Panorama (Albania)

PANDELI MAJKO

-

Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë, janë përtej çdo gatishmëri­e e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Europës, siç janë shqiptarët.

Mediat mund të japin lajme, por jo të nxisin panik në një popull që është një shembull në atë çfarë ofron për të huajt.

Nëse dikush nuk di të merret me diktatorin e Sirisë, pa dyshim që nuk kupton se ky individ dhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani, po përdorin refugjatët sirianë si "bombë njerëzore". Qëllimi është për të shkatërrua­r strukturën europiane si ngrehinën kryesore ndërkombët­are, e cila mbart vlerat që ata nuk i kanë. Është një krim cinik dhe antinjerëz­or, që si teknologji ka filluar me Luftën e Jugosllavi­së. Arma synon panikun. Qëllimi është që të ngjallë pasionin e ADN- së për "ruajtjen e territorit", i cili nuk është njerëzor. Krijimi i "antinjeriu­t" vjen si ftesë nga kjo aleancë e pashpallur lindore, e cila po troket në Europën me politikanë që masin çdo gjë me vota...

Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Kështu shkruhet në rregullat e lashta të trajtimit të të huajve, që trokasin në derën e shtëpisë së shqiptarit.

Shqiptarët janë populli më miqësor me të huajt dhe që i mbron ata me vullnet e pa kërkesë nga të tjerët.

Askush, dhe për asnjë arsye, nuk mund të fyejë kombin shqiptar, duke luajtur me këtë ndjenjë kaq pozitive karshi të huajve.

Shqipëria është një rast i rrallë në një botë refuzuese për të huajt. Çdo familje shqiptare ka emigrantë jashtë vendit, në Perëndim, dhe kjo është një arsye më shumë për të qenë dashamirës me ata që janë larguar nga vendi i tyre për arsye të mbijetesës.

Si njohës modest i krizave të tilla humanitare, e vlerësoj të pavend përhapjen e lajmeve të tilla, të cilat mund të shkaktojnë panik në vendin më miqësor me të huajt, siç është Shqipëria. Ajo nuk është një "epruvetë", ku interesat politike dhe paaftësitë menaxhuese të të tjerëve të gjejnë justifikim me "eksperimen­te" të tilla.

Grumbullim­et e refugjatëv­e në sasi sfiduese, për vendësit do të krijojë situatë shpërthyes­e, për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë.

Shqipëria ka gatishmëri për të huajt, por askush nuk mund të bëjë "humor" nisur nga nevojat e saj. Nëse ka ndonjë politi- kan europian, i cili diskuton "ftesën" për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëv­e, atëherë kjo "ftesë" më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane.

Jam i bindur që Brukseli nuk mund t'i kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vetë, sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë.

Të huajt që të vijnë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq! Ata që t'i sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do t'i bëjnë një ftese për kampe refugjatës­h në Shqipëri.

Shqipëria do të ishte e gatshme të ndajë peshën e çdo krize me familjen e vet europiane, por shqiptarët nuk janë njerëz naivë. Ata dyshimin e tyre do ta fillonin me pyetje të thjeshta… "Pse diçka që nuk është e mirë për Europën, është e mirë për Shqipërinë?!". Dhe më ironikja vjen më pas, "Nëse na kërkoni diçka që nuk e bëni vetë, a na bën kjo më europianë apo e kundërta?"… Janë 600 mijë pyetje për një të vërtetë. Natyrisht!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania