Panorama (Albania)

“Gjelat” këndojnë me teknologji, bie Australia

"Kangurët" meritonin më shumë, të besuarit e Deshamp pa shkëlqim

-

Ekipet në "Rusi 2018" kanë një aleat si VAR- i. Franca u bë e para që merr frytet e teknologji­së në Botëror.

"Gjelat" siguruan dje një fitore ndaj Australisë falë golave të Grizman dhe Pogba. Avantazhi transalpin erdhi me ndihmën e teknologji­së, e cila akordoi një penallti që nuk ishte vënë re nga arbitri Kunja. Edhe në rastin e golit të fitores franceze, përsëri drejtuesit të garës iu desh një ndihmë teknologji­ke për t'i njohur meritën Pol Pogbasë. Për një moment, Australia pati reaguar gjithashtu nga pika e bardhë ( gol Jedinak) pas një faulli të Umtitit, por me gjithë vullnetin, skuadra e Van Marvijk zor se mund të merrte më shumë nga sfida e djeshme.

Ndeshja - Ndeshja në Kazan u karakteriz­ua nga një atmosferë e ftohtë dhe pak emocione në fushën e lojës. E vetmja pjesë për t'u mbajtur mend ishte fillimi i francezëve që e nisën takimin me këmbën te gazi. Fillimisht, Mbape, që shpalos disa numra të repertorit të tij, e më pas Grizman, të japin idenë e një ndeshjeje në lartësinë e Botërorit, por ritmi bie me kalimin e minutave dhe emocionet e vërteta i dhuron teknologji­a. Hernandez dhe Leki janë të vetmet raste kur Australia mund të rrezikonte, por Loris bën detyrën pa shumë vështirësi. Për të zgjuar francezët duhet një goditje- kros e Risdon, por sidoqoftë materiali për t'u shpëtuar nga ky takim është në minimumin e mundshëm.

Kaq ishte Franca? - E thënë troç, Franca ishte gjithçka përveçse favorite në ndeshjen e djeshme. I vetmi që dhuroi siguri ishte Umtiti ( pavarësish­t 11- m të dhuruar), ndërsa të tjerët mund dhe duhet të bëjnë më shumë. Manovra e ngadaltë, vështirësi­a sulmuese dhe krijimtari­a e pakët ishin disa nga problemati­kat, të cilave Deshamp duhet t'u gjejë zgjidhje. Sulmi 66- vjeçar ( Grizman- Mbape- Dembele) dorëzoi armët në gjysmën e pjesës së dytë kur me hyrjen e Fekir dhe Xhiru, manovra ofensive u bë pak më e gjallë. Me futjen e dyshes, plus atë të Matuidit, Franca mundi të ndryshojë rrjedhën e lojës, por jo përshtypje­t e përgjithsh­me mbi debutimin e saj. Zemër australian­e - Australia vështirë se mund të bënte më shumë pasi është ajo që është, por zemra me të cilën të besuarit e Van Marvijk zbritën në fushë, me siguri që meritonte një shpërblim më të mirë. Ata nuk reshtën së sakrifikua­ri me shpresën që do të merrnin ndonjë fryt, mbase me goditje standarde me Lekin, por goditja e tij megjithëse e devijuar nga Toliso u ndal nga Loris. Kur ke kaq shumë vullnet e kaq pak mundësi duhet të presësh diçka nga fati. Nëse ndaj Francës nuk u buzëqeshi, Australia duhet të shpresojë në një shpërblim më të majmë ndaj Danimarkës apo Perusë teksa Franca, të paktën në grup, mund të mjaftohet edhe me të tilla paraqitje.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania