Panorama (Albania)

Burg përjetë vrasëses së emigrantëv­e

-

Një gjykatë gjermane të mërkurën e gjeti fajtore të pandehurën kryesore në një gjyq neo- nazistësh të profilit të lartë, për vrasjen e 10 vetëve, shumica prej të cilëve emigrantë. Vrasjet kanë ndodhur nga viti 2000 deri në vitin 2007, në raste që kanë tronditur Gjermaninë dhe kanë nxitur akuza racizmi institucio­nal në agjencitë e sigurisë së vendit. Gjyqtarët e dënuan Beate Zschaepe me burgim të përjetshëm për: vrasje, anëtarësim në një organizatë terroriste, sulme me bomba që plagosën dhjetëra dhe disa krime më të vogla duke përfshirë një varg vjedhjesh. Katër meshkuj u gjetën fajtorë për mbështetje­n e grupit neo- nazist në mënyra të ndryshme dhe u dënuan me burgim nga 2 deri në 10 vjet. Gjykatësi kryesues Manfred Goetzl, tha në një sallë të gjyqit në Mynih, e cila ishte e mbushur me njerëz, se faji i Zschaepe ishte shumë i rëndë, që do të thotë se ajo ka të ngjarë të shërbejë të paktën një dënim 15- vjeçar. Sipas mediave të pranishme në gjykatë, gruaja 43- vjeçare nuk tregoi asnjë emocion kur gjykatësi Goetzl lexoi dënimin e saj. Disa aktivistë të ekstremit të djathtë që ndiqnin gjyqin janë hedhur përpjetë kur një nga të bashkakuzu­arit, Andre Eminger, mori një dënim më të ulët se sa pritej. Zschaepe u arrestua në vitin 2011, pak pasi dy bashkëpunë­torët e saj u gjetën të vdekur në një rast që dukej si vetëvrasje. Së bashku me meshkujt bashkëpunë­torë, Uwe Mundlos dhe Uwe Boehnhardt, ajo kishte formuar “Nëntokën Kombëtare Socialiste”, një grup që ndiqte një ideologji të epërsisë së racës së bardhë, duke sulmuar emigrantët, kryesisht ata me origjinë turke.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania