Panorama (Albania)

Berisha as nuk tentoi. Edi Rama po bën gjithçka për të hyrë në histori

- ARIAN ÇANI

Gjatë gjithë këtyre javëve kam lexuar me...

vëmendje analiza, shkrime, reagime, përsiatje, komente, qëndrime dhe editoriale rreth shembjes me ligj të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit aty të një monstre gjasme moderne dhe shumë kullave brenda dhe rreth e rrotull hapësirës private e publike, ku ndodhet godina e bukur e Teatrit. Jam pothuajse totalisht dakord me Aurel Plasarin, Preç Zogajn, Artan Fugën, Mark Markun, Agron Gjekmarkaj­n, Andi Bushatin, Armand Shkullakun, Andi Bejten e shumë e shumë pena profesioni­ste në këtë vend, pena që i respektoj dhe i lexoj me shumë kënaqësi edhe kur s’jam dakord me ta ndonjëherë. Por në rastin e TK- së, argumentet dhe sjellja e tyre në sytë e publikut, ishin aty, të qarta, të sakta, të plota, të thjeshta. Nuk i hiqje dot asnjë presje. Pothuajse të gjithë dhe secili në mënyren e vet, hidhnin dritë rreth thelbit të kësaj drame që po përjeton ajo godinë fisnike. Afere e pastër trafiku influence, përfitimi, antikushte­tuese etj., etj... Por një detaj nuk ma zuri syri në gjithë këto shkrime këto kohë. Pikërisht arsyen e vërtetë perse Rama kërkon ta fshijë atë godinë plot histori nga aty dhe të ndërtojë një të re dhe moderne, pa histori. Nuk pretendoj se e kam gjetur arsyen e vërtetë, por në mend më erdhën disa udhëheqës, pse jo dhe në vende me demokraci të zhvilluar, të cilët çfarë nuk kanë bërë për të hyrë në histori. Mjafton të kujtojmë debatet dhe sherret pa fund 100 e ca vite më parë, kur elita e Parisit u nda më dysh e më tresh deri sa një krijesë e tmerrshme metalike me bulona gjigante u ngrit në mes të Parisit. Ju do më thoni: dakord, por Eiffel- i nuk prishi asgjë në vendin ku u ndërtua kulla. Dakord. Por debati ishte nëse duhej lejuar në një qytet si Parisi të ngrihej një hekurishte aq gjigante? Debati vazhdon ende edhe sot dhe nuk është e thënë që parisienët të jenë të gjithë të dashuruar me këtë monstër kaq të bukur. Shumë më vonë, ish- Presidenti François Mitterand u përplas me shumë njerëz te iluminuar, të cilët nuk donin që në oborrin e Louvre- it të ngrihej një piramidë xhami. Mora dy shembuj të vegjël, pasi ato janë pa fund në historinë e qytetërime­ve në këtë planet. Dua të them se, më shumë se paraja dhe interesi i ditës, perandorët e vjetër dhe modernë, diktatorë apo të ndritur, kanë synuar gjithmonë të lënë gjurmën dhe emrin e tyre nëpërmjet veprave me gurë, hekur, beton, xham apo ku di unë se çfarë. Përse të mos e tentojë dhe Edi Rama në këtë katund? Vetëm një gjë i detyron pushtetet të tërhiqen: Qytetarët që mblidhen dhe rezistojnë me qetësi në një masë kritike mu aty, në shesh. Te sheshi i Teatrit Kombëtar. Deri tani, nuk duket se ata janë mbledhur mjaftueshë­m që ta detyrojnë Edi Ramën të tërhiqet. Dhe po vazhdoi kështu, Edi Rama ka gjithë të drejtën të ëndërrojë që, shumë shpejt dhe madje në të gjallë të tij, Tirana të mos quhet më Tirana që ndërtuan italianët, por Tirana që ndërtoi Edi Rama.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania