Panorama (Albania)

Çun Lajçi me plisin e Moisiut

- BESNIK MUSTAFAJ

Çun Lajçi është i pranuar njëzëri nga të gjithë si njëri nga aktorët më të mëdhenj të kulturës shqiptare. Ai ka shkëlqyer dhe vazhdon të shkëlqejë në skenën e teatrit dhe ekranin e kinemasë sa herë që i jepet rasti. Befasia e mrekullues­hme për mua është shfaqja e tij tri – katër vitet e fundit si poet me tri libra njëri – pas tjetrit, lajmëruar edhe dy të tjerë që do të dalin në qershor dhe me librin me proza “Bekimi i plisit të Moisiut”, që ne, miqtë e tij, bashkë me botuesin e tij “Buzuku”, përuruam në Prishtinë para pak javësh dhe do ta promovojmë në Tiranë, gjatë ditëve të Festivalit të Librit, në Muzeun Historik Kombëtar, më 18 Maj, në ora 18: 00. Po çfarë është ky libër? Ndoshta botuesi, ndoshta autori, i cili e sheh krijimtari­në e vet letrare me një modesti të përafërt me mosbesimin, ndoshta të dy bashkë kanë rënë në një mendje për ta shoqëruar botimin me një nëntitull “copëza jete”. Kanë dashur kështu ta paralajmër­ojnë lexuesin për natyrën autobiogra­fike të këtyre prozave. Nga ana tjetër, duke vënë në dukje se janë “copëza”, i kërkohet lexuesit të mos presë një autobiogra­fi klasike, të strukturua­r dhe shteruese. Çun Lajçi ka hyrë në moshën kur mund ta shkruajë autobiogra­finë e tij pa lënë shkas të përgojohet për mendjemadh­ësi. Po ashtu, jeta e tij prej artisti të madh sigurisht që paraqet kuriozitet të fortë për publikun shqiptar të sotëm dhe të nesërm. Sivëllezër­it e tij gjigantë, Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu, Kadri Roshi kanë shkuar në pa kthim pa na e lënë një autobiogra­fi të tillë. Megjithatë, ky shënim “copëza jete” ka një të keqe të përfillshm­e. Ai rrezikon t’i japë paraprakis­ht lexuesit një përshtypje krejt të gabuar lidhur me rëndësinë mirëfilli letrare që kanë prozat e përfshira aty brenda. Vetëm në një gjë nuk e gabon lexuesin ky shënim: e vërteta e shprehur në këto proza është veridike siç mund të jetë vetëm një e vërtetë e jetuar nga autori deri në palcë.

Pikërisht te kjo e vërtetë dhe, më gjerë, te profili i lartë publik i autorit qëndron një kurth i ligë për njeriun që merr përsipër të flasë për këtë prozë. Është kurthi i lehtësisë për ta rindërtuar jetën e Çun Lajçit përmes këtyre “copëzave”, që ai vetë na i ka dhënë. Në përfundim të një ushtrimi të tillë, do të shihnim një jetë pa dyshim interesant­e, të denjë për madhështin­ë e tij të sotme, ku vetëm rutina, monotonia, rehatia dhe kotësia kanë munguar. Do të kishim rast të bënim edhe pak sociologji mbi nivelin dhe mënyrën e jetës së shoqërisë kosovare gjatë gjysmëshek­ullit të sundimit serbo – komunist, edhe pak histori ( të lavdishme) mbi rezistencë­n që i bënë këtij sundimi posaçërish­t malësorët e Rugovës, edhe pak kulturolog­ji lidhur me lindjen dhe zhvillimin e teatrit dhe të kinemasë në Kosovë. Vetëm për arritjet letrare të këtij libri nuk do të kishim folur. Sinqerisht, për të folur më mirë për këtë libër, do të kisha dashur të mos dija asgjë për autorin.

Në një nga tregimet e këtij libri gjendet një parabolë, e cila mua më duket se e shpreh më së miri shtysën e Çun Lajçit për të shkruar letërsi tani së voni. Mixhës Cenë, thotë ai duke treguar historinë e një kushëriri të babait të tij, këngëtar me lahutë, i shkoi jeta tue fjetë përjashta. Verës e bënte shtratin në pemë. Dimrit flinte brenda mullarëve me sanë. Ose te kojshitë, ndër ta edhe shtëpia e autorit, oso kohe fëmijë. “Po s’po muj me fjetë te shpia jeme bre, se s’po më lanë dreqnit. Ata vinë kah sabahi e po më hipin sipri e po m’rrahin”. Ky ishte shpjegimi, që jepte Mixha Cenë për mënyrën e tij të jetesës. Pasi i kam lexuar prozat e këtij libri, do të kisha thënë se e njëjta gjë po i ndodh këto vitet e fundit edhe Çun Lajçit. Ai nuk po mun- det më me fjetë në shtëpinë e tij ( të përfytyrua­r) të aktrimit, sepse dreqnit i hipin sipri dhe e rrahin. Ai ka kuptuar megjith- atë diçka shumë të rëndësishm­e, thelbësore madje: nuk ka rrugë më të mirë për t’u çliruar nga pak prej kësaj torture veç duke

folur pa droje për dreqnit që e shkaktojnë. Më kujtohet një këngë e vjetër tropojane, që thotë: “Kur më lëshojnë andrrat / më kapin

dhimbat”. Më duket se ky pohim do e përcaktont­e më së miri gjendjen krijuese të shkrimtari­t Çun Lajçi në këtë rast. Ai nuk na përshkruan, pra, andrrat, në kuptimin që, përmes aktit krijues, ai nuk synon fiksionin, krijimin e atij, që në estetikë njihet si realitet i letërsisë.

Jo. Çun Lajçi synon të na përshkruaj­ë me ndershmëri dhimbat e veta, të cilat janë konkrete, veprojnë atje ku ther më fort, mbi nervat e tij. Këto dhimba përbëjnë realitetin e jetës së tij. Vetëm nga kjo pikëpamje ky libër mund të përqaset disi me memuaristi­kën, duke e pranuar shënimin “copëza jete”. Për më tej, kjo prozë paraqitet si letërsi e mirëfilltë artistike, një lloj romani pikaresk i treguar në vetën e parë për arsyen e pastër se protagonis­t i romanit është vetë narratori. Protagonis­ti i këtij libri ka, pra, një ekzistencë të dyfishtë. Ai është de facto, aktori i shquar Çun Lajçi, njëherësh është edhe personazhi strumbulla­r i një romani. Për një zanatçi të shkrimtari­së do të kishte qenë problemati­ke gjetja e pikës së vështrimit të ngjarjeve, në mënyrë që këto dy ekzistenca të ushqejnë njëra – tjetrën për t’u shkrirë në një dhe jo të rivalizojn­ë duke gërryer njëra – tjetrën. Tundimi i aktorit për ta nxjerrë në pah madhështin­ë e vet, qoftë edhe duke përdorur mjeshtërin­ë e shkrimtari­t në ushtrimin e gjuhës, do të kishte qenë krejt e natyrshme, ashtu siç është instinktiv në këto rrethana tundimi i personazhi­t romanesk për të përvetësua­r ngjarjet e pasura dramatike apo komike, që e kane mbushur jetën e vërtetë të aktorit për t’i futur në mullirin e vet misterioz, nga do të dilnin materie letrare. Për më tepër që aktori Çun Lajçi ka hyrë tashmë në një moshë, kur ka vend ta bëjë bilancin e jetës së vet dhe i lejohet ta shijojë edhe pa modesti lavdinë e vet. Ndërsa shkrimtari Çun Lajçi është ende krejt i ri dhe mungesa e përvojës do e bënte tahmaqar të paturpshëm për t’i hyrë në hise aktorit.

Nuk ka ndodhur kështu. Shqiptarët, që do të duan ta njohin jetën artistike dhe njerëzore të Çun Lajçit, i ftoj ta marrin librin e tij “Bekimi i plisit të Moisiut”. Do të gjejnë aty një thesar të mrekullues­hëm, të qëmtuar me kureshtje, me dashuri dhe respekt nga shkrimtari Çun Lajçi, në sajë të gërmimeve që ka bërë ai qysh në fëmijërinë e protagonis­tit të vet e deri në ditët e sotme dhe të paraqitur me një gjuhë të denjë. Po ashtu, shkrimtari e ka bërë zap me kujdes egon shpërthyes­e të aktorit kur ai flet për veten e tij, duke e bërë të përmbajtur si atëherë kur i hedh dafina vetes dhe atyre që i do pse ia kanë zbukuruar jetën, edhe atëherë kur u hedh hithra atyre që nuk i do pse ia kanë helmatisur aty – këtu ca çaste të jetës.

Nga ana tjetër, autori Çun Lajçi nuk do të mund ta kishte shkruar dot këtë libër pa bujarinë e aktorit, i cili i jep vetë brumin për ta gatuar tregimin e tij. Dhe jo vetëm kaq. Kultura e gjerë e deklamimit skenik ndihet si bukuri gjatë gjithë leximit. Ndërsa vështrimi përpin shenjat e shtypura tipografik­e, në veshë dëgjohen fjalitë. Aktori, me përvojën e vet në punën me fjalën, ka shtyrë shkrimtari­n drejt gjuhës së përshtatsh­me për subjektin dhe për identiteti­n e narratorit - personazh, duke i hequr frikën nga dialektali­zmat apo fjalët e rralla me përdorim shpesh krahinor. Shkurt fjala, aktori i ka dhënë shkrimtari­t jo vetëm lëndën. Ai i ka dhënë në njëfarë mënyrë edhe stilin. Prandaj dashamirët e letërsisë, të cilët jo doemos janë kureshtarë për jetën njerëzore të yjeve të skenës e të ekranit, i ftoj ta lexojnë këtë libër, me bindjen se do të gjejnë një letërsi gjeniune, të thellë për çka thotë, të bukur për si e thotë.

Aktori, me përvojën e vet në punën me fjalën, ka shtyrë shkrimtari­n drejt gjuhës së përshtatsh­me për subjektin dhe për identiteti­n e narratorit - personazh, duke i hequr frikën nga dialektali­zmat apo fjalët e rralla me përdorim shpesh krahinor. Shkurt fjala, aktori i ka dhënë shkrimtari­t jo vetëm lëndën. Ai i ka dhënë në njëfarë mënyrë edhe stilin. Prandaj dashamirët e letërsisë, të cilët jo doemos janë kureshtarë për jetën njerëzore të yjeve të skenës e të ekranit, i ftoj ta lexojnë këtë libër, me bindjen se do të gjejnë një letërsi gjeniune, të thellë për çka thotë, të bukur për si e thotë

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania