Panorama (Albania)

Përdorimi i paganizmit për nxitjen e turizmit

- NDREK GJINI* * MA, National University of Ireland, Galway

Paganizmi shqiptar nuk është primitiviz­ëm e as barbarizëm, siç mundohen ta etiketojnë disa. Ai është...

vlerë etnokultur­ore, që duhet mbrojtur, konservuar e më pas promovuar për turistët e huaj dhe për brezat e rinj të Shqipërisë. Ruajtja dhe konservimi i tij është një detyrë e ngutshme si për komuniteti­n, ashtu dhe për pushtetin ekzekutiv e atë legjislati­v në Shqipëri.

Pa dashur të marr poza historiani apo etnologu, mund të them se paganizmi është ende gjallë në Shqipëri dhe se ai duhet ruajtur e konservuar si vlerë etnokultur­ore, prej së cilës mund të kemi veç përfitime në industrinë e turizmit.

Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europë, në mos i vetmi, ku, për fat të mirë, paganizmi ende jeton. Pushtimet e gjata që nga ato Romake e deri tek ato të dekadave të fundit në Europë, si dhe zhvillimet e vrullshme të këtij kontinenti, kanë fshirë çdo gjurmë paganizmi në këtë kontinent të vjetër. Arsyet se pse ai ka mbijetuar në Shqipëri janë të shumta. Në rrënjët e këtyre arsyeve gjenden histori turpi e krenarie, histori izolimi e vetizolimi, histori betejash të humbura e të fituara, gjendet harresë, kameleoniz­ëm, inate, vetmi, hatërmbetj­e e plot gjëra të këtij lloj. Por e rëndësishm­e është ajo që paganizmi këtu në Shqipëri është ende gjallë, ndërkohë që shenjat e trajtat e tij të fundit në Europë kanë dhënë shpirt para 30 apo 40 vjetësh në Skoci, Irlandë apo Norvegji.

Hapja e Shqipërisë si dhe zhvillimet e vrullshme të këtij vendi në këto afro tri dekadat e fundit kanë bërë që paganizmi shqiptar të plaket, dobësohet e lihet në harrese, duke e afruar atë drejt shtratit të vdekjes. Është për të ardhur keq. Por këto janë kostot e hapjes dhe zhvillimit. Këto janë ligje universale e për rrjedhojë, ne nuk mund të bëjmë përjashtim.

E vetmja gjë që mund të bëjmë ne, është një aksion i madh kombëtar për mbledhjen dhe konservimi­n e gjithë këtyre dokeve, zakoneve, traditave, këngëve dhe praktikave pagane të jetesës. Dhe kjo është urgjente, pasi janë brezi i 70- 80- vjeçarëve shqiptarë, janë muzeu i vetëm i gjallë i të gjithë këtyre gjërave që përmenda më lart.

Para pak vitesh, kur po shkruaja diserta- cionin që kishte të bënte me traditat zakonore të dasmave irlandeze në shekullin e 18- të dhe 19- të, m’u desh për disa muaj të hulumtoja nëpër disa arkiva e biblioteka të Irlandës. Aty mësova se Irlanda ka arkivin më të madh në Europë të folklorit me mjaft elemente pagane.

Por prapë unë mendoj se arkivi ende i gjallë shqiptar i paganizmit është shumë më i madh dhe më i pasur se ai. Në vitet 19371938, qeveria irlandeze, bazuar në një vendim që mori Parlamenti i këtij vendi, akordoi një fond dhe ndërmori një aksion të madh dyvjeçar për mbledhjen dhe grumbullim­in e kësaj pasurie folklorike dhe etnokultur­ore.

U angazhuan në të gjitha shkollat fillore, të mesme. Çdo nxënësi iu dha një fletore me shumë faqe dhe me kapakë të trashë, me një pyetësor mjaft të gjerë e të detajuar për çdo aspekt të jetës, traditave, zakoneve, këngëve, mënyrës sesi procedohej në kultivimin, korrjen apo ruajtjen e të korrave, zakonet e lindjes, dasmave dhe vdekjes, data, histori lokale, emra, fise, gjenealogj­i, pra, gjithçka. Për dy vjet rresht, të gjithë nxënësit e shkollave në Republikën e Irlandës, nën mbikëqyrje­n e mësuesve, i plotësuan këta pyetësorë, vunë në ta dhe mjaft foto, dorëzuan dhe objekte të vjetra e kështu me radhë. Një komision shtetëror bëri më pas seleksioni­min, skedimin dhe arkivimin e tyre në një ndërtesë të ndërtuar enkas për këtë qëllim. Dhe sot, pas kaq dekadave, Irlanda ia arriti edhe t’i dixhitaliz­ojnë këto arkiva, duke e bërë këtë vend ndër më tërheqëset në botë për turizmin me drejtim trashëgimi­në kulturore.

Ne tani jemi vendi i vetëm në Europë ku paganizmi është ende i gjallë. Ky është një shans fatlum dhe duhet shfrytëzua­r shpejt, pasi koha nuk pret. Pas pak vjetësh, një pjesë e mirë e këtij paganizmi do të ketë vdekur. Është koha të bëjmë atë që irlandezët bënë më 1937- 1938. Dhe ta bëjmë tani. Jam i sigurt se një investim i tillë në mbledhjen, ruajtjen dhe konservimi­n e vlerave, traditave dhe praktikave pagane, do t’i sjellë Shqipërisë së viteve 2018- 2028 më shumë turistë sesa deti apo bregdeti Adriatik dhe Jon të marrë së bashku.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania