënderbeu­t dhe teksa rendim nëpër adresat e shumta skënderbeg­iane të vendit, shfletojmë dhe librat që nga Barleti, ndërsa botime të reja akademike po përgatitën për kryeheroin e kombit, por na mundon pyetja: kush do t’i lexojë ato? Nxënësit e shkollave nxitojnë të shkarkojnë nga interneti ç’të gjejnë më kollaj për Gjergj Kastriotin dhe jo të “zhyten” në librat studimorë kushtuar tij., këngët e gojëdhënat e mbledhura me aq përkushtim nga Marin Sirdani, Dhimitër Shutëriqi, Qemal Haxhihasan­i etj.

Ardenica ( që vjen nga Artemis) është “perëndia” e dielltë myzeqare, që pret dhe përcjell vizitorë. Ajo besohet se priti Gjergj Kastriotin ditën që do të vinte kurorë me Donikën, që, siç u tha, e përzgjodhi atë jo për velin e saj hyjnor. Kronika e ndërthurur e historisë me rrëfimin gojëdhënor e paraqet si të mundshëm kurorëzimi­n e Skënderbeu­t në këtë tempull, ndërkohë që si i tillë përmendet dhe një tjetër tempull i Zotit, kisha e Shën Mërisë e Vaut të Dejës, po aq e mundshme dhe ajo për atë kurorëzim historik mbretëror, dhe për faktin se ka një tezë mbi origjinën e Kastriotëv­e ngë Kastri mirditas, rrjedhës së Gjadrit, në arealin e Vaut të Dejës.

 ??  ?? Manastiri i Ardenicës
Manastiri i Ardenicës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania