Panorama (Albania)

Champions, Kukësi me fat, "peshkon" kampionët e Maltës

-

Kukësit i buzëqesh fati në turin e parë të Ligës së Kampioneve, teksa "peshkon" klubin maltez, Valeta. Goglat në Nion të Zvicrës i kanë rezervuar ekipit të Peter Pakult një sfidë me kampionët e Maltës, që në krahasim me rivalët e tjerë të mundshëm, duket ndoshta më i kalueshmi. Përpara se UEFA të hidhte shortin, skuadrat ishin ndarë në grupe në bazë të koeficient­it që kanë, duke u cilësuar si favorite dhe jofavorite. Kukësi do të kishte kundërshta­r një mes klubeve si Spartak Trnava ( Sllovaki), Valeta ( Maltë), Alashkert ( Armeni), Sutjeska Nikshiq ( Mal i Zi), Spartaks Jurmala ( Letoni) dhe Flora Talin ( Estoni). Nga këto klube, Kukësi ishte përballur më parë vetëm me estonezët, madje duke debutuar në Kupat e Europës me një barazim 1- 1 në Talin, që i hapi rrugën kalimit historik të tri tureve radhazi. Gjithsesi, te Kukësi duhet të ndihen me fat, sepse kanë "peshkuar" një rival të kalueshëm, nisur edhe nga niveli i kampionati­t maltez. Në një kompeticio­n si Champions, kurrë nuk mund të bëhen llogari, pasi surprizat nuk mungojnë që në turet e para, por skuadra e Pakult, nisur nga kundërshta­ri që ka përballë, s'duhet ta diskutojë kalimin e turit. Ndeshjen e parë, Kukësi do ta luajë si pritës në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës. UEFA ka përcaktuar datat 10 dhe 11 korrik për takimet e para, ndërsa ato të kthimit më 17 dhe 18 korrik. Kjo është hera e dytë që Kukësi merr pjesë në Ligën e Kampioneve, me ndryshimin se këtë edicion nuk vjen si fitues i titullit, por vendi i dytë në kampionat për sezonin 2017- 2018. Verilindor­ët janë në Champions në vend të Skënderbeu­t, që UEFA e ka dënuar me 10 vite përjashtim­e nga kompeticio­net europiane. Në edicionin e kaluar, Kukësi debutoi në Champions kundër moldavëve të Sherif Tiraspol, duke fituar 2- 1 në "Elbasan Arena", por ky rezultat nuk mjaftoi për kualifikim­in.

AGOLLI SI RIVAL

UEFA shortoi dje edhe çiftet e turit të dytë të Ligës së Kampioneve, që do të përcaktohe­n pas përfundimi­t të turit të parë. Në rast kualifikim­i ndaj maltezëve të Valetës, atëherë Kukësi do të luajë në turin e dytë me fituesin e çiftit Olimpija Ljubljana- Karabak. Pa dyshim, klubi azerbajxha­nas ku bën pjesë prej shumë vitesh kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, është favorit për këtë takim dhe nuk përjashtoh­et mundësia që të kemi një përballje Karabak- Kukësi. Megjithatë, duhen pritur ndeshjet e turit të parë, me Kukësin që ka detyrim kualifikim­in. Në rast se skuadra e Pakult dështon, atëherë ka edhe një shans tjetër, këtë herë në turin e dytë të Ligës së Europës. Misioni Champions ka nisur dhe Kukësi do të tentojë që përmes kualifikim­eve në këtë kompeticio­n, të kapë grupet e Ligës së Europës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania