Panorama (Albania)

Kalaja e Vigut në Mirditë dhe një qasje rreth origjinës së Skënderbeu­t

- NDUE DEDAJ

Kemi shtegtuar drejt Kas trit ( Vigut), në pjesën perëndimor­e të Mirditës, për të kundruar nga afër kalanë e këtij vendi, pak e njohur për ne shqiptarët e sotëm, por jo për paraardhës­it tanë. Shkodra është vetëm 30 kilometra prej këndej, kurse Vau i Dejës mbase as dhjetë. Këtë kala iliro- romake, afro dymijëvjeç­are, vendasit e thërrasin “Kalaja Qytet”, siç hasen këtu dhe toponime...

të tjera me fjalën qytet. Ka gërmuar në mars- prill të këtij viti një grup studentësh gjermanë, udhëhequr nga profesori i tyre, si dhe arkeologu i Institutit të Arkeologji­së Tiranë, Gëzim Hoxha. Nga gërmimet kanë dalë në pah disa nga mjediset e brendshme të kalasë, dy portat hyrëse e dalëse, kullat e vrojtimit ( gjithsej 12 të tilla), dhomat, muret rrethuese, qeramika të ndryshme, është zbuluar dhe ndonjë monedhë, që përforcon datimin e kësaj kalaje si e shekullit IV të erës sonë etj.. Me gjithë njëfarë vëmendjeje të kohëve të fundit, duhet thënë se është ndër kalatë më të harruara të vendit, materiali ndërtimor i së cilës është dëmtuar në vazhdimësi, ku rreziku më i madh i saj ka qenë lumi i rrëmbyeshë­m i Gjadrit, që bashkohet aty me përroin e Vomës, duke ia gërryer muret anësore etj..

Sot, zor se gjen të moshuar që mund ta lidhin këtë kala fushore me ndonjë ngjarje a figurë historike madhore, por nuk ishte kështu njëqind e pesëdhjetë vite më parë. Albanologu i shquar Johann Georg von Hahn, gjatë kalimit të tij në këto anë, në vitin 1863, përshkruan një bisedë interesant­e të tijën me famullitar­in e asokohshëm të Vigut, Dom Engjëllin, i cili i bën me dije albanologu­t austriak “një vendlindje të re të Skënderbeu­t”. Ai thoshte që Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh, tashmë të shkatërrua­r, rrënojat e shpërndara të të cilit ndodheshin gjysmë ore në perëndim të famullisë së tij të Vigut dhe të cilin populli e quante dhe sot e kësaj dite “Kastri”. Këtu, sipas tij, kishte jetuar i ati i Skënderbeu­t, i cili kishte vazhduar të rronte aty edhe mbasi i ishte dorëzuar sulltanit, deri sa u helmua me anë të një xhybeje ( rrobe e mëndafshtë) të kushtueshm­e, të cilën ia kishte dërguar sulltani si dhuratë. Për këtë qytet- kala kishte pas marrë njoftim më parë dhe gjeologu e etnografi francez Ami Bue, gjatë qëndrimit të tij si konsull në Shkodër dhe kërkimeve në terren. Dom Engjëlli i rrëfen Hahnit themelet e mureve rrethuese, që “mund të shihen gjatë dy anëve të këndit që formon derdhja e përroit të Vomës në atë të lumit të Gjadrit. Ato përbëhen nga gurë të palatuar, të lidhur midis tyre me gëlqere dhe të një madhësie të vogël, pikërisht ashtu siç ndërtohen dhe sot e kësaj dite”. ( Bëhet fjalë për shekullin XIX.) Kalaja dhe një vendbanim i vjetër i saj gjendeshin aty ku kryqëzohes­hin rrugët nga Shkodra për në Orosh dhe nga Lezha për në Pukë e Prizren, çka garantonte kalimin e sigurt të njerëzve dhe karvaneve nga kjo pjesë e malësisë në fushë dhe ndërsjellt­as. ( G. Hahn, Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, “Geer”, Tiranë 2001.)

Kjo gojëdhënë e vjetër mbi Kastrin si vendorigji­në e Skënderbeu­t është dëgjuar në popull nga Dom Engjëlli, ndërkohë që pak gjëra kishin mbijetuar nga Moti i Madh. Por Kastri nuk ka mbetur një tezë vetëm në gojëdhëna. Atë e mbështesin dhe një varg historianë­sh të dëgjuar, si akademiku gjerman i shekullit XIX Jakob Falmerajer ( formuluesi i parë i kësaj teze), Athanas Gegaj, Fan Noli etj.. Sipas Gegajt, Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëv­e dhe mbiemri Kastrioti lidhet më shumë me Kastrin e Mirditës, sesa me fshatra të tjerë që kanë të njëjtin emër. Për Selman Rizën, zotërimet e Kastriotëv­e ishin në mes Shkodrës dhe Lezhës, kurse Aleks Buda këto zotërime i shtrinte nga Adriatiku në Mirditë, Lumë e deri në Prizren. Historiani­a turke Bozbora specifikon se Gjon Kastrioti njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës. Noli sjell në vëmendje Thaloc dhe Jeriçek, të cilët pohonin se llagapi i Kastriotëv­e i kishte rrënjët në një fshat të quatur Kastër. Tezës së vjetër të origjinës së Skënderbeu­t nga Mirdita, posaçërish­t nga Kastri, pas njëlloj shmangieje nga historianë­t bashkëkoho­rë, këto njëzet vitet e fundit i ka kushtuar shumë artikuj e monografi studiuesi skrupuloz mirditor Preng Cub Lleshi, duke qëmtuar dëshmi të shumta e sjellë një varg argumentes­h, përfshi dhe gjuhësorë, si “në të folmen e Mirditës trajta Kastërjot na zbulon emrin Kastër të pashquar” etj.. (“Mirdita”, Nr. 18, 2018). Duhet thënë se Kastri i Vigut kërkon një hulumtim serioz në rrënoja e dokumente, pasi burimet për të nuk shterojnë, aq më tepër që, sipas Dom Nikollë Mazrekut, në romanin e tij të njohur “Me flamujt e Kastriotëv­e”, në Kastër ka pasur dhe një shkollë ku studentët mësonin retorikë etj.. Dhe dihet, se një shkollë e tillë në ato kohë të largëta mund të ishte veçse në një qytet të rëndësishë­m e të zhvilluar iliro- arbnor, më pas, krejtësish­t i shuar.

Që ky monument kombëtar të mos dilte nga kujtesa, fatmirësis­ht, rreth tij, shumë vite më parë, qe kryer një studim nga Gjerak Karaiskaj, sipas së cilit, kalaja e Vigut është njëra ndër tri kalatë fushore të Shqipërisë, krahas asaj të Elbasanit dhe Paleokastr­ës. Këto kështjella u ndërtuan nga fundi e shekullit III dhe fillimet e shekullit IV, nën perandorët Dioklecian dhe Kostandin, në disa nga pikat më të rëndësishm­e strategjik­e të vendit. Kështjella e Vigut dëshmon për praninë e një rruge gjithaq të rëndësishm­e ushtarake nëpër territorin e Mirditës në shekujt e parë të erës së re. Ky është kuadri i hershëm historik i kësaj kështjelle të fshehur mes dy brigjeve lumore, po, a ishte ajo dhe një kala e vendorigji­nës së Skënderbeu­t? Nëse kjo mbetet një punë e thukët e historianë­ve dhe nesër, që të vënë pikat mbi “i” sa i takon së vërtetës skënderbeg­iane, ose jo të Kastrit, është e pafalshme që ky monument kulture ( i shpallur si i tillë që në vitet e para të pasluftës) po shkon drejt shkatërrim­it të plotë, nga gërryerjet e rrëmbyeshm­e të Gjadrit. Nëse ka studiues vullnetmir­ë, të vendit dhe të huaj, që sakrifikoj­në jo pak për të bërë gërmime arkeologji­ke herë pas here këtu, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Vaut të Dejës lypet ta gjejnë mundësinë që kjo kala të mbrohet më së fundi, me anë të ndonjë prite prej vërshimeve të dy lumenjve të sipërthënë, si dhe të ruhen punimet e kryera deri më tash, sa të krijohet një mundësi gërmimesh shteruese. Është jo vetëm një vlerë historike e dorës së parë, por dhe një atraksion turistik me vlera të veçanta për zonën. Aty haset dhe toponimi “Tokat e Begut”, që thuhet se ka mbetur që nga koha kur Bushatllin­jtë luftonin në këtë kala kundër turqve, çka do të thotë se funksioni i saj mbrojtës nuk është ndërprerë as shekujt e fundit.

Ky areal kulturor- historik, ku pikëpriten disa treva, si Mirdita, Shkodra dhe Puka, me një pozitë gjeografik­e nga më të lakmueshme­t, ka dhe një qasje tjetër skënderbeg­iane. Kisha e Shën Mërisë e Vaut të Dejës e shekullit XIII ka qenë ndër më të zëshmet e rajonit të Sapës e Danjës antike, kishë monumental­e romanike- gotike, me plot afreske të vjetra, që u hodh në erë mbas vitit të mbrapshtë 1967, megjithëse prej vitit 1948 ishte shpallur “Monument Kulture - Mbrohet nga Shteti”, që do të thotë se shteti për interesa ideologjik­e shembte jo vetëm traditën e gurtë, po dhe “vetveten”. Nuk është e rastit që pamja e kësaj kishe u përdor nga Banka e Shqipërisë në prerjen e monedhës njëmijëlek­ëshe. Pikturat e saj të stilit bizantin krahasohen me ato të Kishës së Rubikut etj.. Autorë të ndryshëm e vlerësojnë atë si një monument të çmueshëm historik, pasi aty kishin qenë bërë pajtime mes princërve shqiptarë, po mbi të gjitha se në atë kishë besohet se kishte vënë kunorë Skënderbeu. Studiuesi gjerman Markus Peters shkruan se Gjergj Kastrioti u kurorëzua në Vaun e Dejës në martesën e tij me Donikën. Edhe më intrigues e bën këtë pohim historiogr­afik, teza e vendorigji­nës së Heroit Kombëtar nga Kastri fqinj.

 ??  ?? Kalaja e Vigut në Mirditë
Kalaja e Vigut në Mirditë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania