Panorama (Albania)

Epopeja e Hallit Kombëtar

“Materialis­tët analizojnë pjesën e lehtë, mohojnë pjesën e vështirë e pastaj shkojnë në shtëpitë e tyre për të pirë çaj.” G. K. Chesterton

- NESTI GJELUCI

Pasgati 30 vjetësh tranzi cion, populli shqiptar po i nënshtrohe­t një tiranie të re, tiranisë së korrupsion­it . Ideologjia mbytëse materialis­te e bën të vështirë që populli të jetë i aftë të shohë se në çfarë rruge pa dalje...

është futur. Po përsërisim një variant të ri të po asaj ëndrre të keqe të shekullit të kaluar, ku njeriu humbi dinjitetin e tij nën trysninë e tiranisë komuniste. Këtë herë rreziku vjen nga kalbësia morale e brendshme si dhe nga mungesa e kapaciteti­t moral të jashtëm për ta parë problemin siç është. Duhet shkruar jo artikull, por një epope për të përshkruar një hall kësisoj. Ndërkohë, të mjaftohemi me këto rreshta.

Duke lexuar reagimin e mediave të vendeve perëndimor­e, sidomos pas daljes kohëve të fundit të Indeksit të Freedom House ‘ Nations in Transit’, del qartë se problemi i korrupsion­it po kritikohet, demaskohet, diskutohet, duke treguar me të dhëna konkrete se problemi nga viti 2009 e këtej jo vetëm vazhdon, por është keqësuar. Të paktën në shikim të parë, vetë Indeksi si dhe komentet e Mogherinit më pas, të lënë të kuptojnë se ka një farë arbitrazhi të jashtëm për këtë sëmundje nga e cila nuk po dimë të shërohemi. Ky arbitrazh është i domosdoshë­m por fatkeqësis­ht ka një problem të vetin.

MATERIALIZ­MI PERËNDIMOR

Problemi me analizat dhe komentet sado kritike që bëhen nga komuniteti ndërkombët­ar, është se ky komunitet vuan gjithnjë e më shumë nga një sëmundje, që i bën të paaftë ta shohin problemin e korrupsion­it te rrënjët e tij. Kritikat vijnë nga ekspertë dhe politikanë që vuajnë nga ideologjia materialis­te. Kjo ideologji i ka rrënjët e thella dhe shenjat e saj u dukën qartë nga librat e panumërt që u shkruan në tryezat akademike perëndimor­e për të analizuar motivet e rënien e komunizmit pas viteve 1989- 1990. Pothuaj të gjithë e shpjeguan atë si triumfi i një sistemi të suksesshëm ekonomik Perëndimor, që arriti të mundë Lindjen në garën e zhvillimit dhe të prodhimit. Perëndimi ka disa vite që mundohet të hedhë mënjanë një nga këmbët e stolit ku po rrinte goxha rehat për disa breza, dhe tani habitet pse po rrëzohet. Perëndimi po harron shpejt që etika morale e një shoqërie gjithmonë ka presupozua­r realitetin epror transcende­ntal apo të tejshëm, si një faktor kyç që siguron zhvillimin dhe civilizimi­n e një vendi. Se çfarë rruge do marri Perëndimi në këtë fazë të re, nuk është shumë e qartë. Por për t’iu kthyer vendit tonë, duket qartë se Perëndimi nuk mund të shohë se Shqipëria është në fazën e hedhjeve të themeleve të një tiranie të re.

PRAPË TIRANI?

Një nga shenjat e tiranisë është trajtimi i njeriut si një masë pasive pa vullnet të lirë, pa aftësinë për të vendosur për të ardhmen e vet, qoftë dinjitoze apo të turpshme. Kjo është tirani ndaj individit. Elita sunduese dhe populli që i zgjedh bëhen dashje pa dashje bashkëpunë­torë në ndërtimin e një shoqërie të shthurur dhe qorre. Elita krijon kushtet që njerëzit të jenë të gatshëm të shesin shpirtin e tyre thjesht për të mbijetuar dhe këta njerëz me kalimin e kohës mësohen me zgjedhjet e tyre moralisht të mbrapshta. Me kalimin e kohës shteti forcohet sepse ka gjithnjë e më shumë interes dhe frikë ta lëshojë pushtetin, ndërkohë që populli bëhet gjithnjë e më i dobët, derisa shkon në skllavërim. Tirania nuk ka brirë dhe populli ynë vetëm nëse vuan nga një amnezi kolektive nuk e kupton se po futet në të njëjtën rrugë qorre si ajo pas viteve ’ 40 të shekullit të kaluar. Kjo jo vetëm është rrugë pa krye, por edhe e paqëndrues­hme dhe me rrezik. Së pari, një vëzhgim paksa teorik Dy nga faktorët që sollën civilizimi­n perëndimor në majat që njihen sot, pavarësish­t se nuk po flitet shumë për to, janë:

Sovranitet­i– Pushtetari dhe qytetari duhet ta dinë se nuk janë sovranë suprem, po kanë përgjegjës­i ndaj atyre që përfaqësoj­në dhe kujt i shërbejnë. Ata duhet të kenë vetëdije sado të mjegullt, që ekziston një realitet transenden­t, i cili i gjykon dhe të cilit duhet t’i nënshtrohe­n. Kjo është një nga bazat, mbi të cilat u ndërtua civilizimi perëndimor dhe nga ku doli demokracia perëndimor­e. Se çfarë ndodh kur ky kusht nuk ekziston në elitën sunduese, duhet ta kemi më- suar mirë shekullin e kaluar. Shkrimtari dhe profeti rus, Fyodor Dostojevks­i, dikur e thoshte troç: “Kur Zoti nuk ekziston, gjithçka lejohet”. Ky realitet duhet të jetë faktor vendimtar në sjelljen morale të njeriut në pushtet si dhe atij në shoqëri.

Vullneti i lirë– Duhet të respektohe­t dhe jo të injorohet fakti që njeriu është i pajisur me vullnet të lirë. Kjo dijeni të bën përgjegjës, por edhe të takon sy më sy me të vërtetën thelbësore të lirisë. Nëse unë e di se mund t’i them ‘ Jo’ një të keqeje, kjo është çliruese.

SË DYTI, NJË VËZHGIM PRAKTIK

Në një leksion që dha në mars të këtij viti në Ëashington, DC, teologu dhe historiani George Ëeigel, duke kritikuar dhe shpjeguar gjendjen jo të shëndoshë të demokracis­ë në Amerikë këto vitet e fundit, i vënë rëndësi rivitalizi­mit të një kulture morale komunitare. Kjo kulturë, sipas tij, do bëjë të mundur funksionim­in e tregut të lirë, ligjeve demokratik­e dhe lirisë së individit. Pra, problemi i Perëndimit sot është si ta rikthejë këtë kulturë që rrezikon të kalbet. Detyra jonë është të gjejmë elementë në kulturën dhe traditën tonë civile dhe fetare për të ndërtuar një kulturë të tillë.

NDRYSHIMI FILLON TEK INDIVIDI

Siç thotë gazetari David Brooks në një artikull të kohëve te fundit në “Neë York Times”, “Ata njerëz që bëjnë vepra të mëdha në emër të së mirës, kanë vullnetin për të ndryshuar veten rrënjësish­t.” Për ta zbërthyer këtë fjali në prizmin e faktorëve të përmendur më lart:

- E para, njeriu shtyhet për të bërë vepra të mira kur bazohet në premisa të ekzistencë­s së një realiteti transenden­t suprem.

- E dyta, njeriu duhet dhe ka forcën të ushtrojë vullnetin e lirë t’i thotë “Jo” së keqes.

Pa këta njerëz nuk mund të ketë ndryshime thelbësore në shoqëri. Të dalësh fitues në luftën kundër korrupsion­it duhet punë rrënjësore në shkallë individi, familjeje dhe komuniteti. Ligjet ndihmojnë gjatë këtij procesi dhe ofrojnë një standard, me të cilin matet sjellja e individëve në shoqëri brez pas brezi. Fëmijët që po rriten në familjet dhe shkollat shqiptare duhet të mësojnë që herët se paraja e fituar mbrapsht nuk të sjell bollëk, por vetëm boshllëk. Nëse brezat që po rriten kërkojnë nga jeta vetëm përfitime materiale të arritura me çfarëdo rruge, çfarë motivi do kenë ata të kërkojnë dituri, pjekuri, mençuri e karakter? Korrupsion­i është një tundim, është test për secilin dhe nga mënyra se si i përgjigjem­i këtij testi, varet e ardhmja e fëmijëve që po lindin dhe formohen në atë tokë. Le të pyesim veten: Çfarë të ardhme duam për to? Të ardhme servile? Duam fëmijë të burgosur? Apo kurajozë, të virtytshëm, në gjendje t’i thonë Jo! të ligës, në çfarëdo lloji të shfaqet ajo? I duam fëmijët tanë të fshihen rrugicave, të dehur, të depresionu­ar, duke pirë cigare dhe alkool pa fund me shpresë ta shmangin realitetin e zymtë që i rrethon?

Po del gjithnjë e më qartë se ligjet nuk sjellin demokraci, ato thjesht mbrojnë dhe ruajnë atë që ndërtohet me vullnetin dhe virtytin e njeriut. Në fakt, ligjet e forta sado demokratik­e të jenë ato, në një klimë morale të korruptuar, bëhen vegël në dorë të shtetit për të sunduar dhe manipuluar një popull që nuk gjen rrugëdalje. Ky është halli kombëtar në shekullin 21. Nëse nuk kultivojmë vlerat dhe nevojat shpirtëror­e të njerëzve, do lejojmë tiranitë e çfarëdo forme të komprometo­jnë shpirtin njerëzor. Tirania do imponohet nga elita sunduese, por kjo nuk do thotë se kjo elitë është fajtore e vetme e shkëputur nga populli. Në fund të fundit, udhëheqësi­t janë zëdhënës të vlerave dhe imagjinatë­s së popullit.

Na duhen njerëz që kanë kurajë t’i thonë “Jo” tiranisë së korrupsion­it, sepse duke i thënë “Jo” tiranisë, i thonë “Po” lirisë. E duke i thënë “Po” lirisë, qoftë kjo edhe një pakicë, përfiton më vonë shumica. Ky është roli i njeriut civil në shoqëri civile. Për këta njerëz shpresoj e lutem që një ditë të shkruhen me të vërtetë epope.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania