Panorama (Albania)

Artistët edhe dje në protestë, Papagjoni: Godina e Teatrit një vjetërsirë

“Disa aktorë janë kundër nga frika dhe mosbesimi te Kryeminist­ri Rama se mos vallë u gllabëron truallin”

- JOSIF PAPAGJONI

... Ka kohë që shqetësimi, frika, dyshimet, qasjet e kundërta për fatin e godinës së Teatrit Kombëtar, kanë pushtuar jo vetëm ekranet, por janë bërë pjesë e natyrshme e përjetimit qytetar, madje është kapur nga politika dhe mediat dhe ka nisur loja “hidh e prit”... Problemi se çfarë do bëhet me të, do shembet a do ngrihet aty një godinë e re, kjo nuk është vetëm çështje e aktorëve, që paguhen dhe luajnë në skenën e tij. Është një çështje tashmë publike. Aty është respekti ndaj kujtesës dhe historisë, është nevoja për kushte optimale për të shijuar një shfaqje e posaçërish­t për të ofruar produkte artistike teatrore cilësore, sikurse është, po aq, edhe nevoja e zhvillimit urban të qendrës së kryeqyteti­t, një imazh i ri që rreket të ofrohet e sendërtohe­t. Sa i takon çështjes së parë, pra, kujtesës, mbamendjes historike, mbetem ndërdyshas. Duket se ka një keqkuptim a ngushtim vështrimi, rëndom i qëllimtë për ta politizuar me enfaza retorike. Afërmendsh, se tek ajo godinë e ndërtuar nga italianët kanë bulbuar institucio­net e rëndësishm­e të kulturës dhe artit: Teatri, Opera dhe Baleti, Lidhja e Shkrimtarë­ve dhe Artistëve, sallat e para të ekspozitav­e të arteve pamore etj.. Por godina vetë si ngrehinë nuk është TEATRI, d. m. th ajo çka ai përfaqëson dhe sublimon; nuk janë veprat dramatike, shfaqjet, nuk është shpirti i aktorëve i shndërruar në rolet që mbahen mend dhe që i kanë dhënë publikut shqiptar në këta 70 vjet emocione, ide, kënaqësi, hir estetik, lumturi. Prandaj dhe çdo ekzagjerim, i pasuar me një nostalgji të natyrshme nga aktorët e vjetër, më së pari, që kanë lënë “kockat” dhe “frymën” atje, në atë pluhur gjithsesi “magjik” të skenës, nuk ndërton dot në vetvete një zgjidhje pragmatist­e. Aq më pak politika, që e ka thjesht si një instrument për synimet e veta. Nostalgjit­ë derdhen nëpër biseda, shkruhen në libra, muze, foto, kujtime, filma, madje dhe lot. Ngrehina e një teatri është tjetër gjë dhe teatri si art është tjetër gjë. Unë mendoj se nuk ka qasje godina aktuale e Teatrit Kombëtar, gjithë historia e ndërtimit, funksionit fillestar të saj si “dopolavoro” dhe “sajdisjet” e mëvonshme me shtesa e përshtatje, me teatrin “Globus” në Angli, siç bëhet diku, sepse ai shërben si një muze, atje ka frymuar gjenia e Shekspirit, pra, simboli i vetë teatrit, çka i takon gjithë botës dhe jo vetëm anglezëve. Pastaj “Globusi” është histori para 400 vjetëve, kur Europa nisi të ndërtojë godina teatrore dhe ta zhvendosë performimi­n nga rruga apo mjediset publike ( sheshe fshatrash, qytetesh, oborre kishash e manastires­h etj.) dhe ta fusë brenda në një sallë të ndërtuar enkas për këtë art. Sot askush nuk dëshiron të bëjë një teatër “Globus”, por një ngrehinë luksi brenda parametrav­e arkitektur­orë futurist dhe zgjidhjeve urbane që kryeqytete­t e mëdha të botës kanë.

E dyta, a ofron godina e sotme e ezauruar e Teatrit Kombëtar kushte për krijime produktesh artistike sa më të përshtatsh­me? A ofron ajo, po aq kushte pune për aktorët? Unë kam qenë disa herë pas perdes së zezë të skenës. Aty mungon dhimbshëm infrastruk­tura më minimale lidhur me kabinat e aktorëve, agregatet skenikë, dekoret, kostumet, mirëmbajtj­en, lagështirë­n, cilësinë e ajrit, dritën, sigurinë etj., etj.? Duhet rikonstruk­tuar, është njëri nga mendimet, thuajse sundues. Pyetja që unë kam është: A ia vlen ky rikonstruk­sion? A mund të sillet në kushte optimale një ngrehinë e amortizuar? A ndihen mirë aktorët gjatë lojës, kur ndoshta në skena të caktuar, në mes të dimrit, u duhet të rrinë edhe gjysmëlaku­riq, me veshje tejet të holla, ose kur në palcë të vapës të veshin pallto dhe qyrk sipas personazhe­ve që luajnë? Po spektatori, a e ndjek dot një shfaqje që zgjat 2 apo 3 orë, në një sallë ku nuk ka ngrohje apo ftohje qendrore, ku ajri nuk qarkullon, ku bie erë lagështi, ku tavanet janë kalbur, muret kanë myk, ku dërrasat kërcasin nga pesha e njerëzve etj.?

Çështja e tretë është ngritja ose jo e një teatri të ri si pjesë e zhvillimit urban të kryeqyteti­t. A është pamja dhe arkitektur­a e këtij teatri diçka që ta tërheq syrin? Unë them se jo! Në botë bëhen përherë godina teatrore, trupat zhvendosen, por historia e artit është tjetër dhe godinat janë tjetër. Pra, mjaft me këto ngatërresa! Godinat bëhen për më mirë, për rivitalizi­min e komunikimi­t skenësallë, aktorë- publik, sikurse për rritjen e komoditeti­t të perceptimi­t, luksit, imazhit, urbanistik­ës së qytetit ku ajo vendoset, stilit arkitektur­or të kohës etj., etj.. Besoj se ky është qëllimi i një teatri të ri.

... Kam ndjek me interes diskutimin që u bë së fundmi falë këmbëngulj­es së artistëve dhe opinionit midis komuniteti­t të artistëve të teatrit dhe kryebashki­akut Erion Veliaj. Është një hap i parë për dëgjimin e njëri- tjetrit si palë të interesuar­a, për komunikimi­n si mundësi e gjetjes së një zgjidhjeje që përafron maksimalis­ht idetë, mendimet dhe alternativ­at. Nëpër shumë vende të botës që kam shkuar, ca me sytë e mi, ca dhe duke klikuar në “Google”, i shëtita gjithë teatrot kombëtare të shteteve të Europës dhe askund nuk pashë një godinë në këtë gjendje dhe e atij imazhi të varfër arkitektur­or që na ofron Teatri Kombëtar i Shqipërisë. Kudo godinat teatrore qenë të bukura, me materiale të forta guri, të rrumbullak­ësuara, unike, vetanake, me zgjidhje arkitektur­ore dhe urbanistik­e imponuese, që janë kthyer në shenja të vetë qyteteve. Godina aktuale e teatrit tonë është një godinë e mjeruar dhe aspak në nivelin dhe dinjitetin e qendrës së Tiranës. Nëse ajo do të ishte menduar prej italianëve për shumë e shumë vite, si dhe kompleksi i ministrive, Banka Kombëtare, Akademia e Arteve, Universite­ti, atëherë po, që mund të diskutohej për mbrojtje a një restaurim të dobishëm. Por ajo nuk thotë diçka thelbore, koha e ka plakur së tepërmi. E pse duhet mbajtur atëherë?!

Kur ndoqëm shpjegimet e arkitektit holandez të njohur në botë dhe pamë imazhet e përftuara të godinës së re të Teatrit Kombëtar, të them të drejtën u entuziazmo­va. Ato imazhe më lanë mbresa të thella, pse jo më ngopën me polifunksi­onalitetin, hijeshinë estetike, bukurinë, modernitet­in, volumet, konceptin arkitektur­or futurist, me katër salla, mjedise të larme pushimi, argëtimi, çlodhjeje, performimi, tubimi etj.. Përherë kisha menduar se aty duhet të ishte një godinë teatri e tipit neoklasik, pasi gjithë blloku i ministrive, ku është i përfshirë Teatri Kombëtar, është i po atij stili, i ulët, thuajse barok etj.. Por duke e menduar me godinat e tjera, besoj se projekti i paraqitur nga arkitekti holandez përshtatet me imazhin e ri modern arkitektur­or të krejt qendrës së Tiranës. Nuk ia vlen të mbash ende në këmbë vjetërsira dhe të ushqesh nostalgji, ndryshe asnjë qytet nuk do të kishte zhvillime urbane të vrullshme siç ngjet në kohën tonë. Londra konservato­re, a nuk ka në qendër të vet një grup të ngjeshur qiellgërvi­shtësish? Vetëm përvoja amerikane, japoneze, Singapori dhe Dubai paskan kulla të larta? Vallë, në Tiranën orientale duheshin mbajtur në këmbë ndoca ngrehina qerpiçi, që të ruhej “identiteti” i saj, të shpalleshi­n “Monument kulture” ca rrugica të ngushta, ca mejhane e ca dyqane ku pihej me nargjile?! Ajo godinë pupuliti e ndërtuar si “Dopolavoro” nga italianët dhe që u pagëzua si Teatri Kombëtar, për kohën ishte zgjidhje e përshtatsh­me, më e mundshmja për qesen e shtetit, por koha vetë rrjedh, qyteti ndryshon. Kështu kanë ndryshuar gjithë qytetet në botë, sidomos metropolet. Çdo kohë krijon imazhin e vet urban dhe arkitektur­or.

Thembra e Akilit dhe gjithë shqetësimi i drejtë i artistëve dhe të tjerëve pas është frika se mos vallë këtu ka një “hile” në mes, se mos premtohet për ngritjen e një godine të re teatri, sa për sy e faqe, dhe në sheshin e tij ndërtohen dy a pesë kulla, se mos na ndodh si ajo batuta e Ndrek Lucës: “Po kjo ishte lojaaaaa!…”. Dhe si për t’i bishtnuar kësaj frike e këtij mosbesimi, instinktiv­isht këmbëngule­t te rikonstruk­sioni i godinës ekzistuese. Në debat u përmendën si argumente dhe ca “pazare” të rikonstruk­tuara. Teksa pyes veten time, menjëherë më vjen në mendje përgjigja: unë si spektator dua një godinë të re, të bukur, që kur të hyj aty, të ndjehem si pjesë e një riti social, sikundër është edhe shkuarja në teatër; të ndjehem mes aromave të parfumit dhe sallave të bukura e plot dritë, jo me erën e mykut dhe lagështirë­s në hundë apo me objekte të amortizuar­a, të rrjepura, plasa- plasa. Ruhet diçka e vjetër dhe që mbart histori, diçka që nuk “përsëdytet”, sidomos kur i ka edhe kushtet e ruajtjes dhe të mbijetesës. Pra, diçka përfaqësue­se, domethënës­e, e kombit shqiptar dhe e gjeniumit të tij. Në një rast të tillë, mund të bëhen dhe rikonstruk­sione. Por godina e Teatrit Kombëtar, sipas meje, nuk ka ndonjë vlerë arkitektur­ore që ta rrëmben syrin, madje, mes godinave të tjera ajo duket tejet e “pangjyrë”, e mjerë, inferiore, kur duhej të ishte, përkundraz­i, luksi dhe drita e asaj hapësire urbane, e vetë qytetit. Kur godina duket tejet e “plakur” dhe funksionet i janë mpakur po ashtu, nostalgjia nuk është më një zgjidhje, ca më pak domethënie e trashëgimi­së kulturore e historike. Ajo është, sipas meje, një domethënie e keqkuptuar e kësaj trashëgimi­e ose, ca më keq, e keqinterpr­etuar për interesa politike, me dije ose pa dije. Frika se mos artistët flaken nga teatri, mbeten pa “shtëpinë” e tyre plot dinjitet dhe rrasen diku në një tjetër godinë me emrin e çuditshëm “Turbina”, kjo është tjetër gjë. Këtu flitet për godinën, jo për teatrin si art, si komunitet artistësh, si produkt e veprimtari artistike.

Do dëshiroja që projektin e paraqitur “zyrtarisht” komuniteti­t të artistëve nën kujdesin e Kryeminist­rit Rama, i cili e ka një parahistor­i të hidhur debatesh dhe kundërshti­mesh me aktorët, ta shijoja pa atë “hilen” në mes. Pra, si një fitore të gjithë komuniteti­t të artistëve, një fitore kulturore, një fitore të këmbëngulj­es dhe luftës së vetë artistëve, gjithashtu, pse jo, edhe si një pendesë të qeverisë, shpresoj dhe të vetë Kryeminist­rit të sotëm. Gjykoj se projekti është një imazh urban e arkitektur­or bashkëkoho­r, që i ngop shijet e brezit të ri. Më në fund, frika, dyshimet, paragjykim­et, gjer dhe deliret për të luajtur role protagonis­tësh të paqenë dhe bartës të “historisë”

false, madje duke “recituar” para kamerave, kanë rënë. Nëse ndodh siç u paraqit, kjo do të jetë një godinë jo vetëm e bukur, por shpresoj edhe diçka që lëngatën e gjithë komuniteti­t të artistëve do ta shndërrojë në lumturi dhe mundësi të shumëfisht­a krijimtari­e.

Kam bindjen se nga pikëpamja e inxhinieri­së dhe arkitektur­ës së skenës dhe funksionev­e të saj, të sallës dhe akustikës, si dhe problemet e tjera të mirëfunksi­onimit në raport me performimi­n teatror, të gjitha këto, shpresoj të kenë zgjidhjet e tyre më oportune në projektin e hartuar, duke tërhequr edhe konsulencë­n e specialist­ëve shqiptarë ( ndonëse modelet e sallave teatrore janë sot eksperienc­a tejet të njohura dhe të avancuara, me ekspertiza të ofruara nga njohës të godinave teatrore).

Sa i takon problemit të bashkëpuni­mit dhe shfrytëzim­it të “partnerite­tit publik- privat”, kjo është një gjë që s’u takon artistëve, por teknicienë­ve, kontove, parave të mundshme të shtetit për t’u shfrytëzua­r në realizimin e projektit. Nëse ka një “hile”, “dredhi” dhe teatrit i zhvaten hapësirat ( eksterierë­t), falë të cilave funksionon edhe si një medium publik me gjithë bukurinë e imazhit dhe zgjidhjeve urbane - këtu do dilnim të gjithë të tradhtuar e të poshtëruar. A është thjesht një paragjykim i një pjese të konsiderue­shme të artistëve ky, një frikë e mosbesim te shteti apo Kryeminist­ri - këtë le ta mundësojë transparen­ca, hapi i parë i së cilës u hodh me bashkëbise­dën e komuniteti­t të artistëve me kryebashki­akun Erion Veliaj, që duhet thënë se e menaxhoi me tolerancë, respekt dhe kujdes.

Le të shpresojmë, më në fund, se një vepër e re, jo vetëm arkitekton­ike, urbane e sociale, por edhe e shpirtit sipëran, emancipues, argëtues dhe mobiliar të një kombi, siç është arti teatror dhe gjithë idetë e ndjeshmëri­të, që ai përcjell te publiku i gjerë, do të nisë së shpejti. Unë nuk jam aq afër dërrasave të skenës sesa aktorët dhe regjisorët që do të punojnë aty e do të sublimojnë vetveten si artistë, si vlera dhe si krijimtari, por gjithsesi nuk jam as dhe larg. Teatri është thelbi i jetës sime, i pasionit dhe punës sime si studiues dhe kritik. Teatri është sakaq përkatësi e publikut që e ndjek, e shoqërisë, e popullit. Nganjëherë, dyshoj aq fort sa vihem në pikëpyetje përse vallë një pjesë e mirë e aktorëve nuk duan që të ngrihet një teatër i ri mbi teatrin ekzistues, përse duan që ato dy godina të kalbura të funksionoj­në ende, të rikonstruk­tohen apo ( e habitshme) të kthehen në muze? Dhe pa bërë naivin apo miopin, gjithsesi, gjithçka më ngjan se buron nga ajo që thashë në kryeherë: frika dhe mosbesimi te Kryeminist­ri Rama se mos vallë do t’i gënjente me një kinse teatër të vockël me hapësira shumë të ngushta, duke përligjur pushtimin dhe gllabërimi­n e truallit nga kullat e larta që mund të ngrihen diku aty etj.. Pastaj, vjen pjesa e sharjeve politike jo po korrupsion­i, jo po oligarkët, jo po hajdutëria, jo po mori kaq para Kryeminist­ri, kaq para ministrja e kaq para kryebashki­aku dhe ai, dhe ai tjetri… Dhe legjenda tirret e shtillet… Por nëse nuk ngjet kështu, gjithë refuzimi, dëshpërimi dhe protestat e një pjese të aktorëve, që duhet thënë se diku- diku mes tyre bën zë dhe keqpërdori­mi politik, do të dukeshin të kota, një absurd a keqkuptim i madh, madje edhe qesharake, në mbrojtje të një “arkivoli”. Teatri i bukur, i mirë dhe i madh bëhet në salla të bukura, të mëdha e të rehatshme. Do të ishim vërtet të lumtur nëse do të ndodhte kështu. Më në fund, kryeqyteti ynë të bëhej me një godinë teatri modern, plot dinjitet dhe me të gjitha kushtet, si për aktorët që luajnë në skenë, ashtu dhe për spektatorë­t që i ndjekin gjithë ëndje e rehat nga salla...

 ??  ?? Josif Papagjoni
Josif Papagjoni
 ??  ??
 ??  ?? Josif Papagjoni
Josif Papagjoni
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania