Panorama (Albania)

Deshamp: Keqardhje për djemtë, por krenar për Kupën

"Pas një trofeu të tillë, asgjë nuk është më njësoj"

-

Kupa e Didie Deshampit. Në dy Botërorë të fituar nga Franca në epoka të ndryshme, emëruesi i përbashkët është pikërisht ai.

Në 1998 ishte kapiten i "Gjelave", teksa dje udhëhoqi në suksesin final një skuadër që u shpall kampione. Pas ndeshjes, duke komentuar suksesin e të tijve, Deshamp deklaroi: "Gjithçka është kaq e bukur dhe e mrekullues­hme. Jam shumë i emocionuar. Disa nga këta djem kanë provuar ndjesitë e të qenit kampionë në moshën 19- vjeçare, por duhet të bëjnë kujdes. Henri dhe Trezege ishin po kaq të rinj kur fituan Kupën e Botës, por ata nuk arritën kurrë të përsërites­hin".

Fitorja e djeshme i jep një rekord që kanë vetëm dy legjenda. Në fakt, së bashku me Mario Zagallon dhe Franc Bekenbauer­in, Didie Deshamp bëhet njeriu i tretë që e fiton Kupën e Botës fillimisht si futbollist e më pas si trajner. Të tilla statistika do të ketë ndoshta kohë t'i shijojë më vonë, teksa fjalët e tij janë një lumë elozhesh për skuadrën që e udhëhoqi drejt triumfit. "Nuk ka qenë gjithçka e thjeshtë, por me këtë sukses treguam forcën e punës. Jam shumë i lumtur për këtë skuadër, që sot qëndron mbi çatinë e botës. Dy vjet më parë ishte shumë e dhimbshme finalja e humbur në Europian, por ja që shërbeu për të na dhënë më shumë pjekuri. Mbase po të ishim shpallur kampionë atëherë, sot nuk do të ishim këtu", sqaroi 49- vjeçari, dukshëm i emocionuar.

Edhe pas një suksesi të tillë, Franca e tij kritikohet, por Deshamp e ka kryer misionin dhe tashmë hidhet në kundërsulm për të mbrojtur ata që tashmë i konsideron djemtë e tij: "Ndoshta nuk zhvilluam një ndeshje të madhe, por kemi treguar shumë cilësi në aspektin mendor. Të mos harrojmë se sot shënuam katër gola dhe për mendimin tim ishte një fitore e merituar. Ajo që njerëzit do të kujtojnë janë një ekip kampion. Patjetër që sot ( dje) patëm vështirësi, patjetër që nuk luajtëm mirë, po treguam gjithashtu të gjitha cilësitë që i duhen një ekipi për t'u shpallur kampion. Më vjen keq vetëm për faktin se, që sonte çdo gjë për ta do të jetë ndryshe. Nuk mund të jesh më i njëjti pasi shpallesh kampion bote. Mund të fitojnë tituj të tjerë, të arrijnë shumë suksese, por asgjë nuk do të jetë më lart sesa fitimi i Kupës së Botës".

Pas ndërprerje­s së konferencë­s për shtyp nga një grup lojtarësh që hynë në sallë, Deshamp rimori fjalën për një mesazh të fundit, përpara festës së madhe me ekipin: "Ky është një moment gëzimi për futbollist­ët, të cilët e kanë merituar gjithçka arritën në këtë turne. Për 55 ditë nuk ndalëm së punuari, por kurorëzimi kampionë bote është diçka që u përket vetëm djemve. E duam Francën dhe jemi krenarë që jemi francezë dhe pjesë e kësaj kombëtarej­e. Rroftë Franca!"

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania