Panorama (Albania)

Apeli i babait: Shteti të më sjellë trupin, jemi të varfër

-

Familjarët e Anxhela Meçanit nga fshati Baltëz i Fierit i bënë apel shtetit t’i kthejë trupin e vajzës së tyre, pasi ata nuk kanë asnjë mundësi financiare për të vepruar vetë. Babai i 20- vjeçares, Dritan Meçani, theksoi se e bija ishte larguar në Itali rreth 4 vjet më parë me një djalë me të cilin e kishte njohur në rrjetin social “Facebook”, duke i thënë familjes se do të martoheshi­n. Pas largimit në Itali, sipas tij, e bija humbi gjurmët për disa kohë, duke mos pasur asnjë kontakt me prindërit. Por, siç thekson i ati, më vonë ajo u bë vetë e gjallë. Dritan Meçani shprehet se nuk kishin dijeni për ndonjë shqetësim të së bijës dhe se ajo u thoshte, jam mirë, sa herë që flisnin me të. Sipas tij, Anxhela nuk u kthye dot disa muaj më parë për t’i dhënë lamtumirën e fundit të ëmës, pasi nuk kishte dokumente për të ardhur. “Ne flisnim shpesh me të. Edhe një natë më parë se të ndodhte ngjarja, kemi folur. Nuk është se kishim shkëputur kontaktet me të. Pra, mund të kemi folur shumë pak orë para ngjarjes. Ne nuk kemi asnjë mundësi të shkojmë atje. Arritëm të flasim me ambasadën shqiptare në Itali dhe ata na kërkuan që të tërheqim trupin. Por nuk kemi asnjë mundësi ta tërheqim dhe u thamë atyre që të ndërhyjnë me shtetin tonë që të na e sjellin këtu, se ndryshe ne s’kemi mundësi. I lutemi edhe vetë shtetit që të na ndihmojë ta varrosim vajzën këtu”, u shpreh për “Panorama” babai i Anxhelës. Sipas tij, ajo u largua rreth 3 a 4 vjet më parë. “Nuk na pyeti kur iku. E kishte mbushur mendjen dhe tha do iki, se kam gjetur një djalë të mirë. E kam të dashur dhe do martohemi. Ne e besuam dhe nuk ia premë rrugën. Pas kësaj, ajo nuk na foli ca kohë dhe u bë vetë e gjallë më pas. Na tha që ishte mirë. Nuk më tregonte shumë gjëra për veten. Ndërsa vjet në fillim të vitit, më duket, na tha kam gjetur një njeri tjetër dhe jam martuar. Na tregoi që ishte italian dhe ishte njeri i mirë, vetëm se kishte moshë të madhe”, shprehet Dritan Meçani.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania