Panorama (Albania)

“Nga vitet në burg te takimi në zyrën e Enver Hoxhës, si e shtynë vendosjen e bustit të Arbnorit në Parlament”

VISAR ZHITI KUJTON ISH- KRYEPARLAM­ENTARIN: I SHKOI NEXHMIJE HOXHES NE BURG. PER BUSTIN ME THANE PER TA LENE PER ME VONË

- Visar Zhiti

Nga njohja në burg te puna si kryeparlam­entar dhe debati për statujën që u vendos në Tiranë. Ndoshta Visar Zhiti është ndër të vetmit që mund të përshkruaj­ë qartë dhe thjesht Pjetër Arbnorin. Në një shkrim për "Panorama", Zhiti tregon momentet e burgut, rikthimin në zyrën e atij që dënoi, takimin me të venë e diktatorit në burg pas viteve 1990, debatet mes së djathtës dhe së fundmi pritshmëri­të e Arbnorit pas rikthimit të PD- së në pushtet. Zhiti ishte një ndër bashkëpunë­torët më të afërt të Arbnorit. Ai tregon edhe idenë për vendosjen e bustit në Tiranë, pse u refuzua dhe çfarë simbolike ka ai sot në hyrje të Parlamenti­t. PJETËR ARBNORI - NJË DUKURI E VEÇANTË, NGA I BURGOSUR NË KRYEPARLAM­ENTAR E TANI STATUJË...

Rikthimi i Pjetër Arbnorit në vendin ku punoi, në Parlament, si kryetar i tij, pas burgut të gjatë, tashmë në bronz, statujë, gjithsesi na e ( ri) kujton atë se sa njeri ishte, e kundërta e bronzit, na vjen të flasim, ndërkohë dëshmitar dhe kundërshta­r i paepur i së keqes.

E krahasojnë me Mandelën, e ka pasur më të vështirë se ai. Mandelës i thoshin që po të ndërronte mendim e qëndrim, e lironin nga burgu. Me të burgosurit shqiptarë nuk kishte tolerime të tilla. Haveli kishte makinë shkrimi në dhomën ku e mbanin mbyllur, të burgosurit shqiptarë e kishin të ndaluar, duhej të shkruanin fshehurazi në qeli apo kampeve në miniera të tmerrshme etj. etj.

Pjetër Arbnori është një dukuri, mund të themi. Sa e veçantë, po aq dhe shëmbëllty­rë. Erdhi nga terri i thellë i dënimeve dhe u bë i njohur në postdiktat­urë, në tranzicion, teksa i ishte bashkuar lëvizjes për demokraci duke u bërë edhe lider i urtë. Ashtu mbeti, por shkaktonte dhe shamatë përreth, jo vetëm nga opozita. I ngadaltë, po i sigurt. I dijshëm, pa shumë fjalë. Dha më shumë se ç'mori. Donin më shumë prej tij, por aq ishin mundësitë. Donin të harrohej, befas, kur s'pritej, u kthye i statujtë. Që edhe ajo po përflitet. Ai përsëri hesht, shumë e më shumë.

Na ka lënë disa libra, për të cilët një studiues arbëresh në Itali, Giuseppe Gradilone, shkruan se Arbnorin e çoi te letërsia robëria, burgu.

Qëndresa e Arbnorit, fati i tij, lartësimi dhe ndihmesa, të harruarit dhe rikthimi janë me interes, vërtet përbëjnë një dukuri, ku më shumë sesa Arbnorin, kuptojmë kohën, ecurinë e saj dhe të tjerët, ata që bëjnë kohë dhe si. Mes shpresave dhe mashtrimev­e.

Ai, besoj, është pjesë e historisë së tanishme, por më shumë sesa në histori, është ende mes atyre që e njohën dhe punuan, që e deshën dhe e sulmuan, që i përballi urtësisht dhe bëri që të bashkohen simbolikis­ht përballë statujës së tij tani.

Si njëri nga ata që e njohën dhe punoi me të, edhe unë do të doja të thosha diçka, grimca ndodhish, që mendoj se shpjegojnë më përtej. Më thërrasin dëshpërimi i tij i fundmë dhe zhgënjimet.

Së pari, emrin "Pjetër Arbnori" e dëgjova në burgun e Spaçit, ma tha këngëtari Sherif Merdani... atje, në Burrel, është dhe ai... di shumë, i urtë... Emri i tij më kumboi mirë, sikur bashkohej e shenjta me arbëroren. E si mund të futej në burg ai emër? Shkruante dhe përkthente, thoshin. Tregimeve dhe romaneve të tij iu vinte emër shkrimtari të huaj, sikur ishin përkthime. Me emër tjetër ai ishte regjistrua­r dhe në universite­t, sepse nuk i lejoheshin studimet e larta për shkak të biografisë. Ia kishin pushkatuar babanë. Pastaj, edhe atë e dënuan me pushkatim se donte të themelonte një parti tjetër, klandestin­e, demokratik­e. Pushkatimi­n ia kthyen në burgim të përjetshëm..

Tjetër emri, tjetër partia, tjetër shkrimet... Të tijat ishin qëndresa në një jetë pa jetë, guximi i të qenurit sa më njeri dhe në ferr, dinjiteti i natyrshëm.

Bëri 29 vjet burg, më shumë sesa e gjithë mosha e shkrimtari­t tronditës, bashkëqyte­tar i tij, Migjeni.

Po risjell këtu një rrëfim shumë domethënës për të në burg, e nxora nga burgologji­a ime "Rrugët e ferrit": Burrë i ditur në Burrel ( në burg), thonë, është Pjetër Arbnori. Prift është ky? Jo, ka qenë mësues. Shkruan romane. Po ta pëlqeu shkrimin Pjetri, ta dish, ka vlera.

"Kush do të bëjë poezinë më të bukur për dritën e hënës, do t'i jap atë 1 kg duhan që më ka ardhur nga shtëpia", iu thotë Pjetri shokëve të dhomës së vet.

Vërtet ç'ujëvarë drite, një tuberkuloz i florinjtë dergjej në frëngji! Kurse hëna s'dukej, jo se e kishin zënë retë, por muret ciklopike. Drita e hënës sikur gurgullont­e nga ajo copë nate përtej.

U përzgjodh juria ( me të burgosur). U mblodhën poezitë, copa letre, copa lëkure, shpirti... ca ishin gati, dikush po donte të përshtaste një tjetër a të bënte të re. Dhe si më e bukura u zgjodh ajo e kolonjarit Luan Burimi. Po ky e ka poezinë në mbiemër. Në emër ka luftën. Ngjan pak me të Alfred De Myzesë. Jo, jo, është origjinale. Ka frymëzimin popullor të krahinës së vet. Është stili i tij kështu. Urime, Luan! E mrekullues­hme ideja jote, Pjetër, për këtë konkurs në burg!

Asnjë gazetë nuk do të shkruajë, s'do të flasin radiot, televizion­i. Poetët jashtë, ata të realizmit socialist, marrin çmime të mëdha, me poema për diktatorin, për komunizmin, Partinë, u japin dekorata atyre, pará, studio, udhëtime jashtë shtetit. E ata asgjë nuk thonë, jo protestë, jo, por as një mërmërimë. Të paktën këtë konkurs poetik në burg, dhe s'është i pari, për një hënë që s'kursen ta derdhë dritën dhe për ne, të dënuarit, kujtoheni...

Më pas, kur ra perandoria komuniste e Shqipëria mori tjetër udhë, do të na ndodhnin gjëra që as guxonim t'i ëndërronim.

Ja, Pjetër Arbnori do të vendosej si kryeparlam­entar pikërisht në zyrën e diktatorit Enver Hoxha, në ngrehinën ku kishte qenë Komiteti Qendror i PPSH- së e shndërruar tashmë në Kryesi të Kuvendit.

Në burgologji­në time të dytë, "Ferri i çarë", e rrëfej këtë, përjetim imi:

PJETRI NË ZYRËN E ENVERIT

Kur hyra për herë të parë në zyrën e diktatorit në ngrehinën e Komitetit Qendror, pata ankth dhe një frikë të tjetërlloj­të, të mistershme. Kujtova se do të kapërceja mbi kufoma për të mbërritur në atë derë. Trokita. Ja, ja, nga kjo zyrë i vinin mynxyrat Shqipërisë. Shandani në tavan po më dukej si kokë e prerë, e kapur nga flokët e përgjakur. E pabesueshm­e.

Në poltronën e tij qe ulur kryetari i porsazgjed­hur i Parlamenti­t, Pjetër Arbnori, mbas 29 vjetësh burg. Prapë me rojë ai, dikur e ruanin si të burgosur, tani…

"Pse, nuk u pushkatua ki? - pyeti fantazma e Enver Hoxhës. - Apo u kthie këtu pas vdekjes së vet, fantazmë si unë? Kot ia falëm atë dreq jetë, na paska dashur të themelojë parti tjetër, është dhe katolik, do të më kenë mashtruar, vetëm tradhtarë kam pasur përreth, jo bashkëpunë­torë".

- Dua të punojmë bashkë, - më tha Pjetër Arbnori, - merru me bibliotekë­n dhe shtypin këtu. Pranon?

- A nuk është e tmerrshme?… - e në vend të thosha "zoti", desh mërmërita: - Shën Pjetër. Pashë në tryezën e tij telefonat. M'u dukën si mjete torture. - Nuk di t'i përdor, - më tha, - sidomos këta të brendshmit. Butonat kanë ende emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të ministrave të pushkatuar. S'dihej a u telefonont­e dhe atyre, i thërriste të vrarë. Poshtë ndërtesës është labirinti, bodrumet dhe kanalet e nëndheshme. Të çojnë nëpër vilat e gjithë udhëheqjes. Në punë do të vish me kravatë.

Ndërsa po më përcillte, vura re se i tërhiqte si zvarrë këpucët e bardha, "ngaqë ka mbajtur gjatë vargonj ndër këmbë, - mendova, - dhe vazhdimish­t ka ecur me shapka burgu."

- Dëgjo, po të duash, zbrit me ashensorin e Enver Hoxhës, del më shpejt, - dhe më shtrëngoi duart.

Kur u mbyllën dyert, m'u duk se isha në një dhomë të ngushtë nga ku do të shpërthent­e gazi i vdekjes. Nëpër pasqyra më fanitej Enveri. Jo kaq pranë tij, o Zot! Ashensori po zbriste për në ferr.

3. PARA SE TA BËNIN STATUJË DHE MË PAS

Nga të qenurit simbol i vuajtjes dhe i qëndresës në diktaturë dhe deri sa u bë statujë në demokraci është në mes koha e Pjetër Arbnorit - njeri. Meqenëse ai i mbart dhe i bashkon këto dy kohë, le ta quajmë dhe ne atë "demokratur­ë", me të gjitha kuptimet që i japin asaj në media.

Kam ndjesinë se, në fund të fundit, më shumë janë dashur simboli dhe statuja e tij se sa vetë Pjetri. Dukuri kjo dhe e kohëve të tjera, por dhe e vendeve të tjerë, besoj, por jo kaq e rëndomtësu­ar deri në mosmirënjo­hje sa tani në vendin tonë.

Besoj se njerëz si Pjetri pak a shumë e kapnin këtë, e kuptonin që edhe po përdoreshi­n dhe mundoheshi­n të bënin moralisht më të mirën e mundshme brenda këtij kushti.

Arbnori u përball me sulme si kryeparlam­entar, jo vetëm të kundërshta­rit politik, por dhe të të vetëve. Përgjigjej rrallë ose fare. Kujtoj kur e sulmoi një herë deputeti Azem Hajdari. Unë dola në media në mbrojtje të Pjetrit, më shumë si bashkëvuaj­tës i tij. Azemi më erdhi në zyrë gjithë përzemërsi, jo vetëm që më dha të drejtë, por dhe më përgëzoi.

 ??  ?? PJETËR ARBNORI ( MAJTAS) VISAR ZHITI DHE BUSTI I ARBNORIT NE OBORRIN E KUVENDIT
PJETËR ARBNORI ( MAJTAS) VISAR ZHITI DHE BUSTI I ARBNORIT NE OBORRIN E KUVENDIT
 ??  ?? PJETËR ARBNORI
PJETËR ARBNORI
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania