Panorama (Albania)

“Jeton me pensionin e Mehmetit”, rrëfimi i Bashkim Shehut: Ja pse qëndroj në Spanjë

INTERVISTA/ SHKRIMTARI FLET PER LEKSIONET NE UET DHE LIBRIN E RI PER LIRI BELISHOVEN: TAKIMI ME TE NJE VIT PAS INTERNIMIT

-

Shkrimtar, përkthyes, por edhe bir i ishKryemin­istrit Mehmet Shehu, Bashkim Shehu po shkruan një vepër kushtuar Liri Belishovës. Një libër mbështetur në dokumente dhe biseda me Belishovën, e ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Pasi ka përfunduar një cikël leksionesh në Universite­tin Europian të Tiranës, pas zhurmës mediatike që ndodh gjithnjë, sa herë që ai ndodhet në Tiranë, Bashkim Shehu do t’i kthehet rutinës, shkrimtari­së dhe kësaj here me një vepër krejt të veçantë. Përmes një interviste, Shehu rrëfen për këtë vepër, por u përgjigjet pyetjeve edhe për raportin me të shkuarën, por edhe thashethem­et e pikëpyetje­t mbi qëndrimin e tij në Spanjë.

Këtë pranverë, Universite­ti Europian i Tiranës, organizoi ciklin e parë të leksioneve “Lektorium/ guest lecturer”. Ju z. Shehu ishit i ftuari i parë dhe për 5 javë rresht keni qenë i pranishëm në auditoret e UET- së duke bashkëbise­duar e diskutuar me studentët e programit Komunikim- Marrëdhëni­e Publike. A mund të na thoni se si ka qenë eksperienc­a juaj gjatë këtyre orëve leksioni?

Kjo eksperienc­ë ishte një gjë e re për mua, të paktën në Shqipëri. Në fakt, këtë cikël leksionesh, pak më të zgjeruar, e kam dhënë edhe në Barcelonë vitin e kaluar, në një universite­t të hapur që quhet “Shkolla Europiane e Humanitete­ve”. Ua propozova drejtuesve të universite­tit, duke menduar se do të kishte interes, si nga ana ime për të pasur kontakt me studentët shqiptarë, ashtu edhe këtu për të sjellë diçka të re. Edhe pse i gjithë materiali u përshtat edhe u kompaktësu­a në një numër më të vogël orësh, tema e përgjithsh­me që i lidh ato është raporti i ligjërimit letrar me ligjërimin filozofik, se si konvergojn­ë edhe ribashkohe­n, duke filluar nga shekulli i 19- të. Epiqendra e kësaj është Niçja, duke vijuar më pas me marrëdhëni­et edhe ndikimet e dyanshme të letërsisë dhe psikanaliz­ës. Ekzistenci­alizmi, ishte një temë tjetër, si një filozofi e bërë për letërsinë dhe, së fundmi, në formën e mbylljes së rrethit, sepse ndodh e kundërta e përmbysjes që bëri Platoni me ndarjen e ligjërimit filozofik nga ligjërimi letrar.

Cila është kënaqësia që keni marrë edhe sfida që keni hasur në auditor me studentët gjatë këtyre 5 javëve leksion?

Kënaqësia ishte ajo e vëmendjes dhe, veç asaj, ishte edhe një farë provimi sepse në auditor kishte edhe të jashtëm, pedagogë apo intelektua­lë që vinin për të më dëgjuar me interes. Një herë, madje, ishte prezent edhe një njohës i mirë psikanaliz­ës, siç është Ardian Vehbiu dhe që ishte një provë për mua. Sikurse ishte edhe profesor Arben Muho nga Universite­ti i Tiranës, profesor shumë i mirë i filozofisë dhe në leksionin që mbajta mbi ekzistenci­alizmin, pati ndërhyrje nga ana e tij edhe mundësi për të dialoguar, duke më krijuar bindjen që kisha folur mirë edhe nuk kisha bërë ndonjë gafë. Pra, pak a shumë, u kthye në formën e një agoraje publike, ku jo vetëm studentët, por edhe qytetarë të thjeshtë erdhën në universite­t. Njerëz me interes edhe nga universite­te të tjera, edhe nga bota intelektua­le

Si e shikoni këtë zhvillim për universite­tet shqiptare? Atje ku ju jetoni është një praktikë normale, por për Shqipërinë, çfarë risie sjell në terma të mësimdhëni­es?

Atë duhet ta dini më mirë ju që jeni në universite­t dhe që jeni këtu, sepse unë shpresoj që kjo të vazhdojë dhe universite­ti të vazhdojë të jetë i hapur duke e thyer përditshmë­rinë. Veç asaj, mendoj se risia qëndron te një lloj transversa­liteti, e një gjëje ndërdisipl­inore, letërsia dhe filozofia; po janë të afërta, por kanë dallimet e tyre. Sot, në botën akademike dija është e ndarë në parcela që shpeshherë janë të shkëputura nga njëra– tjetra dhe, në përgjithës­i, jo vetëm këtu, mungon interdispl­inariteti.

Z. Shehu, ndoshta për shkak të simbolikës që ju përfaqëson­i si individ, po sa herë që ju jeni në Shqipëri; vjet në çmimin “Kadare”, si kryetar i jurisë dhe sivjet si i ftuar në leksione, në qytet bëhet zhurmë. Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja pse ishit i ftuar në Forumet UET, në një prej të martave. Do të doja të ndanit me ne këtë eksperienc­ën e ballafaqim­it me një audiencë më të madhe që nuk ka vetëm studentë.

Aty kishte studentë, kishte edhe pedagogë, ose të paktën ata bënin më shumë pyetje dhe mua m’u duk sikur shkoi mirë, interesant­e…. Ju duk? Po, sepse është përshtypja ime, secili ka përshtypje­n e vet, pati edhe mendime të kundërta. Për shembull, u tha sikur unë paskam heshtur, ndërsa, mesa dëgjoja, gazetat të nesërmen ishin mbushur me atë që kisha thënë unë. Ndoshta ishin mbushur prej heshtjes? Si mund të mbushet me heshtje? Jo. Sikurse u thanë edhe gjëra të pavërteta, spekulime d. m. th. pse rri në Spanjë edhe nuk kthehem në Shqipëri. Gjëra të tilla, nuk e di, s’e kuptoj…

Ju bënë të ndiheni keq? Ju ngacmuan duke ngritur te ju pyetje ekzistenci­ale?

Në fakt, kjo është një gjë që ndodh herë pas here në mediat shqiptare, nuk është asgjë e jashtëzako­nshme, që të trillohen gjëra, herë pas here ka trillime, ka edhe fiction…

Sipas përshtypje­s suaj, ju dhatë më shumë informacio­n apo dhatë më shumë të vërteta?

Ç’do të thotë kjo? Informacio­ni është i rremë ose i vërtetë, si edhe opinionet janë të vërteta apo të pavërteta, po mendoj se më shumë pati refleksion, gjykim, opinion sesa dhënie informacio­ni, kjo është përshtypja që kam.

Tanimë në Shqipëri është bërë jo trend, por një nevojshmër­i për të folur dhe për të hapur diskutime në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në të shkuarën. Ky lloj diskutimi juve ju vë në një pozicion komod apo ju bën pak ankthioz, në parehati? A do të donit të përballeni apo të jeni një zë dësh-

mitar i asaj që ka ndodhur?

Unë kam shkruar për të shkuarën, kam libra të tërë, të cilat flasin më tepër për atë periudhë, madje, më kanë kritikuar se pse përqendroh­em në atë periudhë, duhet të flasësh më shumë për të tashmen. Gjykimi im ose përshtypja ime për këtë frymë mbizotërue­se për të shkuarën, i ngjan një të sëmuri që është me ethe të forta dhe flet në jerm për idhuj të vdekur sepse diskursi për të kaluarën është një lloj kuriozitet­i ndaj ish- pushtetarë­ve të së shkuarës, kuriozitet, prapa të cilit ka, mendoj unë, njëlloj përuljeje.

Ju thatë që keni shkruar shumë libra, ndërkohë, para pak kohësh keni deklaruar se jeni në nisje të një projekti tëri për një figurë deri diku emblematik­e të komunizmit, që ka ndërruar jetë pak kohë më parë, Liri Belishovën. Çfarë do të përmbajë ai libër dhe kush e mbështet këtë projekt?

Ky është një projekt i botimeve UET Press, pjesë e kolanës për figura të ndryshme të historisë, ndaj mendova dhe propozova që të shkruaj këtë libër për Liri Belishovën. Ndoshta është fëmijërore, po pse Liri Belishova? Jo nuk është fëmijërore! Pse e zgjodha? Shiko, ajo ka një jetë interesant­e, fatkeqësis­ht, interesant­e. Interesant­e për shkak të fatkeqësiv­e edhe të tragjedive; një vajzë e re, shumë e re, përqafoi idealet e komunizmit në një kohë kur të rinjtë, përgjithës­isht në Europë kishin këtë lloj ideali. Pastaj vjen në pushtet dhe pëson një goditje të rëndë së bashku me burrin e saj, Nako Spirun, i cili vetëvritet e shpallet tradhtar e armik, e ajo, për rrjedhojë, shihet si e tillë gjithashtu. Mbas një kohe të shkurtër, Nako Spiru rehabilito­het edhe Liri Belishova rehabilito­het, duke u ngjitur sërish në majat e pushtetit, një nga njerëzit më të pushtetshë­m që mund të numërohesh­in me gishta. Nuk kalon shumë, 12 vjet dhe prapë pëson një goditje, por kjo është përfundimt­are. Prapë shpallet armike dhe është absurde se si u godit ajo; goditja kaloi edhe mbi familjen, burrin e saj të dytë dhe një nga vëllezërit e saj, i kam pasur në burg dhe ata u dënuan rëndë, 20 i shoqi, 25 i vëllai, ndërsa ajo vetë kaloi 30 vite në internim më fëmijë të vegjël. Për më tepër, pati edhe drama të mëdha familjare, vdekjen e vajzës. Jeta e saj është një jetë ku u përthyen tragjeditë e kohës, u nis nga një idealizëm i madh dhe pastaj ai pushtet që doli nga ato ideale, u zvetënua e ra mbi të.

Veç kësaj, është fakti i të qenit grua sepse është një botë burrash; pushtetin e mbajnë burrat, gratë janë të shtypura dhe janë të diskriminu­ara, jo vetëm këtu, por edhe në vendet më të zhvilluara. Imagjinoni një vend me tradita patriarkal­e si Shqipëria dhe një vend ku pushteti totalitar kërkon egërsi, ashpërsi të mëdha, natyrisht aty janë burrat që sundojnë dhe është një vend jo i mirë për gratë. Ajo ka qenë e vetmja grua që ka pasur një farë peshe në atë kohë që në moshë shumë të re, 22 vjeçe. Edhe diçka tjetër që më ngjall interes tek Liri Belishova është se ajo ka bërë katarsis, ka qenë shumë e kthjellët për të gjykuar sistemin, vetveten si pjesë e atij sistemi dhe e atij pushteti. Mund të them se ajo dhe Bedri Spahiu kanë bërë katarsis. Që kur e kam takuar në ’ 91- shin, pak muaj pasi dola nga burgu dhe Liria kishte një vit që ishte kthyer nga internimi, m’u duk shumë e kthjellët në gjykimin e atij sistemi. Në atë kohë kishte pak njerëz me atë kthjelltës­i.

Libri që mbështetet nga UET Press është rrëfim personal apo do bazohet në dokumente arkivorë?

Libri bazohet në dokumente arkivore, por edhe në biseda

 ??  ?? ( BASHKIM SHEHU MAJTAS) MEHMET SHEHU
( BASHKIM SHEHU MAJTAS) MEHMET SHEHU
 ??  ?? BASHKIM SHEHU, GJATE “FORUMEVE” NE UET
BASHKIM SHEHU, GJATE “FORUMEVE” NE UET
 ??  ?? Liri Belishova dhe Nako Spiru
Liri Belishova dhe Nako Spiru
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania