Panorama (Albania)

Pjesë nga libri autobiogra­fik "Shpenguar prej Krishtit"

-

Duhet të jetë diçka, për të cilën ia vlen të më zgjojë, përndryshe nuk do të guxonte. Në pesëmbëdhj­etë vjet martesë, nuk ka më asgjë të paqartë mbi oraret tona të gjumit. Ai fle me pulat dhe zgjohet me këndesin; unë rri natën vonë dhe fle deri vonë.

Ai vendos një copë të grisur të gazetës së atij mëngjesi mbi krevat dhe kthehet në kuzhinë. Nuk mund ta përmbaj dot kuriozitet­in. Ashtu e përgjumur, ngrihem ngadalë dhe kërkoj syzet mbi komodinën prej druri të errët te koka e krevatit. Ngre gazetën para meje dhe filloj të lexoj artikullin, për të cilin më ka zgjuar im shoq. Gazeta po kërkon histori "zemre" interesant­e për artikullin e posaçëm të Shën Valentinit, që është duke u afruar.

E pranoj. Ideja që historia jonë mund të përzgjidhe­t nga gazeta është

ngacmuese. Ndoshta im shoq ka të drejtë; ndoshta do të ishin të interesuar ta dëgjonin. Gjumi më del fare, ndërsa i kthehem sërish leximit të shpalljes. Sfida e vërtetë do të jetë ta përshkruaj me më pak se dyqind fjalë, sipas kërkesës së gazetës. Kam kaq shumë për të thënë. Nga do t'ia filloja, po të shkruaja diçka të tillë?

Ngrihem me vrull nga krevati dhe sjell artikullin e grisur tek im shoq, që vazhdon të lexojë gazetën te tavolina në kuzhinë, duke ngacmuar Bardhoshen me një laps të vogël.

- Kështu na u miqësokeni ju të dy çdo mëngjes? - i them, duke parë macen që përpiqet të nxjerrë me putrën e mprehtë lapsin e ngecur poshtë tabakasë rrotullues­e në qendër të tavolinës, që është në të njëjtën lartësi me banakët e kuzhinës.

- Vjen ashtu, si padashur dhe ulet mbi gazetë, duke më ledhatuar fytyrën me bisht, - thotë im shoq, pa u bezdisur aspak nga ndërprerja që i bën Bardhoshja rrjedhës së tij të mëngjesit.

- Femër hesapi! Si gjithmonë kërkuese, - i them, ndërsa i ulem në prehër me krahun rreth qafës.

Mezi pres që im shoq të ikë në punë, me qëllim që të bëj një provë me

historinë tonë. Një llaf goje! Ulem para kompjuteri­t dhe ia ngul sytë ekranit të bardhë për njëfarë kohe. Ai më shikon mbrapsht pa më thënë asgjë. Kam plot për të thënë, vetëm se duhet t'i rreshtoj mendimet me rregull.

Mbase më rreshtohen po të shikoj postën elektronik­e. E hap kutinë

lajmërimev­e të ardhura dhe njoftimi i një fotografe, në të cilën jam emërtuar, më kap vëmendjen menjëherë. Vendos të ndjek fillin për te faqja e adresës së vet. Omari, një nga shokët e mi më të ngushtë të viteve të shkollës së lartë, ka shpallur një fotografi bardhë e zi të disa prej të rinjve që morën pjesë në grevën treditëshe të urisë me shtatëqind e ca studentë në shkurt të njëmijë e nëntëqind

e nëntëdhjet­ë e një. Ndërsa shikoj me dhembshuri fytyrat e tyre të hequra dhe ? okët e gjata, më ringjallen kujtimet e një kohe dhe vendi të largët që më konfirmojn­ë thirrjen për t'i shkruar të gjitha.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania