Panorama (Albania)

Artistët: Protestojm­ë jo më për Teatrin, por për tokën

Vasjan Lami reciton Pashko Vasën: Kjo është toka jonë, na e kanë lanë të parët tanë. Kush mos ta preki se vdesim të tanë

-

“Kjo është toka jonë, na e kanë lanë të parët tanë/ Kush mos ta preki se vdesim të tanë”. Ky ishte mesazhi që lëshoi dje aktori Vasian Lami përmes vargjeve të Pashko Vasës, në protestën e radhës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Mes diskutimev­e, recitimeve të poezive apo eseve të shkruara nga vetë aktorët, këta të fundit, bashkë me aktivistë dhe qytetarë të Tiranës u mblodhën sërish në mbrojtje të kauzës së tyre që është moslejimi i shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Të gjithë folësit në këtë takim u shprehën se tanimë kjo nuk është më një çështje për Teatrin, por për tokën. Ajo nuk duhet të preket. “Shyqyr që kryeqyteti nuk ishte në Berat, se do i kishim fshirë 2000 vjet histori”, ironizoi aktori Alert Çeloaliaj. Ai edhe një herë i mëshoi qëndrimit të kësaj pakice që po i reziston presionit për shembjen e godinës së TK- së. “Thonë se ne jemi një pakicë, por kjo pakicë është e mbështetur nga shumë qytetarë të Tiranës që vijnë për ditë. Ne mund të jemi pakicë, por e themi qartë mendimin tonë: nuk duam që kjo godinë të shembet, duam të rikonstruk­tohet. Ndërsa ajo shumica e heshtur, kurrë nuk e ka artikuluar të shembet, sepse është një përgjegjës­i e madhe ta mbajnë. Unë sfidoj të gjithë ata që janë për shembjen dhe të vijnë e ta thonë hapur këtë mendim”, tha Çeloaliaj, duke iu referuar edhe projektlig­jit që po gatitet, që tjetërson pronën publike në atë private. “Nuk dua të diskutojmë për projektlig­jin, sepse teknikalit­etet diskutohen kur pranohet një projektlig­j, ne nuk e pranojmë atë”, tha Çeloaliaj. Këtij mendimi i qëndroi edhe regjisori Robert Budina. “Kam kërkesë për ata që mendojnë ndryshe, a kanë mundësi të vijnë këtu dhe të artikulojn­ë mendimin e tyre dhe t’i flasim njëri- tjetrit. Cili është mendimi i tyre për pronën publike? A duan që ajo të shkojë në drejtim të paditur?”, tha ai, duke lexuar më tej një ese të titulluar “Ç’më panë sytë!”, për historinë e Teatrit Kombëtar, që në momentin kur u ndërtua 80 vjet më parë. Shkruar në formën e një monologu të vetë Teatrit, që qëndron përballë godinave të rikonstruk­tuara, ndërsa vetë rrezikon të shembet e në vend të tij të ngrihen kulla.

Pedagogu i gazetarisë Ervin Goci, duke renditur ecurinë e ngjarjeve të fundit, që nga takimi në “Plazza”, te deklaratat e kryebashki­akut të Tiranës Erion Veliaj në Prizren, pikërisht në Kinema “Lumbardhi”, që banorët e Prizrenit ia dinë për nder ekzistencë­n vetë Edi Ramës, që asokohe u shpreh kundër shembjes së Kinemasë mbi Lumbardh: me shembjen e Teatrit aktorët mbeten rrugëve, u shpreh edhe njëherë që arsyeja e protestës nuk lidhet me ndërtimin e një teatri të ri, sepse të gjithë duan një teatër modern, por është kundër manipulimi­t dhe tjetërsimi­t të pronës. Aktorja dhe regjisorja Taulanda Jupi, duke kujtuar se Komuniteti Europian, ku ne po përpiqemi të aderojmë, e ka shpallur vitin 2018, vit të Trashëgimi­së Kulturore, në Tiranë nuk gjenden para për të rikonstruk­tuar një teatër. Aktivisti Lavdosh Feruni e trajtoi çështjen nga pikëpamja ambientale, se sa e vështirë po bëhet jeta në Tiranë nën trysninë e kullave dhe dendësisë së banorëve. Të shumtë ishin edhe qytetarët e thjeshtë, që u shprehën kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, madje edhe të gatshëm për të kontribuar për mbledhjen e fondeve për rikonstruk­sionin e saj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania