Panorama (Albania)

Burri e masakron me sqepar: Donte lekë për pije

Gruaja invalide i shpëtoi sulmit: Më goditi barbarisht

-

MEMALIAJ- Një 57- vjeçare në Memaliaj i ka shpëtuar mrekullish­t sulmit të të shoqit me sqepar, teksa ai ishte në gjendje të dehur. Ngjarja ndodhi rreth orës 22: 00 të së dielës, kur Antoneta Myrtaj, e cila është edhe invalide, u dhunua barbarisht nga bashkëshor­ti i saj, Ferit Myrtaj. Ky i fundit u arrestua për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje. "Më gjuajti nga koka te këmbët me pjesën e pasme të sqeparit. Edhe mund të kisha vdekur, do isha harruar". Kështu e ka nisur rrëfimin e saj dje 57- vjeçarja, teksa ndodhej në spital. Goditjet i kanë shkaktuar asaj fraktura në kokë dhe trup. Sipas dëshmisë së dhënë prej së dëmtuarës, ngjarja ndodhi në shtëpi kur 65- vjeçari, në gjendje të dehur, është kapur me fjalë me të shoqen e më pas e ka goditur me anën e pasme të sqeparit. Në momentin kur bashkëshor­ti u kthye në banesë, ajo tregon se ndodhej te fqinja pranë dhe e ka gjetur atë teksa e priste jashtë derës së apartament­it. "Kur vajta në shtëpi, ai më priste përjashta. Nisi të bërtiste. I thashë mos bërtit se është turp. Më kërkonte lekë. Ai pi shpesh dhe kërkon lekë. Unë kam vetëm pensionin tim të invalidite­tit, kurse ai pensionin e minatorit. Do të të vras, më tha, dhe më goditi me sqepar. I lutesha, aman mos më vrit, çfarë të kam bërë. Por ai vazhdonte të godiste. U mbylla në banjë, ndërsa gjaku më rridhte. Thërrita me sa fuqi kisha ' ndihmë, ndihmë'. Erdhi Policia, shqeu derën e më morën me ambulancë. Ai ishte në shtëpi gjatë kësaj kohe. Ishte ulur dhe rrinte", rrëfen e plagosura.

Antoneta tregon se kalvari i saj i vuajtjeve ka nisur që në vitet e para të martesës. I shoqi pinte gjithmonë dhe e godiste atë. Por siç ajo tregon, mentalitet­i i kohës nuk e la që t'i jepte fund kësaj marrëdhëni­eje të dhunshme dhe me bashkëshor­t të alkoolizua­r. Me kalimin e kohës, situata, sipas saj, pati njëfarë përmirësim­i, por pesha e viteve dhe sëmundjet që kanë mposhtur fizikisht dy ish- minatorët e Memaliajt, e çuan Faikun sërish drejt alkoolit. "Kishte disa kohë që nuk më godiste. Kur qe i ri, më dhunonte gjithmonë. Ka pirë që kur u martuam. Ndaloi ca kohë, por që kur u sëmur nga këmbët, filloi prapë të pinte", thotë 57 vjeçarja. Dy ish- minatorët jetojnë të vetëm dhe të ardhura kanë pagesën e invalidite­tit të gruas dhe pensionin e minatorit të të shoqit. Gjendja e vështirë ekonomike ka rënduar më shumë situatën në familjen e tyre, duke e çuar 65vjeçarin sërish drejt pijes. An- toneta Myrtaj rrëfen se ata janë debitorë të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm. Prej tre vitesh po shlyejnë debitë e prapambetu­ra, çka ka rënduar së tepërmi ekonominë e tyre familjare, krahas vesit të të shoqit për alkoolin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania