Panorama (Albania)

Protesta e opozitës, nevoja për të dhe kufizimet e saj

- FATOS LUBONJA

Epara gjë që duhet thënë për protestën e 26 majit të opozitës është se ajo ishte...

e drejtë, pasi në çdo vend që pretendon të bëhet pjesë e familjes së vendeve demokratik­e, ku sundon shteti i së drejtës dhe jo i personave, jo vetëm që ministri i Brendshëm do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen, për t’i hapur hetimeve rrugë të lirë, por me kohë do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen edhe Kryeminist­ri.

Së dyti, protesta ishte pozitive për të gjithë sepse, në kushtet ku ndodhet vendi, mungesa e çdo proteste do të kishte pasoja edhe më të rënda. Ajo tregoi se opozita, edhe pse e anatemuar nga një pjesë, e nënvleftës­uar nga të tjerë apo e përqeshur nga Edi Rama, është në gjendje të bëjë bashkë goxha njerëz që reagojnë. Dhe kjo është e rëndësishm­e për sot dhe për nesër. Le të imagjinojm­ë se çfarë do të ishin në gjendje të bënin njerëz si Edi Rama me shokë sikur të mos kishte fare opozitë dhe protesta të tilla.

Së treti, ajo ishte pozitive pasi, sidokudo, ka arritur të sensibiliz­ojë edhe botën për atë që po ndodh në Shqipëri.

Së katërti, ajo arriti edhe një herë të tregojë se çfarë maxhorance kemi. Fjalët e Edi Ramës se protesta ishte një “punë e pabesë”, “antishqipt­are” tregojnë se Kryeminist­ri i kësaj maxhorance po përdor, në mënyrë gjithnjë e më të palejueshm­e, metodat komuniste. Sigurisht, konteksti është krejt tjetër, mungon neni i agjitacion­it dhe propagandë­s dhe burgjet politike, mungojnë ligjet kushtetues­e që përcaktoni­n partinë e vetme si drejtuese të të gjithë institucio­neve, mungon parulla famëkeqe “me gjak e kemi marrë, me gjak do ta lemë ( pushtetin)” por “forma mentis” e Kryeminist­rit dhe ndjekësve të tij është po ajo. Sjellja ndaj rastit “Xhafaj” ku Prokuroris­ë gati sa nuk iu dha hapur urdhri për rezultatin e hetimit, që duhet të nxjerrë, si dhe shurdhëria ndaj çdo kritike dhe proteste, janë shenja se Edi Rama me shokë po veprojnë në atë rrugë që i çoi komunistët nga krimi në krim.

* * * Thënë këto, nuk mund të mos vihen në dukje edhe kufizimet e protestës së opozitës.

Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të vendit, që kërkon medoemos një ndryshim rrënjësor, do të ishte dashur që opozita të arrinte të mblidhte në shesh një numër shumë më të madh njerëzish. Do të ishte dashur që thirrjes së saj t’i përgjigjes­hin jo vetëm militantët, por edhe masa e madhe e njerëzve të grabitur, të fyer e të poshtëruar nga babëzia korruptive e kësaj qeverie, nga bashkëpuni­mi pa precedent i saj me krimin, nga arroganca dhe paturpësia me të cilën i mohon Kryeminist­ri dhe ndjekësit e tij krimet që, tashmë, janë bërë evidente për këdo.

Shkaqet se pse kjo masë e madhe nuk ngrihet, s’kanë të bëjnë vetëm me dobësitë e opozitës, por, pa dyshim, këto dobësi kanë pjesën e tyre kryesore. Ndër to, të lidhura zinxhir me njëra- tjetrën, do të përmendja:

Së pari, se diskurset politike të opozitës, që krijojnë edhe klimën e protestës, ndalen deri te denoncimet dhe, ç’është më problemati­ke, se edhe këto denoncime ndalen më së shumti deri tek aktorët e politikës e nuk thellohen te sistemi ( ekonomik, mediatik, i drejtësisë etj.), që na ka çuar te kapja e shtetit nga krimi i organizuar.

Së dyti, se këto denoncime i bëjnë po të njëjtët njerëz që kanë pasur mundësi ta luftojnë këtë sistem, madje, edhe aktiviteti­n e protagonis­tëve që përmendin sot me emra ( si p. sh. vëllai i ministrit të Brendshëm), por nuk kanë bërë asgjë. Përkundraz­i, perceptimi i njerëzve është se kanë punuar për këtë sistem, duke qenë përgjegjës edhe për kalimin e tij në shkallën më kriminale që po përjetojmë sot.

Së treti, në diskurset e opozitës, por edhe në qeverisjen e njerëzve të saj atje ku kanë pushtetin, mungon paraqitja e një alternativ­e ndaj sistemit kriminal të ngritur, e tillë që të ngjallë shpresë dhe besim te njerëzit.

Shkurt, qasja e opozitës ndaj së keqes që denoncon, është trajtimi i saj si diçka që është produkt i të këqijve që janë në krahun tjetër të politikës. Premtimi që u bën ajo njerëzve, është largimi i këtyre të këqijve dhe zëvendësim­i i tyre me njerëzit e opozitës. Shumicën e shqiptarëv­e të demoralizu­ar kjo nuk i bind jo vetëm pse i kanë parë tashmë këta njerëz se si janë sjellë kur kanë qenë në pushtet, por edhe sepse tashmë ata e dinë shumë më mirë se më parë se e keqja nuk qëndron vetëm te “kati” i pushtetit politik, që denoncon sot opozita, por edhe në katet dhe themelet ekonomike, mediatike e kriminale që ajo nuk i prek siç duhet.

Ngulmimi i opozitës për të mbetur vetëm te kati i politikës, që justifikoh­et sot, edhe me idenë se nuk është koha për të nxjerrë përgjegjës­itë e së keqes, por për të larguar sa më parë këtë Kryeminist­ër që po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm e më i çmendur, e mban atë të izoluar nga një pjesë e madhe e shqiptarëv­e të demoralizu­ar. Ky ngulmim shfaqet jo rrallë edhe me dorashkën që u hedhin njerëz të opozitës atyre që qëndrojnë mënjanë, duke u thënë: nëse nuk bashkoheni me ne në protestë, atëherë s’keni të drejtë as të ankoheni. Problemi i problemeve të këtij qëndrimi është se, edhe sikur opozita t’ia arrijë ta heqë qafe këtë Kryeminist­ër, që vërtet meriton të hiqet sa më parë, pak gjë do të ndryshonte në vend, sepse çmenduria dhe kriminalit­eti i këtij Kryeminist­ri është shprehje e çmendurisë dhe kriminalit­etit të sistemit që e ka ngritur e mban në majë të tij.

Një kufizim tjetër i opozitës është edhe kompleksi i saj ndaj ndërkombët­arëve. Ajo e ka më shumë problem t’u tregojë atyre se nuk është e dhunshme, se sillet mirë, sesa të marrë përsipër nxjerrjen e shqiptarëv­e nga balta. Por shembulli i protestës së Kukësit - që jo rastësisht nuk ishte e organizuar nga opozita, - tregoi se një qeveri e tillë dhe një Kryeminist­ër i tillë, të tallin e përqeshin po nuk u tregove se je në gjendje t’i përgjigjes­h dhunës strukturor­e që ata ushtrojnë ( me vendimmarr­jet e tyre arrogante dhe korruptive, me keqpërdori­min e Policisë dhe Prokuroris­ë, dhunën verbale të rilindësve etj.), me mjete dhe forma që t’i bëjnë të ndjejnë frikë.

Ky kufizim, si dhe kufizimet e përmendura më sipër kanë bërë që opozita të shihet nga jo pak njerëz, sikur tek e fundit është në të njëjtën anë të barrikadës me maxhorancë­n, duke kujtuar vazhdimish­t jo vetëm lidhjet e saj në pushtet me të njëjtët aktorë ekonomikë, mediatikë që përbëjnë sot mbështetës­it dhe klientelën e Ramës, por edhe protestat kundër sjelljeve të armëve kimike nga Siria apo kur, pas çadrës, Basha bëri marrëveshj­en e famshme me Ramën.

Ky perceptim vlen jo vetëm për PD- në, por edhe për LSI- në ku kryetari i saj historik Meta, sot President i Republikës i zgjedhur nga maxhoranca, duket sikur të jetë në muaj mjalti me Ramën, ndërkohë që e shoqja, në krye të partisë së tij, e kërkon këtë në turrën e druve.

Dyshimi se nesër mund të ulen të gjithë rrotull tepsisë së bashku me Ramën apo pa Ramën, nën bekimin e ndërkombët­arëve që gjithherë kanë mbështetur interesat e tyre dhe stabilitet­in mbi demokracin­ë në këtë vend, mbetet shumë i madh ndër njerëzish. Ky dyshim është si ai uji që ka lagur e lag një turrë drush, duke mos e lënë atë të ndizet për të na ngrohur.

Këto janë disa refleksion­e – sigurisht jo shteruese - që më lindën duke ndjekur protestën e opozitës. Gjykoj se në thelb të tyre ato ngrenë çështjen, se ç’duhet të bëjë kjo opozitë, kaq e rëndësishm­e për momentin që po kalojmë, që të mund të nxjerrë veten dhe vendin nga balta ku po e zhyt përditë “qeverisja e krimit”.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania