Panorama (Albania)

Fshehu dënimin, 60 ditë punë të detyruar për Rroshin

Prokuroria: Rroshi kishte dijeni për dënimin, tentoi të rihynte në Itali me gomone

- ERALD DELIU

Ish- kreu i Bashkisë së Kavajës, i prekur nga dekriminal­izimin, do të kryejë 60 ditë punë me interes publik.

Ky ishte edhe vendimi përfundimt­ar i Gjykatës së Tiranës, e cila u shpreh për akuzën e “falsifikim­it të formularëv­e” për ish- kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Ky i fundit, u shpall fajtor për fshehjen e një dënimi në Itali, i cili kishte marrë formën e prerë që në vitin 1994. Në seancën e djeshme u mbajtën edhe konkluzion­et e Prokuroris­ë, po ashtu edhe të mbrojtjes. Vetë i pandehuri Elvis Rroshi ishte prezent me avokatin e tij, Maks Haxhia. Prokurori Enklid Gjini, gjatë parashtrim­it të pretencës tha se Elvis Rroshi kishte përdorur disa emra të ndryshëm gjatë periudhës kohore 1994- 1998, por edhe më vonë. Ndër ta përmendi Ervin Rroshi, Ervin Rroki, Landi Biba, Enver Rroshi etj. Sipas tij, janë dërguar letërporos­i në Gjermani dhe Zvicër për aktivitete­t e Rroshit kur ka qenë emigrant atje, por nuk janë marrë përgjigje të plota, pasi në këto vende, vepra penale për të cilën akuzohet Rroshi, nuk është në legjislaci­onet e tyre. Prokurori Gjini tha se Elvis Rroshi rezulton se është ndaluar disa herë në Itali. Ai është dënuar në vitin 1994 për përdhunim në bashkëpuni­m të një shtetaseje shqiptare në Kampobaso. Rroshi madje ka qenë në dijeni, pasi është arrestuar disa kohë më pas dhe është deportuar për në Shqipëri. Pas kësaj, ai ka tentuar të hyjë dy herë në Itali me gomone, ku është ndaluar përgjatë vitit 1998. Në të dyja këto ndalime, Rroshi ka përdorur emra si Ervin Rroku apo Ervin Rroshi. Në përfundim, prokurori kërkoi nga Gjykata që Elvis Rroshi të dënohej përfundimi­sht me 7 muaj e 15 ditë burgim dhe të merrej parasysh edhe gjykimi i shkurtuar. Gjithashtu, prokurori përmendi si rrethanë lehtësuese pendimin e thellë të shfaqur nga i pandehuri për këtë vepër penale, si edhe gjendjen e tij aktuale, i cili është baba i dy fëmijëve të mitur. Për këtë arsye, prokurori kërkoi që të pezullohej vuajtja e dënimit me burg dhe të konvertohe­j në shërbim prove. Nga ana tjetër, avokati i Rroshit Maks Haxhia, tha se klienti i tij e ka pranuar veprën penale që ka bërë dhe ka shfaqur pendesë të thellë për të. Ai shtoi gjithashtu se për dënimin në Itali, Rroshi ka ankimuar dhe ka fituar të drejtën e rigjykimit. Ai kërkoi që klienti i tij të dënohej me punë me interes publik dhe të pezullohej dënimi me burg. Në të njëjtën linjë ishte edhe vetë ish- kreu i Bashkisë së Kavajës, duke pohuar ato që kishte parashtrua­r avokati. Trupa gjykuese u tërhoq në dhomën e këshillimi­t për rreth 30 minuta dhe më pas shpalli vendimin përfundimt­ar, që e dënon Rroshin me 7 muaj e 15 ditë burgim, që ulet në 5 muaj burgim dhe në përfundim, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rrezikshmë­rinë shoqërore të ulët të veprës penale dhe të individit, e konverton dënimin me 60 ditë punë me interes publik. Në këtë mënyrë, mbyllet procesi ndaj ish- kryebashki­akut që nuk deklaroi dënimin me 4 muaj burgim për përdhunim në Itali. Ky mosdeklari­m i kushtoi postin e drejtuesit vendor ish- kyrebashki­akut të Kavajës, por ama, ai i shpëtoi burgimit.

 ??  ?? Ish- kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi
Ish- kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania