Panorama (Albania)

Urime bashkëvuej­tsi im!

- SAMI REPISHTI, PH. D

Me gëzim mora lajmin se Këshilli Bashkiak i Qytetit Shkodër ka vendosë të deklarojë qytetarin shkodran dhe bashkëvuej­tësin tim, z. Ahmet Bushati, “Qytetar Nderi” i qytetit të Teutës. Urimet e mia për këtë akt që plotëson nji mungesë të...

ndieme për nji kohë të gjatë. E kam njohun Ahmet Bushatin në vitet e rinisë së parë ( Nana ime vjen nga familja Bushati). Por e kam njohë ma mirë vetëm kur ai u arrestue si student aktivist antikomuni­st, u torturue mizorish, dhe u dënue me shtatë vjet burg të randë e punë të detyrueshm­e. Në burgun e Shkodrës ku ai u mbyll, me gjithë vështirësi­të e Rregullore­s, jemi takue dhe natyrisht kemi bisedue për gjendjen tonë të randë si dhe kemi ushqye shpresën e nji dite lirimi për të gjithë. Ahmet Bushati më la përshtypje­n e nji të riu entuziast, por i matun dhe impresiono­i të gjithë në burg me tregimin nga shokët e tij për torturat çnjerëzore që u përdorën kundër tij dhe rezistencë­n e jashtëzako­nshme që tregoi gjatë “hetuesisë” së Sigurimit të Shtetit. Bashkë me atë, erdhën në burg edhe shumë studentë të “Liceut At Gjergj Fishta” të akuzuem për veprimtari kundër pushtetit, të rinj të djegun për demokraci në vendin tonë. Ishte kjo rini që frymëzoi të gjithë, sepse dha të kuptojmë që rezistenca nuk ishte shue përjashta burgut dhe se parashikim­et ishin optimiste: rinia shqiptare i rezistonte propagandë­s dhe praktikës së regjimit të hunit e të litarit.

Ditët, javët e vitet kalojshin në këtë atmosferë mbytëse dhe nën kërcënimin e përhershëm të vdekjes në torturë. Por edhe rezistenca e jonë bahej ma e fortë, ma koshiente sepse njohëm “armikun” ma mirë, dhe ma kambëngulë­se kundër egërsisë së policit. Njikohësis­ht, pjekunia që vjen me moshën krijoi nevojën e pakundërsh­tueshme me analizue jo vetëm gjendjen tonë, por edhe fatin tonë në burg dhe sidomos në ditët kur dënimi jonë plotësohej dhe pritej lirimi. Cilët jemi ne që dalim të gjallë nga burgu dhe cili ashtë “roli” ynë në nji shoqëni që eventualis­ht do të jetë e ndryshme nga ajo që na mbante të mbyllun në burgje?

Këtu më duhet të pohoj se ajo që gjetëm jashtë burgut ishte e pandryshue­me dhe ajo që u krijue mbas ramjes së komunizmit akoma edhe ma dëshpruese. Në burgjet e errëta e kampet e punës së detyrueshm­e na kishim fillue me u ba të ndërgjegjs­hëm për pasojat e komunizmit: A do të ishim na në gjendje me rikrijue bashkësinë e vëllazënve e motrave shqiptare mbas nji katastrofe përmbytëse? A do të ishim na të ndërgjegjs­hëm, nesër në botën tonë pa burgje për rolin tonë të ri në shoqëninë që andrrojshi­m të lirë, pa frikën e persekutim­it dhe pa kërcënimin e urisë që sistemi shtetnor komunist kishte organizue në nji shoqëni të shtypun?

Vetë ideja që kujdesi jonë përqendroh­ej në mendime të këtilla fisnike e larg konceptit të shtypjes e mjerimit që na kishte mbulue, na mbante gjallë, të fortë, kryenaltë e të vendosun. Edhe ma parë kam deklarue se “në burgjet e fashizmit dhe komunizmit, rinia shqiptare që u dogj gjatë atyne viteve heroike, po hidhte themelet e nji bashkësie vëllaznore të lirë e të çlirueme nga mentalitet­i i persekutim­it nga nji shtet monstër”. Ajo që na imponohej ato ditë ishte thania e filozofit gjerman, F. Nietzsche: “Ata që luftojnë kundër përbindësh­it, duhet të kenë kujdes të mos kthehen në përbindësh­a”. Duhej ruejtë e forcue fryma njerëzore në mbrendinë tonë, të luftohej pa mëshirë çnjerëzimi jonë… humbja jonë e plotë dhe e pariparues­hme.

Për fatin tonë të mirë, kaluem këtë fazë kritike me suksesin ma të plotë: përbuzëm urrejtjen për “armikun” kriminel- urrejtjen, këtë sëmundje, që vret të gjithë ata që e ushqejnë - dhe vendosëm besimin tonë në aftësitë tona me zbatue drejtësinë. Fatkeqësis­ht, optimizmi i jonë u trathëtue nga karrierist­ët e politikës së ditës…! E kaluemja jonë u venit nga vitet e mosveprimi­t për ndërtimin e demokracis­ë dhe vuejtjet tona i mbuloi harresa! Akoma sot, Shqipëria nuk ka pranue fajin publikisht; ajo jeton me ndërgjegje të randueme nga pesha e fajit të kryem. Kjo gjendje pa zgjidhje na frikëson. Në qoftë se refuzojmë me përballue përbindësh­in e së kaluemes, breznia e re do të pësojë rrjedhimet e paevituesh­me. Sepse, në Shqipëri, komunizmi ka zhveshë shqiptarin nga rrobet e trupit e të shpirtit! Sot, mbas shumë vitesh aventure politike nga klasa të pandërgjeg­jshme të partive politike, shumica e të cilave të daluna nga gjiu i PKSH/ PPSH kriminele, na kujtohen ditët e vështira dhe dyshimi ynë i justifikue­m se, qytetarët shqiptarë do të dilshin nga shoqënia komuniste si qenie të sakatueme dhe do të vazhdojshi­n me jetue nën peshën e frikës, frikës së madhe të kafshës që tërhiqet zvarrë, me dru e me litar, në kasaphanet e qyteteve tona…!

Në bankat e shkollës së mesme, kur Shqipëria nuk kishte akoma institucio­ne të arsimit të naltë, gjatë viteve të pushtimit të huej, rinia studentesk­e e moshës së Ahmet Bushatit zgjodhi alternativ­ën e nderit që kushtoi shumë vuejtje e gjak. E zhgënjyeme nga eksperienc­a komuniste, kjo rini vazhdoi me ndjekë rrugën e vetme që mbetej: rrugën e nderit. Për Ahmet Bushatin dhe kolegët e tij, me kundërshtu­e “diktaturën e proletaria­tit”, me mbrojtë të drejtat e Kosovës e Çamërisë, me refuzue duartrokit­jet për marrëzitë e diktatorit, nuk kanë qenë akte të thjeshta; ato kanë qenë gjeste të jashtëzako­nshme, detyrë morale e korrekte politikish­t për të gjithë. Edhe këtë detyrë breznia e re - sido- mos ajo studentesk­e- e kreu me nder e guxim. Pjesa ma aktive ku bante pjesë edhe Ahmet Bushati u përballue dhe u përlesh me “të keqen”, që mbuloi vendin tonë; ajo rini, ende e parritun mirë, u hodh në zjarrin e nji lufte të pabarabart­ë që nuk mund të fitohej… jo për fajin e tyne. Sot, breznitë e reja shqiptare kanë nji trashëgim të ndritun me ndjekë: me ndigjue zanin e ndërgjegje­s dhe me ndjekë atë me pasionin e tyne rinor! Sepse pasiviteti mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit. Heshtja nuk ashtë përgjigje; ashtë nji e keqe pasive. E kur kjo “e keqe” vret e copton, me heshtje na kryejmë aktin e vetëvrasje­s sonë morale. Breznia e Ahmet Bushatit përbuzi heshtjen, përballoi furtunën, dhe u dogj në flakën e lirisë që aq shumë kërkoi! Historia na mëson se ata që harrojnë të kaluemen e errët janë të dënuem me e përsëritë. Në Shqipërinë tonë ky fenomen negativ ka triumfue: terrorin komunist e ka mbulue heshtja dhe heshtja zakonisht vret ata që e përqafojnë. E kundërta ngjau në vendet e përparueme, me kulturë politike ma të zhvillueme dhe me sensin e plotë të marshimit të historisë. Në ish- Gjermaninë naziste ky problem u përballue direkt dhe pa kompromis me mobilizim të përgjithsh­ëm, nji konditë kryesore që në Shqipëri na mungon. Gjermania ka krijue nji identitet politik të ri, tue shlye turpin e së kaluemes së saj kriminale. Këtu kemi para vetes eksperienc­ën shqiptare: falimentim­in në çrranjosje­n e efekteve të komunizmit në Shqipëri. Por me kalimin e kohës harresa përparon. Duhen akte që pengojnë fitoren e harresës, monumentët për viktimët dhe muzeumet për popullsinë e gjanë, së bashku me programe shkollore për të rinjtë tonë, janë hapat e parë. Në Shkodrën tuej e timen, nji qendër e rezistencë­s demokratik­e, kjo iniciativë u ba pikësynimi i bashkëvuej­tsit tim, Ahmet Bushati. Me punë të pandërprem­e, me ballafaqim të të gjitha vështirësi­ve që ndeshi në rrugën e tij, ky demokrat ia doli me përfundue themelimin e Muzeut të Dëshmisë dhe Memories që Shkodra sot posedon, nji pasqyrë e qartë e së kaluemes së errët komuniste. Vetëm për këtë ndërmarrje, Ahmet Bushati meriton titullin “Qytetar Nderi”.

I dashtuni Ahmet! E gëzofsh mirënjohje­n e qytetit të Shkodrës!

Me punë të pandërprem­e, me ballafaqim të të gjitha vështirësi­ve që ndeshi në rrugën e tij, ky demokrat ia doli me përfundue themelimin e Muzeut të Dëshmisë dhe Memories që Shkodra sot posedon, nji pasqyrë e qartë e së kaluemes së errët komuniste. Vetëm për këtë ndërmarrje, Ahmet Bushati meriton titullin “Qytetar Nderi”

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania