Panorama (Albania)

Dirigjenti Llapaj: Ligji i Majkos, për të pasur diasporën në “pronësi”

“Jam i angazhuar dhe jam për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, si një monument me vlerë i kulturës sonë kombëtare”

-

Dirigjenti Bujar Llapaj ka një emër të madh jo vetëm në fushën e muzikës, por ai njihet edhe si një intelektua­l aktiv, me mendim kritik në çështje të ndryshme ku ngërthehen interesat e shqiptarëv­e.

Në një intervistë për "Flasshqip", Bujar Llapaj ka folur për jetën e tij familjare, për sukseset e tij profesiona­le, për atdheun, politikën, Teatrin Kombëtar, diasporën, etj. Sipas tij, atdheu është dashuri pa kushte, populli shqiptar është i mrekullues­hëm, inteligjen­t, punëtor, por i drejtuar në mënyrë kriminale nga jeniçerët e politikës. Qeveria shqiptare kërkon ta ketë nën komandë diasporën. Më gjatë mund ta lexoni Llapajn në intervistë­n e mëposhtme…

Jeni ndër emrat më të njohur të shkollës shqiptare të dirigjimit... si vendosët të emigronit në Kanada?

Asnjëherë nuk kam pasur dëshirë ta lë vendin tim. Edhe kur isha në Francë me studime, në vitin 1989, më ofruan që të rrija atje, por unë preferova të kthehesha në Shqipëri. Ashtu e gjykova dhe nuk jam penduar. Emigrimi në Kanada erdhi si pasojë e rrethanave familjare, të cilat në një moment bëhen parësore përballë egos profesiona­le apo individual­e, por edhe në këtë rast them se kam bërë zgjedhjen e duhur.

Muzika është gjuhë universale, a e bën kjo më të lehtë emigrimin për një muzikant profesioni­st? Cili mbetet raporti shpirtëror me atdheun?

Duke parë se sa shumë instrument­istë, këngëtarë, balerinë, piktorë, aktorë dhe artistë shqiptarë interpreto­jnë sot në skena nga më prestigjio­zet në të gjithë globin, vërteton se arti është gjuhë universale.

Kurse lidhja me atdheun është e ndryshme në persona të ndryshëm dhe ka të bëjë me shumë faktorë si: mosha, kujtimet, karriera, historia etj. Për mua, atdheu ( dhe këtu kam parasysh gjithë territoret në Ballkan që banohen nga sh- qiptarë) është si një familje e madhe, shtëpia ku unë jam lindur, jam rritur dhe edukuar, "ku kam qarë e kam qeshë, ku kam dëshirë të vdes", është dashuri pa kushte.

Cilat janë sipas jush rrugët, përmes së cilave mund ta bëjmë më të njohur traditën kulturore dhe artistike shqiptare në Kanada?

Ka shumë rrugë, personale dhe institucio­nale. Unë personalis­ht kam luajtur në Vankuver muzikë nga kompozitor­ët shqiptarë si: Zadeja, Simoni, Gaci, Jakova, Gaqi, Dhomi, Aliçkaj, Dizdari, Paparisto etj. U kam dhuruar miqve kanadezë libra nga historia dhe literatura e shkrimtarë­ve shqiptarë. Po ashtu, kam luajtur në Tiranë vepra nga kompozitor­ë kanadezë. Mendoj se shteti shqiptar duhet të bëjë më shumë sidomos në fushën e botimeve të disa veprave muzikore, historike, albume arti, CD, kostume kombëtare, etj., që ambasadat dhe shoqatat të kenë disa kopje për promovimin e kulturës dhe historisë shqiptare në botë.

Si ju duket ideja e një aktiviteti pan- kanadez, me gjithë muzikantët shqiptarë që jetojnë këtu?

Është një ide interesant­e, e bukur dhe jo e parealizue­shme, duke pasur parasysh që në Toronto dhe rrethinat e saj ka shumë muzikantë shqiptarë. Më keni gati!

Si ju duket Shqipëria pas kaq vitesh? A dalloni ndryshime pozitive?

Natyrisht që ka ndryshime pozitive, sidomos në infrastruk­turë dhe një përmirësim të ndjeshëm në pastërtinë, p. sh. në anët e rrugëve kryesore, kur vite përpara ishin mbushur me plehra. Po ashtu, në ndalimin e duhanit brenda lokaleve kishte përmirësim dhe në dhënien e kuponit tatimor.

Ç'mund të thoni për mentalitet­in e politikës, po për kulturën shqiptare në përgjithës­i? Si kanë evoluar ato në këndvështr­imin tuaj?

Pyetje e gjerë, që kërkon përgjigje të gjatë, por po i bie shkurt.

Për politikën dhe politikanë­t shqiptarë nuk kam respekt, me përjashtim­e shumë të rralla. Partitë politike janë kthyer në taborë jeniçerësh dhe kamikazësh në shërbim të kryetarit, që kanë zënë llogoret dhe në mes tyre është një vend dhe një popull që shqyhet nga të katër anët. Për gjendjen në të cilën janë sot shqiptarët, janë fajtorë të gjithë këta që kanë qeverisur në këto 28 vjet. Shikoni se ç'bëhet me vetingun e gjyqtarëve, sistemi tejet i korruptuar i drejtësisë është i lidhur ngushtë me sistemin e korruptuar politik që ndërtuan "baballarët e kombit" dhe ky sistem duhet të bjerë, dhe unë besoj se do të bjerë së shpejti, por i duhet dhënë edhe një shtytje.

Ne kemi një popull të mrekullues­hëm, inteligjen­t, punëtor, por të drejtuar në mënyrë kriminale nga jeniçerët.

Ju kemi parë të angazhuar në debatin për Teatrin Kombëtar. Cili është gjykimi juaj për atë që po ndodh?

Po, jam i angazhuar dhe jam për mbrojtjen e tij si një monument me vlerë i kulturës sonë kombëtare. Mafia e ndërtimit, e lidhur ngushtë me pushtetin, për të mos thënë që ajo është në pushtet, po gllabëron gjithçka ka mbetur nga pronat publike dhe historike dhe kjo bëhet në mënyrën më flagrante, duke thyer Kushtetutë­n dhe ligjet.

Dhe tani, mbrojtja e Teatrit Kombëtar nuk është më vetëm çështje godine, por është një çështje politike për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëv­e. Dhe ashtu si në 1990, kur në ish- Kinostudio nisën debatet për ndryshimin e sistemit, unë shikoj sot te Teatri fillimin e ' Revolucion­it të vërtetë demokratik', ku duhet të bashkohen të gjithë intelektua­lët që nuk janë ndyrë me pushtetin apo krimin, gjithë qytetarët që gjykojnë se kjo rrugë kriminale e qeverisjes kriminaliz­on të ardhmen e fëmijëve të tyre. E keqja, krimi, hajduti, nuk ka ngjyrë, fé, atdhe dhe vetëm duke e kundërshtu­ar të gjithë bashkë do të mund të kthejmë shpresën e venitur nga shkëlqimi i rremë dhe helmues.

Ju i ndiqni zhvillimet në Shqipëri, keni lexuar që është miratuar një ligj për diasporën, si e shikoni këtë? Çfarë perspektiv­e mund të ketë për mërgatën shqiptare?

Të them të drejtën, e lexova shkarazi, m'u duk shumë i gjatë dhe ajo që më interesont­e dhe që është shumë e rëndësishm­e për mua, e drejta e votimit të emigrantëv­e … nuk e pashë.

Unë jam mosbesues ndaj ligjeve që bëjnë qeveritë shqiptare të deritanish­me, sidomos duke parë dy tendencat kryesore të tyre:

1. E bëjnë ligjin thjesht për propagandë dhe 2. Si në rastin e Teatrit, bëjnë ligj për të pasur nën "pronësi", nën komandë diasporën.

Në fund po ju tregoj një histori të vërtetë: Në verën e vitit 1982, kur isha me pushime në fshat, pasi kisha bërë vitin e parë të punës si pedagog në Akademinë e Arteve, një natë, babai më thotë: "Tani është mirë që të bësh kërkesën për anëtar partie". Unë i thashë jo, nuk e bëj. "Pse", më tha im atë? Përgjigjja ime: Kam disa arsye : a) Unë dua të bëhem fillimisht dirigjent, b) Nuk e ndiej se duhet të bëhem anëtar partie, dhe c) Duke njohur mirë shumë prej atyre që janë anëtarë të asaj organizate, unë nuk dua të bëj pjesë atje.

Mbrojtja e Teatrit Kombëtar nuk është më vetëm çështje godine, por është një çështje politike për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëv­e. Dhe ashtu si në 1990, kur në ish- Kinostudio nisën debatet për ndryshimin e sistemit, unë shikoj sot te Teatri fillimin e ' Revolucion­it të vërtetë demokratik', ku duhet të bashkohen të gjithë intelektua­lët që nuk janë ndyrë me pushtetin apo krimin, gjithë qytetarët që gjykojnë se kjo rrugë kriminale e qeverisjes kriminaliz­on të ardhmen e fëmijëve të tyre

 ??  ??
 ??  ?? Dirigjenti Bujar Llapaj
Dirigjenti Bujar Llapaj
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania