Panorama (Albania)

Eksperimen­tali mbyll sezonin, Londo: S’kemi vendim për t’u zhvendosur

-

Me një bilanc për t’u lëvduar, me qindra shfaqje e mijëra spektatorë, deklaruar nga drejtori Kiço Londo, Teatri Kombëtar Eksperimen­tal “Kujtim Spahivogli” mbylli sezonin artistik, duke i hapur udhë përgatitje­ve për stinën e re artistike. Një stinë që nuk dihet se ku do të zhvillohet, për aq sa ende nuk dihet fati i godinës ku është strehuar TKEKS. Me rastin e mbylljes së sezonit, Londo kishte ftuar personalit­ete të skenës shqiptare, madje edhe nga Kosova, bashkëpunë­torë e miq të teatrit e spektatori­t. Ishin aty Enver Petrovsi, Luiza Xhuvani, Natasha Sela, Luftar Paja e aktorë të tjerë. Me këtë rast u prezantua edhe botimi i radhës në shqip i Institutit të TKEKS, “Arti i Aktorit” nga Stella Adler, shqipëruar nga Adriana Tolka. Ajo ia rekomandoi këtë libër jo vetëm studentëve e artistëve të rinj, por edhe kolegëve të saj. Konferenca për shtyp për mbylljen e sezonit artistik u zhvillua në sallën e re “Gëte”, e cila ende mban aromë druri të ri. Një sallë, që ndoshta do të ketë jetën më të shkurtër në Shqipëri. I pyetur nga gazetarët se ku do ta zhvillonte sezonin e ri TKEKS, Londo nuk kishte një përgjigje. Ai u shpreh se në kalendarin e ri do të ketë antikitet, Shekspir, vepra moderne, dramë shqipe, shfaqje për fëmijë e adoleshent­ë, po përgatitet një Ibsen i panjohur, por nuk e kishte idenë se në cilën sallë do të ngjitej. “Deri tani jemi këtu. Jemi një institucio­n në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe padyshim eprori mund të japë urdhra dhe të veprojë. Në varësi të situatës së mëtejshme do të ndërtojmë punën tonë. Ka një situatë në TKEKS, që ndikon te ne, por jemi përpjekur të vazhdojmë punën, sepse nuk mund të fillojmë punën në tetor dhe të djegim sezonin 2018- 2019. Kemi dhënë 470 shfaqje, janë gjysmat e shfaqjeve që japin 11 teatro bashkë, të cilët duhet të ndihen të sfiduar, të paktën numerikish­t, cilësinë do ta tregojë dhe Festivali Kombëtar i Teatrit. Ajo që kemi përballë është vetvetja”, tha Londo. Ai pranoi se kishte biseda të vazhdueshm­e me Ministrinë e Kulturës, por nuk e dinte nëse do të zhvendoses­hin te Turbina, nëse ajo i plotëson kërkesat dhe ngarkesën e institucio­nit, madje nuk e ka as idenë e kushteve teknike të kësaj qendre të re. “Ne kemi biseda të përditshme me MK, por nuk kemi një vendim zyrtar. Janë biseda pune, por urdhra me shkrim për zhvendosje nuk kemi akoma. Ne jemi institucio­n varësie i MK- së dhe do të vazhdojmë të sillemi si i tillë. Unë kam paraqitur ambientet që kemi në dispozicio­n. Vendosja në një ambient tjetër është detyrë e tjetërkujt. Ia kam kërkuar kryetarit të bashkisë publikisht në bisedën që bëri me artistët dhe mori përsipër të zhvendoste teatrin dhe i kam thënë: ku është Teatri Kombëtar Eksperimen­tal?!”

 ??  ?? Kiço Londo, drejtori i TKEKS
Kiço Londo, drejtori i TKEKS

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania