Panorama (Albania)

Qentë pushtojnë rrugët e Burrelit: Na i sjell Dibra dhe Bulqiza

Organizata zvicerane ndërhyn për të mos i vrarë. Financon për sterilizim­in dhe vaksinimin e të gjithë qenve

- BURREL/

Rreth 20 mijë banorë të qytetit të Burrelit, kanë shqetësim të përditshëm praninë e qenve në rrugë.

Në çdo mjedis publik, në oborret e pallateve, sheshet kryesore, pranë kazanëve të mbetjeve, e kudo tjetër ato qëndrojnë në grupe dhe përbëjnë rrezik serioz për njerëzit, sidomos kur ato lëvizin në orët e natës. Qytetarë të shumtë i janë drejtuar bashkisë dhe kanë kërkuar ndërhyrje, pasi vihet në rrezik jeta dhe shëndeti i tyre. Muaj më parë, Këshilli Bashkiak caktoi 600 mijë lekë të rinj për një qendër të grumbullim­it dhe trajtimit të qenve të rrugës. Kjo qendër u ngrit dhe funksionoi vetëm pak ditë, ndërkohë tani gjithçka i është lënë spontanite­tit. Kur kafshët endacake lëvizin në mjediset publike, sidomos pranë kazanëve të mbetjeve organike, përbëjnë rrezik serioz për njerëzit. Janë të shumta rastet kur në urgjencën e spitalit “Xhavit Mara” Burrel janë paraqitur qytetarë të kafshuar nga qentë e rrugës. Jo vetëm kaq, gjatë natës, të lehurat dhe lëvizjet e çakorduara të tyre krijojnë zhurma dhe bezdi për qytetarët.

Nga ana e tyre, drejtuesit e pushtetit lokal në Burrel akuzojnë se qentë grumbulloh­en nga bashkitë Dibër dhe Bulqizë dhe lëshohen në territorin e Bashkisë Mat. Vendorët e Matit thonë se kjo realizohet nga dibranët dhe bulqizakët, pasi ata janë kundër eliminimit fizik të kafshëve, për shkak të besimit të tyre fetar ( mysliman). Zyrtarët e pushtetit lokal dhe jo vetëm ata kanë konstatuar automjete të mbyllura që shkarkonin qen në afërsi të Burrelit. Është vërejtur po ashtu se qen të shumtë hidhen në rrugën nacionale Burrel- Milot dhe në të shumtën e rasteve ato sulmohen nga ujqërit, të cilët vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm.

Specialist­i veterinar pranë Bashkisë Mat, Selman Kurti, shprehet se vrasja e qenve nuk është zgjidhje, por sterilizim­i dhe përgjegjsh­mëria mbi pronësinë e qenit. “Një qen femër mund të ketë 80 këlyshë gjatë gjithë jetës së saj. Nëse nuk sterilizoh­et nga një veteriner dhe nëse të gjithë këlyshët e saj mbijetojnë, në vetëm 5 vjet, një qen mund të jetë përgjegjës për shtimin e 12.000 qenve në popullatën lokale”. Po ashtu thuhet se qentë e sterilizua­r janë më pak agresivë dhe të rrezikshëm. Vrasjet masive janë të shtrenjta dhe nuk e zgjidhin popullsinë e qenve të egër sepse kafshët nga zonat përreth lëvizin për të mbushur boshllëkun dhe vazhdojnë të shumohen”, shprehet Kurti.

Bashkia e Matit njoftoi publikisht banorët e qytetit të Burrelit dy muaj më parë se duhet t’i dërgonin qentë e tyre shtëpiakë në vendin e quajtur “ish- Thertorja” e qytetit, për t’i sterilizua­r dhe vaksinuar falas. Këshilli Bashkiak Mat miratoi në mbledhjen e muajit nëntor 2017 një fond prej 600 mijë lekësh për grumbullim­in dhe trajtimin e afro 300 qenve endacakë. Këshilltar­ët e subjekteve të ndryshme politike kërkuan rritjen e vëmendjes për sistemimin e kafshëve, duke këmbëngulu­r që ato të mos lejohen në vende publike. Mirëpo, brenda pak ditëve qentë e grumbullua­r në periferi të qytetit ridolën rrugëve e shesheve të Burrelit, duke faktuar se masat e marra nga pushteti lokal nuk ishin efikase. Premtimi i dhënë për të disatën herë nga vendorët e Matit nuk u mbajt përsëri, duke krijuar probleme serioze për qytetarët, të cilët janë të detyruar të jetojnë në simbiozë me këto kafshë të padobishme. Pas dështimit me izolimin e këtyre kafshëve, Bashkia Mat nisi zbatimin e një projekti tjetër, me ndihmën e një organizatë joqeverita­re nga Zvicra. Ajo kishte për qëllim kapjen, sterilizim­in, vaksinimin, kastrimin, ushqyerjen dhe regjistrim­in e qenve që popullojnë qytetin e Burrelit. Mirëpo, edhe pas këtij “aksioni”, qentë e rrugës janë shtuar ndjeshëm në çdo mjedis publik, që nga dera kryesore e Bashkisë Mat dhe deri në lagjet periferike të qytetit verilindor.

 ??  ?? Mbledhja e Këshillit Bashkiak Mat
Mbledhja e Këshillit Bashkiak Mat

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania