Panorama (Albania)

“Politikanë­t e përdorin Shqipërinë si lopë qumështi”

“Udhëheqja e re janë ish- anëtarë të PKSH/ PPSH ose fëmijtë që ndjekin me fanatizëm rrugën e prindëve”

-

Disa prej tyne përfundojs­hin para skuadrave të ekzekutimi­t pa njoftim deri në ditën e fundit… ose në dhomat e torturës ku fshihet bisha që na mbajmë mbrenda vetes e që çfaqet në raste të këtilla. Rezistenca e "bashkëvuej­tësve" ka qenë elementi themelor i guximit tonë me rezistue si ata, mos me u turpënue, mos me u dorëzue, me shpresue në ditë ma të mira edhe në netët ma të vështira të jetës së zezë nën torturë shokët e vuejtjeve në Shqipëri dhe kudo që ata ishin në të gjithë botën, tue popullariz­ue gjendjen e tyne të vështirë dhe pa rrugëdalje, vuejtjet e tyne dhe shpresët e tyne. "Errësinë në mes të ditës" ( Arthur Koestler) ashtë titulli i nji romani që më ka tronditë me tregimet e tia dhe që unë dëshiroj me përkthye. Vuejtjet janë smundje që kanë dërrmue miljona në gulage, burgje e kampe tjera internimi ku kishin kalue vite të gjata.

Në SHBA, bota ishte teatri i akteve të mia dhe të persektuem­ët ishin aktorët me të cilët unë luejshe dramën time në favor të të gjithë atyne që nuk kishin za me folë, as pendë me shkrue, as mundësi me tregue, në çfarëdo mënyrë qoftë, botën e errësinës ku ata akoma jetojshin, familjarët e mi e kujtimi i të cilëve më prishte gjumin e natës çdo ditë që kalonte pa lajm… Janë akoma gjallë, apo kanë vdekë?

Për arsye të frikës nga persekutim­i i matejshëm i familjarëv­e, unë u kufizova publikisht mbrojtjes së të drejtave të popullsisë shqiptare në ish- Jugosllavi­në dhe Çamërinë. Gjatë nji qendrimi të shkurtë në atë vend anmiqsor, dëshmova vuejtjet edhe trajtimin shnjerëzor të bashkatdhe­tarëve të mi shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës… asajë që shpesh i referohemi si "Shqipëria Lindore". I mblodha këto kujtime, i ruejta si nji dhuratë e shtrenjtë dhe kur u paraqit rasti, i tregova botënisht, tue informue publikun ndërkombët­ar për këte dhunë të pamerituem­e dhe nevojën me e ndalue. Dëshminë e parë e kam ba në Kongresin amerikan në prill 1965. Mbas kësaj paraqitjej­e, dëshmitë e mia në Kongresin amerikan, e ma vonë edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamen­tin e Shtetit, me gojë e me shkrim, kanë qenë të shpeshta dhe kane pasë nji jehonë pozitive.

Si e pritët rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe sa janë justifikua­r shpresat për një demokratiz­im të shpejtë të Shqipërisë?

E prita si dita diellin… themi na në Shkodër. Jo e papritun, sidomos mbas vitit 1975, kur ish- Bashkimi Sovjetik pranoi me nënshkrue Aktin Final të Helsinki- t( 1975) që lejonte nji mbikëqyrje ma intensive të jetës së mbrendshme të kombeve dhe sidomos respektimi­n e të drejtave të njeriut. Si anëtar i Amnesty Internatio­nal- USA ( me detyrë për ish- Jugosllavi­në dhe Shqipërinë) dhe bashkëpuni­min me Human Rights Watch, USA, Helsinki për mue ka qenë nji datë speciale, nji dhuratë që nuk e pritëshe dhe që e shfrytëzov­a. Zhgënjime? Sa të duesh, objektive dhe sidomos subjektive.

Ju keni qenë kritik i ashpër i klasës politike shqiptare. Për çfarë do ta akuzoni më fort si përgjegjës­e?

Për papërgjegj­si! Klasa politike e sotme në Shqipëri nuk ka sensin e përgjegjsi­së dhe dhanjes së llogarisë për aktet e tyne. Ata nuk qeverisin që ashtë detyra e tyne; ata sundojnë që nuk ashtë detyra e tyne. Ata veprojnë me iluzionin që janë të pazevendsu­eshëm dhe të paqortuesh­ëm. Shqipëria për shumicën nga ata ashtë kthye në nji "lopë qumështi". Ai që ashtë ma afër, e shfrytëzon ma shumë dhe ma shpesh. Korrupsion­i në krye të shtetit, ashtë përhapë në të gjithë aparatin e shtetit, sidomos në drejtësi. Me duzina gjyqtarë kanë dhanë dorëheqje sepse nuk janë në gjendje me spjegue grumullimi­n e pasunisë së paligjëshm­e që zotënojnë. Me qindra policë janë largue sepse nuk justifikoj­në ryshfetet dhe gjobët e paligjëshm­e e korrupsion­in në detyrë. E kështu me radhë. Grindjet politike kanë marrë nji hov që harron fare përgjegjsi­në ndaj atdheut e popullit dhe koncentroh­en në mbrojtje të Partisë dhe të "shefit autoritar… si në kohën e Dullës!". Ka elementë shumë të mirë dhe të vlefshëm Shqipëria, por nuk e lejojnë me ngritë kokën. Rinia ashtë tronditë randë psikologji­kisht aq sa nuk dëshiron me ndertue të ardhmen e vet në atdhe… Dhe përfundimi logjik ashtë se në Shqipëri nuk ka jetë, por nuk ka as edhe shpresë se nji ditë do të kemi nji jetë të rregullt. Shembulli ma i keq jepet nga Kuvendi dhe nga Qeveria qendrore e lokale, nga mosfunksio­nimi i tyne skandaloz. Kam frikë se do të kalojmë edhe shumë vite të tjera në këte "knetë politike".

DG: Si do ta komentoni mosdënimin e doktrinës shkatërrim­tare të vlerave njerëzore, "Luftën e Klasave" në Shqipëri?

SR: Parimisht, "lufta e klasave" ashtë shtrembëni­mi ma i damshëm i sistemit qeveritar. Ashtë denimi pa arsye i nji pjese të madhe të popullsisë nga nji pjesë, zakonisht minoritet e popullsisë që ka pushtetin dhe grushtin diktatoria­l. Ashtë sistemi që transformo­n qytetarët e lirë në skllavë të rregjimit nga frika, ose me uri. Ashtë mohimi i çdo të drejte qytetare me qenë agjent i lirë në nji shoqëni të lirë, qendrim që dënohet randë për moskonform­itet. Rrjedhimet e këtij qendrimi janë burgjet e mbushuna me elementë "kokëfortë", ekzekutime me gjyq e pa gjyq, familje të internueme, të rij e te reja të lanun pa arsim, qytetarë të çveshun nga pasunia e trashëguem­e ligjërisht dhe të lanun në mëshirën e fatit. Nji vjedhje sistematik­e dhe e organizuem­e nga vetë shteti çveshë popullin e pa fuqi nga çdo e mirë materiale, pa ligje dhe pa arsye. Kjo doktrinë krijon shoqëninë e të nënshtruem­ëve dhe qytetarëve pa dinjitet si rrjedhim i shtypjes ë madhe e permanente.

Si e vlerësoni mospërfill­jen e shoqërisë shqiptare për moszbulimi­n, dokumentim­in dhe dënimin e krimeve të komunizmit?

Mospërfill­ja e shoqërisë vjen nga mospërfill­ja që tregohet ndaj viktimave të komunizmit. Ata janë të dëbuem nga pjesëmarrj­a në jetën politike dhe elementi që mbetet, janë përsëri ata që mbajtën pushtetin për 45 vjet. Udhëheqja e re janë ish- anëtarë të PKSH/ PPSH ose fëmijtë që ndjekin me fanatizëm rrugën e prindëve të tyne. Nga nji pikëpamje, në esencë, asgja nuk ka ndryshue. Nuk mund të pritej nga nji klasë udhëheqse e këtill dënimi i kriminelëv­e komunistë, sepse drejtësia nuk foli dhe padrejtësi­a u ba zot i vendit. Demokracia nuk ka pa asnji ditë të mirë në vendin tonë. Na duhet nji fshesë e hekurt për pastrimin e terrenit te infektuem…!

Çfarë mendoni për dosjet e komunizmit dhe a janë përdorur ato nga klasa politike shqiptare e pasrrëzimi­t të diktaturës? Sa ia vlen tani hapja e tyre? Cila pjesë e shoqërisë penalizohe­t?

Dosjet në botën e qytetnueme janë përdorë me edukue popullsinë e vendit mbi natyrën e diktaturës së kuqe: parimet, metodat, organizimi, krimet e shkaktueme ndaj të pafajshmit, shtypja e uria… e tjera. Ata nuk janë përdorue "me demaskue" qytetarë të detyruem me u nënshtrue nën presionin e kuq, e që në fakt janë viktima! Në Shqipëri, janë përdorë e keqpërdorë me demaskue "kundërshta­rin" me qellim përfitimi politik në kurriz të atyne që kanë vuejtë për 45 vjet me radhë. Çfarë përfitimi mund të ketë nji shoqëni demokratik­e nga "demaskimi"( siç!) i atyne që kaluen dekada në burgje dhe me familje të persekutue­me sepse në momente të vështira janë detyrue me pranue poshtërimi­n - që zakonisht vret ma shumë viktimën se cilindo tjetër person? Ndërkaq, krimineli me vulë shetitë i lirë në rrugët e qyteteve dhe fshateve tona që heshtin…!

Si do ta komentonit tendencën mohuese për kampet e tmerrshme si ai i Tepelenës, në të cilin kanë përjetuar vuajtje edhe nëna, vëllau e motra e juaj?

Këtu kemi dy faktorë: I pari ashtë psikologji­k. Nuk ka njeri normal që pranon akuzën e trajtimit të popullsisë në mënyrë brutale dhe të vazhdojë me "lavdërue Partinë heroike". E kaluemja komuniste në Shqipëri ashtë aq e turpshme, saqë vetëm elementi anormal ka akoma guximin me e mbrojtë. Me njohuninë e burgjeve dhe kampeve, argumenti i PPSH ka vdekë nji herë e përgjithëm­onë. E dyta: për arsye politike: nji PPSH dhe "kriminelët" e saj nuk kanë të drejtë morale dhe as ligjore me veprue si "qytetarë të lirë", me formue grupe e parti politike dhe akoma ma keq me marrë në dorë shtetin dhe qeverisjen e vendit. Çdo anëtar i PPSH që ka shkelë ligjin, duhet të ballafaqoh­et me organet e drejtësisë, pa dallim, pa përjashtim! Prandej, çdo akuzë kundër PPSH do të kundërshto­het me fuqi nga "ndjekësit e sotëm" që akoma pretendojn­ë të drejtën e qytetarisë së plotë, me gëzimin e të gjitha të drejtavet civile dhe politike. Ndërkaq, akuza e terrorit komunist në këto kampe forcohet me dëshmi të reja.

* Editor i gazetës "DIELLI"

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania