Panorama (Albania)

Lubonja në protestë për Teatrin: Godinat e shenjta nuk shemben

"Të gjitha këto argumente i kemi thënë, por, nga ana tjetër, kemi një arrogancë absurde, si gjethe fiku që nuk mbulon shumë"

-

Analisti Fatos Lubonja i është bashkuar dje protestës për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, e cila rrezikon të shembet për t'i lënë vendin një projekti nga partnerite­ti publik- privat.

Lubonja numëroi argumentet se përse kjo ndërtesë nuk duhet të shembet. Sipas tij, ajo është, jo vetëm një pikë referimi, por një vend i shenjtë dhe se është e pamundur të ndërtosh diçka tjetër të shenjtë, kur atë nuk e do gjysma e popullsisë. Duke sjellë rastin e një ambientali­steje amerikane, e cila jetoi dy vjet mbi një pemë që të mos lejonte prerjen e saj, Lubonja kërkoi rezistencë, që do të sillte shembullin e respektit dhe dashurisë për qytetin, ku shumë pak gjëra të bukura kanë mbetur. "Një nga argumentet, pse kjo godinë nuk duhet të prishet, është historia që paraqet kjo godinë, respekti për kujtesën, pasi është një pikë referimi për qytetarët; është argumenti i historisë së arkitektur­ës që përfaqëson kjo godinë; është argumenti i nevojës për të ruajtur godinat historike, që po i shkatërroj­më me shpejtësi dhe ne nuk e kemi luksin, të shembim një teatër; është argumenti i ruajtjes së hapësirave publike dhe të gjelbra, që ne i kemi më pak se kushdo tjetër. Një tjetër argument lidhet me anën ligjore të kësaj grabitjeje të pronës publike; me nëpërkëmbj­en që na bën të ndihemi të fyer, të poshtëruar në identiteti­n tonë. Këto argumente janë thënë dhe përballë këtyre kemi vetëm atë që kjo ndërtesë është e vjetër dhe nuk është në gjendje te mirë. Por sot, ne jemi këtu dhe unë ndihem shumë mirë, pasi ka një dimension njerëzor, ku mund të mblidhemi për gjëra të tjera të bukura", tha Lubonja. Sipas tij, në një vend ku shumë shqiptarë nuk kanë para të paguajnë dritat, nuk e kemi luksin të shembim godina të vjetra e të ndërtojmë të reja. "Ne jemi një vend i varfër dhe s'kemi luksin pse të prishim një teatër për të ndërtuar një tjetër. Nëse kemi aq para të ndërtojmë një tjetër diku, se Tirana ka nevojë për shumë teatro. Në Firence ka 33 teatro dhe ka 500 mijë banorë. Por do sillja si argument edhe faktin që një teatër është pak a shumë një vend i shenjtë. Siç është kisha apo xhamia, por jo vetëm si shtëpia e Zotit, si janë ato, por si shtëpia e artit. Kur Gëte flet për të shenjtën, e shpjegon si diçka që bashkon e shumë shpirtrave. Dhe ne kemi nevojë për t'u bashkuar përtej ndarjeve politike. Nuk mund të ndërtosh një gjë të shenjtë, kur ke gjysmat e shqiptarëv­e kundra, nuk mundesh!", tha ai. Por kur kthen kokën pas dhe analizon se përse ndodh kjo gjë, ai thotë se shumë vendime janë marrë nga lart, poshtë. "Nëse duam të bëjmë një gjë të shenjtë, duhet ta mbrojmë", tha Lubonja, duke sjellë shembullin e një teatri në Pragë, i cili pasi u shemb gjatë Luftës së Dytë Botërore, qytetarët e Pragës, gratë e Pragës dhanë bizhutë e tyre për ta rindërtuar atë. "Të gjitha këto argumente i kemi thënë, por nga ana tjetër kemi një arrogancë absurde, si gjethe fiku që nuk mbulon shumë". Por në momentin kur përpara kësaj arrogance fjalët janë pak dhe kërkohen nisma konkrete, Lubonja thotë se duhet rezistencë, por pyetja është si? "Sa herë e kujtoj nevojën për rezistencë, sidomos në këto kohëra kur përpiqemi të ngremë demokracin­ë, kulturën kundër dhunës, më vjen në mendje ambientali­stja amerikane, Julia Butterfly Hill, veprimi i së cilës më ka lënë pa mend. Kur një kompani amerikane donte të shkatërron­te një pyll shekullor, ajo hipi në një pemë që ishte 1500 vjeç dhe ka ndenjur mbi të dy vjet. Ishte 25 vjeç kur hipi në atë pemë, që e quajtën "Luna". Kur gjatë një interviste e pyetën se çfarë i dha forcë, ajo tha: dashuria. Ky problemi i dashurisë është problem i madh. Janë pak ndërtesa që mund t'i duam ku kemi kujtime, fëmijërinë. Kam hyrë në këtë ndërtesë kur isha i vogël, kam parë "Hamletin". Ka dhe histori të shëmtuara kjo godinë, edhe ato duhet t'i dimë. Por kjo është jeta jonë, duhet ta duam atë. Ndaj ky është një moment përtej mbrojtjes së ndërtesës. Nëse e mbrojmë atë, do të jepni një mesazh shumë të rëndësishë­m për respektin për njëri- tjetrin, për dashurinë për qytetin tonë, ku janë shkatërrua­r shumë gjëra, por gjërat e bukura nuk mund të prishen. Kush do të ndërtojë, mund ta bëjë këtë gjetkë. Është mëkat të prishet kjo ndërtesë. Nëse do kisha gjë në dorë, do kisha shembur këto godinat këtu, jo këtë dhe aq më pak të ngre grataçiela, që janë një shëmtim estetik i qytetit. Nëse do ndërtohet një mashtab me grataçiela në këtë zonë, këto pjesë historike do duken si lodra fëmijësh. Do të ndodhë një masakër e paparë. Nuk e di se çfarë mendjesh mund ta imagjinojn­ë këtë", tha Lubonja.

 ??  ??
 ??  ?? Fatos Lubonja, dje në protestë
Fatos Lubonja, dje në protestë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania