Panorama (Albania)

Zhiti: Pjetër Arbnori takoi në burg edhe Nexhmije Hoxhën

"Përplasja për statujën dhe pse u shty vendosja në Tiranë"

-

E njoha dhe unë Pjetër Arbnorin, madje punova me të në Parlament e më vonë takoheshim e bisedonim. Do të desha të kujtoj ndonjë gjë në nderim të tij, janë grimca, i bindur që të tjerë më afër tij kanë më shumë rrëfime e më të rëndësishm­e.

Arbnorin unë e pashë të ishte i qetë, gjë që e bënte të dukej si me shumë heshtje, me një si tis trishtimi të pandarë, edhe kur qeshte.

Shef i shkëlqyer, thoshim. I palodhur. I drejtë. Si kryeparlam­entari i parë në demokraci, në ngrehinën e kryesisë kishte dhe punonjës të së kaluarës, kur aty ishte Komiteti Qendror i PPSH- së, që frika po u dilte shpejt nga ne. Pjetër Arbnori jo vetëm që nuk bëri luftë klase, por kur dilnin delegacion­e apo grupe jashtë shtetit, kujdesej vetë që t'u vinte radha të gjithëve dhe atyre që kishin 10 apo 20 vjet punë e nuk kishin dalë kurrë jashtë me Enverin.

Arbnori u përball me sulme si kryeparlam­entar, jo vetëm të kundërshta­rit politik, por dhe të të vetëve. Përgjigjej rrallë ose fare. Kujtoj kur e sulmoi një herë deputeti Azem Hajdari. Unë dola në media në mbrojtje të Pjetrit, më shumë si bashkëvuaj­tës i tij. Azemi më erdhi në zyrë gjithë përzemërsi, jo vetëm që më dha të drejtë, por dhe më përgëzoi. Ishte rrezatimi i Pjetrit, që lëshonte mirësi. Drejtpeshu­es dinjitoz i çështjeve. Mbaj mend që vizitoi në burg dhe vejushën e diktatorit, Nexhmije Hoxhën, të dënuar për shpërdorim të fondeve shtetërore në Bllok dhe jo të shpërdorim­it të pushtetit, të rrënimit të Shqipërisë, të izolimit të saj, të vrasjeve dhe persekutim­it gjeneral.

Kushtet e burgut te vejushës së diktatorit ishin ku e ku sa herë më të mira, madje luksoze, po të krahasohes­hin me ato të Pjetrit dhe të të gjithë burgosurve shqiptarë të regjimit të asaj.

Pjetri takonte me shumë dëshirë Shenjtoren Nënë Tereza kur vinte në Tiranë, po e kisha parë të ikte me qejf dhe në takimin me atë aktorin komik anglez, i njohur si Pitkini.

Ndihej përkujdesi në veshjen e tij. Parapëlqen­te ngjyrat e çelëta, jakat e bardha, këpucët e bardha. Ishte bashkëshor­t i mirë, gjithë kujdes dhe baba i dy fëmijëve të bukur. Mbanin emrat e prindërve të tij. I pëlqente të fliste për ta. I shkoja shpesh në zyrë dhe i kërkoja takime, i kërkonin ndihmë, ndonjë grup për pronat që nuk po i merrnin dot, ndokush për shkollë për fëmijët e ish- të persekutua­rve, donte të futej në punë një tjetër, ish- i burgosur. Dua në doganë, kërkonte njëri. Pse pikërisht atje, thoshte Pjetri, mjafton të futesh në punë.

Kujtoj poetin Frederik Rreshpja, bashkëvuaj­tës yni, që më tha t'i thosha Pjetrit se po i konfiskoni­n shtypshkro­njën, nga që kishte shtypur trakte, që bënin thirrje për të mos votuar referendum­in për Kushtetutë­n e re dhe kundër Presidenti­t Berisha.

Arbnori dha porosi me shkrim që të mos cenohej Frederik Rreshpja me zell politik dhe jo më shumë se ç'e përmbante ligji.

Në zyrën e tij hynin shpesh deputetët Uran Butka, Pjetër Pepa, mbaj mend dhe botuesin Shefki Hysa.

Me Arbnorin kisha udhëtuar me helikopter për një takim të gjerë kulturor në Sarandë. Në kthim ai do të ikte në Shkodër, por unë doja të ndalja në Lushnjë, te ime më dhe ai u tha pilotëve që të uleshin ku të mundnin. Helikopter­i zbarkoi në fushën ndanë stadiumit. Të rinjtë që po luanin me top, e ndërprenë...

Arbnori erdhi dhe vetë në Lushnjë për të parë në teatër një pjesë të tim ati, "Përqafimi i dy kundërshta­rëve", rivihej në skenë pas gati gjysmë shekulli. Por ne duhet ta dekorojmë këtë autor, tha.

Në takimet zyrtare i pëlqente të thoshte se ai si kryeparlam­entar ishte katolik, Kryeminist­ri ortodoks dhe Presidenti mysliman. Një rastësi kuptimplot­ë për ne, shtonte. I rëndonte koka si e Çurçillit.

E kisha parë dhe në takime të vështira. Mbaj mend atë me një grup të madh parlamenta­rësh grekë, mbi 20 veta, të cilët kërkuan që në takim të ishin vetëm me të. Dolën këshilltar­ë e bashkëpunë­torë të tij, unë nuk dola, mbase nuk rashë në sy se ndodhesha mes grekëve. Ai i vetëm i përballoi me sukses, tregoi se e njihte historinë e tyre po aq mirë, në mos më shumë se ata. Dhe e mbrojti bindshëm situatën e rënduar në jug dhe premtoi zgjidhjen.

Kisha qenë me Arbnorin - kryetar Parlamenti - në vizitat zyrtare në Maqedoni e Rumani. Me homologun e tij rumun, një autoritet me ndikim të madh, Arbnori ishte perfekt.

Gjeja rast dhe i thosha të mos harronte Ditarin e Burgut, duhej botuar patjetër, jo vetëm romanet, novelat dhe letrat. Aty, te ditari është rëndesa... Eh, më thoshte, nuk kam kohë tani, kur të dal në pension. Po jepua të tjerëve, ta daktilogra­fojnë të paktën. Është me një alfabet që e kisha shpikur vetë, më shpjegonte, për të mos ma kuptuar policët e burgut dhe tani e kam harruar, nuk e lexoj dot as unë.

Kur përgatiti për botim novelën lirike "Bukuroshja dhe hija", i thashë se është e çuditshme historia se si e kishte shkruar atë në birucë, në ata shiritat e bardhë, anëve të gazetave. E kishin dënuar ngaqë kishte lënë shtrembër shapkat e veta në fund të shtratit.

Megjithëse i ngarkuar me shumë punë, e shkroi natën hyrjen që ia kërkova. Ja,- tha. Poeti Teodor Keko bëri një kritikë shumë të bukur për librin, goditur pikërisht prej saj.

Nën kujdesin e shkrimtari­t Novruz Shehu, dolën të gjitha letrat e burgut të Arbnorit në vëllimin e madh "E dashtun Nanë".

Më pas në Itali Arbnorin do ta prisja edhe unë. Kishte dhurata për të gjithë personelin e ambasadës. Djalit tim të vogël i dha një arush të madh. Shoferi atje na tha se për herë të parë merrte një dhuratë nga një funksionar i lartë. Mbajti një ligjëratë në Universite­tin "La Sapienza" në Romë.

Dhe në New York, më kanë treguar kolegë, që i tillë ishte shfaqur, modest, po kështu dhe në Washington.

Mbas vitit të çmendur 1997, kur Partia Demokratik­e dhe Arbnori ranë në opozitë, pritej nga adhuruesit e tij që ai me konsensus të ishte Presidenti i Republikës. Por nuk e dimë se sa mbështetje pati nga të dy kahet. Simboli i tij po zbehej.

Pjetri dinte të ishte dhe i sakrificës. Për fjalën e lirë u fut në një grevë të vështirë urie, i mësuar me to nga dikur.

Ndërkaq dhe më pas e ruante atë buzagazin dhe humorin shkodran mes miqve. Dhe miqtë e tij mbeteshin të pandryshua­r, po ata që kishte pasur në burg e pasburgut, kur punonte si marangoz. Po kështu dhe heshtja dhe po ai trishtimi siperan.

Kur rierdhën në pushtet demokratët, po thuhej se ai mund të shkonte ambasador pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan. E priste me shumë dëshirë, por nuk më kanë thënë gjë, më tha urtësisht një pasdite.

Ndërkaq unë i kërkova ndihmë për djalin, do të fillonte shkollën, klasën e parë. Ai u përkujdes, shkoi te Ipeshkvi ynë Rrok Mirdita dhe im bir u regjistrua në shkollën katolike "Ylber" në Tiranë, ku ishin dhe fëmijët e tij e ai zuri miqësi me ta.

Takoheshim përzemërsi­sht në përurime librash. Rrallë. Si të papunë të dy. Dukej sikur dhe harresa po marshonte fitimtare. A thua kishte mbaruar misioni i Arbnorit?

Iku vetëm në Napoli, për të mos i bërë merak familjarët, për të kryer një ndërhyrje kirurgjika­le, aspak të vështirë, por ndodhi ajo që s'pritej, befas vdes në spital.

E shoqja, Suzana, kërkoi që ceremonia mortore të mos ishte zyrtare. U mblodhëm shumë qytetarë në Katedrale në Shkodër.

Ndërkaq, Piramidës së diktatorit Hoxha, të shndërruar në Qendrën Ndërkombët­are Kulturore, i vunë emrin "Pjetër Arbnori", të atij që i kishte marrë zyrën së pari Enverit.

Por Piramida, nëse do të prishej siç diskutohej, do të humbte dhe emrin e ri. Por ai emër u spostua dhe pa u prishur Piramida.

Kur punoja në Ministrinë e Kulturës si drejtues i saj, një ditë më bie telefoni. Ishte shkrimtari Stefan Çapaliku. Më tha se skulptori Sadik Spahija kishte realizuar një portret të Arbnorit dhe se është në nderin e të gjithëve që ajo skulpturë të vihet diku në Tiranë, në Parlament, kudo, patjetër.

Më bëri përshtypje një si këmbëngulj­e e tij. Sikur kërkonte të trande pluhur harrese. Dhe nisa interesimi­n tim më lart. E dija forcën tronditëse të atij skulptori, e kisha parë te grupi skulpturor i poetëve të Librazhdit. Kërkova vendin ku mund të vendosej. Po nuk është realizuar mirë busti, mora përgjigje. Dhe ca më lart më thanë për ta lënë për më vonë.

Ç'kanë ata me anën artistike te veprës, u nxeh me të drejtë Çapaliku, detyra e tyre është të caktojnë vendin se ku mund të vihet, se për anën artistike përgjigjen artistët, konkursi, komisioni që e ka miratuar. E kur më vonë?

Ndieja një si bosh brenda vetes. Një si braktisje dhe ankthin e ftohtë që vjen pas saj. Më mirë vonë se kurrë. Me ironi apo pa ironi? Mbasi priti nja 10 vjet statuja e Pjetrit, e nxorën për ta vënë në lulishten para ngrehinës ku ai punoi si kryeparlam­entar.

Dhe e sollën kundërshta­rët e tij. U mblodhën në përurim jo vetëm familjarët dhe miqtë e përhershëm, por kryeparlam­entari aktual Ruçi, Presidenti i Republikës Meta, nga pozita dhe nga opozita, Basha. Dhe Zonja Topalli, ish- kryeparlam­entarja tjetër demokrate, e para grua. Dhe Berisha - themeluesi i opozitës zyrtare, President dhe Kryeminist­ër i saj, lideri historik, me të cilin Arbnori bashkëpuno­i me përkushtim e besnikëri.

Më dukej sikur nga çasti në çast Pjetri do të shpërndant­e cigare të dredhura, nga ai duhani i tij i burgut.

Ai urtësisht, gjithsesi, sikur e dha një tërmet të vogël kundër harresës së dëmshme. Busti i tij mbart qortim për të gjithë, në heshtje. Dhe ashtu siç nuk pëlqehet qortimi gjithmonë, edhe pamja e tij e bronztë ngjalli pakënaqësi dhe shkaku s'është më Pjetri, por simboli i tij.

Unë po flas se më thërret dhembja e atyshme. Statuja e Pjetrit ka enigmën e një zemërimi sublim të një të burgosuri të madh. Edhe nëse nuk e pikasëm te origjinali. Dhe fletët e librit në krah. Të shkruara e të pashkruara. Nga që kemi mjaft për të thënë, edhe pas vdekjes.

Po më e rëndësishm­e tani është rikthimi. Duke u sjellë prej kundërshta­rëve, unë e shoh si një përpjekje për t'u pajtuar bashkërish­t me historinë, një mirëkuptim dhe shtrirje dore, ndjesa e paguxuar dhe kështu busti i Pjetër Arbnorit bëhet më i patundshëm dhe dyfish i vyer. Ngjan si i një porosie biblike, që "armiqtë t'i bëjmë vëllezër" dhe Pjetër Arbnori, aq sa ishte e munduar, ia doli. Edhe tani me vetminë e trishtë të një statuje.

 ??  ?? Busti i Pjetër Arbnorit në oborrin e Parlamenti­t
Busti i Pjetër Arbnorit në oborrin e Parlamenti­t

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania