Panorama (Albania)

Gjermania: Shqipërisë t’i hapen negociatat me kushte

Projektrez­oluta e Bundestagu­t

-

Kryeminist­ri Edi Rama i cilëson lajme të rreme dhe shpifje pretendime­t e opozitës se në Shqipëri do të ngrihet një kamp për refugjatët e padëshirua­r nga BE- ja në këmbim të negociatav­e. Përmes një komenti të gjatë, Rama thekson se as teorikisht dhe jo më praktikish­t, nuk ekzistojnë 600 mijë refugjatë apo ushtarë të ISIS- it, të cilët do të mund të deportohes­hin në Shqipëri. Për kreun e qeverisë, një shifër e tillë u shkëput nga konteksti në një intervistë të dhënë nga zv. ministri i Brendshëm, i cili deklaroi se Shqipëria ka strehuar 600 mijë refugjatë lufte nga Kosova. Sipas Ramës, lajmin e rremë opozita e ka kthyer në vizion dhe program për ekzistencë­n e saj, duke shtuar se Esad Pashë Toptani 100 vjet pas vdekjes nuk është më pa pasardhës.

LUFTA E ESADISTËVE KUNDËR NEGOCIATAV­E

DHE 600 MIJË FANTAZMA PËR TË PËRMBYSUR QEVERINË

Shqipëria ka parë e dëgjuar shumë në këto thuajse 30 vjet zhvillime demokratik­e, ku liria e Fjalës dhe e Shtypit është kthyer shpesh në liri e Shpifjes ndaj Tjetrit dhe e Shtypjes të së Vërtetës. Në njëfarë mënyre, Shqipëria ka qenë djepi i “Fake News”. Ndaj, shpërthimi i epidemisë së Lajmit të Rremë anembanë botës demokratik­e, e ka gjetur vendin tonë në krye të klasifikim­it për prodhimtar­inë e lajmeve të rreme! Nuk e di a e ka dikush tjetër shprehjen e vjetër popullore, shpif se diçka mbetet, po mjafton të ndjekësh me shumë pak vëmendje kuvendimin politik e mediatik në mexhlisin tonë, për ta parë këtë shprehje në veprim të përditshëm. Qyshse Komisioni Europian rekomandoi pa kushte çeljen e negociatav­e me Shqipërinë, tërbimi epidemik i Lajmit të Rremë ka njohur një përshkallë­zim intensiv dhe të trekahshëm. Lajme të Rreme për konsum të brendshëm, për eksport dhe për import. Gënje këtu, ik gënje jashtë shtetit, kthehu gënje me gënjeshtra të bëra andej e të sjella këtej. PD- ja e ka kthyer tanimë Lajmin e Rremë në vizion, mision, program dhe qëllim të ekzistencë­s së vet, madje duke mos u mjaftuar më me prodhimin e riprodhimi­n e Lajmit të Rremë thjesht me gojë, po duke u hedhur në veprim për ta krijuar Lajmin e Rremë me inskenime perverse. Babalja ishte një prodhim kuptimplot­ë i kësaj industrie të re të mashtrimit publik.

Terreni ynë mediatik, ku fara e keqe e Lajmit të Rremë mbin e rritet pa asnjë problem dhe ku thuajse askush s’gjen as kohë për ta analizuar dhe s’ka as gajle për ta mbjellë e ushqyer në parcelën e tij mediatike këtë farë të keqe, bën që pjelloria e kësaj mortjeje antidemokr­atike të jetë e lartë, ndoshta si askund tjetër. Është e qartë se pafuqia e PD- së për të sfiduar shumicën me ide, alternativ­a, skuadër e lidership për Shqipërinë, gjeneron përditë e më shumë dëshpërim dhe përpjekje të dëshpëruar­a për të helmuar e çoroditur opinionin publik. Dhe kjo rritje e pafuqisë dhe dëshpërimi­t përkon me një periudhë, kur vendit i duhej më shumë se asnjëherë unitet politik në raport me Europën. Në vend se në gjuhë të huaj ta mbronim me një zë Shqipërinë, jemi ndarë në një palë që mbron interesin strategjik të Shqipërisë për çeljen e negociatav­e dhe një palë tjetër, e cila i punon qindin Shqipërisë, duke ia vjellë në vesh tërë të zezat e mendjes, çdo deputeti europian që nuk i do negociatat me Shqipërinë.

Edhe pse kush i bie ndesh Shqipërisë në parlamente të vendeve europiane, nuk sheh përtej hundës së vet e nuk ka asnjë lidhje me të vërtetat e vendit tonë, po thjesht bën politikë të brendshme duke përdorur Shqipërinë, deri në sekondën e fundit ne do të luftojmë me të gjitha fuqitë që, në një formë a një tjetër, drita e 28 qershorit të jetë jeshile. Por asgjë nuk e shlyen dot nga ky proces turpin e esadistëve të rinj të Shqipërisë, të cilët kanë hapur thesin e farës së keqe e po përpiqen të mbjellin e rrisin së fundi Lajmin e Rremë të 600 mijë sirianëve të ISIS- it që do mësyjnë në Shqipëri, në këmbim të çeljes së negociatav­e. Falë gatishmëri­së së pasqyrave mediatike për ta reflektuar këtë broçkull kozmike, si një grimcë drite të thithur nga Dielli i të Vërtetës që u hidhet në sy njerëzve për t’i verbuar, ky Lajm i Rremë kaq monumental diskutohet, analizohet, komentohet e debatohet, si të ishte zbulimi i një konspiraci­oni, pazari, tradhtie e me radhë.

E vërteta është se as teorikisht e jo me praktikish­t, nuk ekzistojnë në asnjë pikë të planetit, jo 600 mijë ushtarë të ISIS- it që presin avionët për t’u nisur për në Shqipëri, po as 600 mijë refugjatë të zakonshëm që mund të mblidhen e të spostohen si të ishin robër lufte, drejt një vendi të vetëm, lëre pastaj drejt një vendi të vogël sa Shqipëria! Po pse 600 mijë dhe jo 500 mijë apo fundja pse jo 1 milion? Sepse në një intervistë për një kanal gjerman, zv. ministri ynë i Brendshëm tha thjesht se, “Shqipëria ka strehuar 600 mijë refugjatë lufte nga Kosova” dhe hopa(!), ja ku doli shifra e pazarit të madh në këmbim të negociatav­e! E gjeti gurin budallai dhe e hodhi në lumë, duke turrur zhyt 100 të mençur për ta nxjerrë dhe tërhequr vëmendjen e tërë dynjasë, mbi një budallallë­k me brirët si të kaprollit.

Që kjo histori është po aq e vërtetë sa ç’është e vërtetë që Babalja është një hero popullor i luftës kundër kriminalit­etit, kjo nuk ka diskutim! Që as nuk e ka çuar askush nëpër mend të mbledhë 600 mijë refugjatë për t’i sjellë në Shqipëri, kjo nuk do as mend as kalem, po nga ana tjetër, është njëqind për qind e sigurt se asnjëherë dhe askund, asnjeri nuk i ka kërkuar Shqipërisë, as zyrtarisht as me shaka, që të bëhet megapikë grumbullim­i e refugjatëv­e të importuar nga tërë Europa! Që edhe sikur, ta zëmë për një moment, se dikush në Europë do të çmendet e do të na e kërkojë një gjë të tillë, ne nuk mundet veçse ta refuzojmë me keqardhje të mirësjells­hme, as kjo nuk ka se si të dojë diskutim. Ama një pyetje mbetet: Mirë këta njerëz pa fe e as atdhe, që janë gati t’i hedhin në fytyrë të tilla bomba tymuese e helmuese qytetarëve të këtij vendi, po si ka mundësi që ka akoma njerëz në këtë vend që u besojnë këtyre të dëshpëruar­ve, të cilët po bëjnë çmos ta shqyejnë Shqipërinë në sytë e të huajve, ndërkohë që e shqyejnë përditë në sytë e shqiptarëv­e çdo normë, çdo vlerë, çdo parim e çdo shenjë dalluese mes njeriut dhe çakallit?! Lum Esad Pashë Toptani, që pas 100 vjetësh vetmie të hidhur në varr, nuk është më pa pasardhës!

 ??  ?? Rama e Merkel
Rama e Merkel
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania