Panorama (Albania)

Tritol makinës së policit, dyshohet për detyrën e tij

Dëmtohet automjeti, ngjarja para pallatit të efektivit

-

SHKODER - Një shpërthim me tritol, i ndodhur rreth orës 03: 00 në vendin e quajtur “Mëhalla e Re” në Shkodër, bëri që Agim Bushgjoka, me detyrë polic, të dilte për të parë se çfarë kishte ndodhur. Por, 50- vjeçari, në fakt, ishte vetë shënjestër e sulmit. Makina e tij “Mercedez Benz” ishte përthyer me një sasi të vogël tritoli, e cila ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës. Makina e Bushgjokës, punonjës i Drejtorisë Vendore në Shkodër, ndodhej e parkuar poshtë pallatit ku banon. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale në makinë. Mësohet se, Agim Bushgjoka është me detyrë polic zone në fshatrat Bardhaj dhe Grudë të Shkodrës. Policia ka nisur hetimet për zbulimin e autorëve dhe shkakun e sulmit me lëndë plasëse. Sipas të dhënave, ka qenë një shpërthim i fuqishëm që është dëgjuar edhe në disa lagje në largësi nga fillimi i unazës lindore në vendin e quajtur “Mëhalla e Re” ku ndodhi ngjarja. Menjëherë Bushgjoka ka dalë për të parë se çfarë ka ndodhur duke qenë edhe punonjës policie, por ka konstatuar se është një ngjarje që lidhej me të dhe se tritoli ishte vendosur në mjetin e tij. Bushgjoka nuk ka arritur që të identifiko­jë asnjë person si autor të mundshëm sepse ata janë lar- guar me shpejtësi. Pasi kanë vendosur tritolin poshtë makinës dhe kanë realizuar shpërthimi­n, autorët kanë arritur që të largohen pa lënë gjurmë. Nga veprimet e para rezulton se është një ngjarje e qëllimshme dhe se objektivi ka qenë pikërisht Agim Bushgjoka. Pista kryesore e hetimeve lidhet me detyrën e tij si punonjës i Policisë së Shtetit. Dy fshatrat që mbulon ai vitet e fundit janë përmendur shpesh në operacione policie për ndalimin e prodhimit apo trafikimit të lëndës narkotike. Por, nga ana tjetër, hetuesit ende nuk kanë më shumë informacio­n se cilët mund të jenë autorët e kësaj ngjarjeje. Agim Bushgjoka në dëshminë e dhënë për grupin hetimor që po punon për zbardhjen e shpërthimi­t, ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt që mund të ketë sjellë këtë ngjarje. “Nuk e kam idenë përse ka ndodhur. Unë nuk kam ndonjë problem me kënd. Nuk kam as ndonjë konflikt, ndaj nuk e di përse ka ndodhur. Unë dola për të parë se çfarë kishte ndodhur kur pashë se ishte dëmtuar makina ime. Kam mbetur i çuditur nga kjo ngjarje”, ka deklaruar efektivi i Policisë. Pavarësish­t kësaj dëshmie, forcat e policisë vijojnë hetimet ndërsa pistë kryesore për momentin është se Agim Bushgjoka mund të jetë sulmuar duke i vendosur tritolin te makina e tij për shkak të detyrës që ka si polic zone në fshatin Bardhaj dhe Grudë të njësisë Rrethina të Bashkisë Shkodër. Vendi ku ka ndodhur shpërthimi me tritol, sipas burimeve policore, nuk ka kamera sigurie dhe as subjektet e tjera aty afër nuk kanë kamera sigurie. Mungesa e kamerave të sigurisë ia vështirëso­n punën Policisë, duke qenë se është e pamundur të shihen lëvizjet dhe autorët e mundshëm që kanë vendosur tritolin në mjetin e policit Agim Bushgjoka. s. n

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania