Panorama (Albania)

Polemika për Ramiz Alinë, agjent i SIM- it: Dëshmia sekrete që fshehu Mehmet Shehu

NIPI I DESHMORIT KRISTAQ CAPO I PERGJIGJET YLLI POLOVINES: DEBATI MES RAMIZ ALISE DHE MARGARITA TUTULANIT NE 1943

-

Këtë vit, dëshmori Kristaq Capo kishte përvjetori­n e rënies. Nisur nga ky fakt dhe në nderim të veprës së tij, përgatita një artikull për gazetën "Panorama", që u botua më datën 29.06.2018. Në të, përveç kujtimeve të familjarëv­e, u mundova të hedh dritë në shumë aspekte të tjera mbështetur në dokumente të kohës, shkrime e dëshmi të panjohura të shumë bashkëkohë­sve e bashkëluft­ëtarëve të tij, me të cilët kishte qenë në aktiviteti­n ilegal dhe në përpjekjet kundër okupatorit. Për Kristaq Capon, që është dhe xhaxhai im, kam botuar para disa viteve edhe një monografi, ku kam përmbledhu­r dëshmitë e 44 shoqeve e shokëve pjesëmarrë­s të Lëvizjes Antifashis­te në qarkun e Beratit. E vërteta është se këto publikime janë mirëpritur, jo vetëm nga njerëzit që kanë dijeni për Kristaqin dhe aktiviteti­n e tij, por edhe nga shumë dashamirës të tjerë. Sakaq, aty- këtu kam dëgjuar edhe ndonjë zë të veçuar, që është përpjekur të kontestojë përmbajtje­n e gjetjeve të mia. Reagime të tilla i kam paramendua­r, por që do bëhej pjesë e tyre edhe Ylli Polovina, një nga intelektua­lët e kultivuar e më në zë të qytetit të Beratit, i njohur si publicist e botues serioz, nuk më kishte shkuar në mendje. E lexova me shumë vëmendje shkrimin e tij "Dokumentet, e vërteta për akuzën se Ramiz Alia në 1943 ishte agjent i SIM- it", botuar në gazetën "Panorama" të datës 23 korrik 2018. Ajo që më bëri përshtypje në gjithë shtjellimi­n e tij në këtë replikë "me nipin e dëshmorit", ishin argumentet jo bindëse të huazuara fund e krye nga libri i vetë Ramiz Alias, "Jeta ime". Nuk e di çfarë mund të shikonte ndryshe miku im Ylli Polovina, jashtë syzeve të Alisë, për jetën dhe veprën e Kristaq Capos. Nuk ma do mendja që zoti Polovina, i cili i është rikthyer disa herë historisë së viteve të qëndresës antifashis­te në Berat, të sjellë për të vërtetë vetëm kujtimet e Ramiz Alisë, që prej vitesh është përfolur nga të gjitha shtresat në Berat. Gjithsesi, kjo është puna e tij dhe e mënyrës si ai operon në hulumtimin e fakteve të tilla historike, që kanë lënë gjurmë të thella edhe përtej qytetit tonë.

Meqë zoti Polovina më tërheq vëmendjen se akuzoj pa të drejtë Ramiz Alian si shkaktarin kryesor në arrestimin e Kristaq Capos, detyrohem të risjell një pjesë të dëshmive dhe fakteve që hedhin dritë mbi të vërtetën e asaj ngjarjeje misterioze.

DENONCIMI I PARË, NË VITIN 1952

Jake Tefiku, pas luftës, ka qenë hetuesi i Ministrisë së Brendshme, që ka operuar në Lushnjë. Në një nga proceset e asaj periudhe, më saktë në vitin 1951, ka bërë hetimin e një grupi diversantë­sh të kapur nga organet e ndjekjes dhe aty ka mësuar një fakt të panjohur më parë, për të cilin ka raportuar direkt te ministri i Brendshëm. Ky, në një farë mënyre, është dhe denoncimi i parë për aktiviteti­n e dyshimtë të Ramiz Alisë në qarkun e Beratit. Për herë të parë, ky fakt është bërë i ditur në rrëfimin e një veterani disa vite më parë, në gazetën "Populli Po", të cilën, në mos gaboj, e drejtonte zoti Ylli Polovina. Po ashtu, është ribotuar pak më vonë edhe në librin "Udhëkryqe të historisë" të autorit Apostol Duka, një mik e bashkëpunë­tor i hershëm ky i zotit Polovina. E nënvizoj këtë, për t'i rikujtuar autorit të replikës ndaj meje se ai ka qenë në dijeni shumë më herët nga unë me këtë denoncim të pazakontë kundër Ramiz Alias. Veterani Jake Tefiku, sipas rrëfimit në librin "Udhëkryqe të Historisë", faqe 283290, pasi ka drejtuar një proces hetuesie kundër një grupi diversantë­sh, ish- kulakësh e ish- kolaboraci­onistësh që kishin bërë shumë krime në vend, i ka bërë me dije Mehmet Shehut, me një raport sekret, një dëshmi tronditëse që kishte dalë nga hetimet e këtij grupi kriminal. Ndër të tjera, Tefiku pohon se gjatë procesit ka njohur njërin nga të pandehurit. Ai, në një moment, i ka treguar se në vitin 1943 kishte qenë në Berat për të takuar të vëllanë, i cili në atë kohë ishte zëvendësku­estor. "U takova me të,- pohonte ai,- dhe shkuam në një lokal, ku ia shtruam me të ngrënë e me të pirë. Në pije e sipër, meqenëse në Berat ishin bërë shumë atentate kundër bashkëpunë­torëve të fashizmit, i thashë vëllait të bënte kujdes, se komunistët nuk e falnin". Vëllai, gjysmë i dehur, buzëqeshi dhe ma ktheu: Mos ki merak. Neve qarkorin e Beratit e kemi në thes, se kemi agjentin tonë shumë të fortë në radhët e tij dhe ky është një shkodran... I vetmi shkodran në qarkun e Beratit në atë kohë ishte Ramiz Alia. I njohur me këtë dëshmi, Mehmet Shehu e thirri Jake Tefikun në zyrë që të nesërmen. Jake Tefiku e kujton kështu bisedën e asaj dite. - Ç'është ai informacio­n që më dërgove Jake? - Kam shkruar aty vetëm fjalët që më tha i pandehuri, shoku ministër. Po të doni, e thërrasim dhe e pyesim përsëri në praninë tuaj.

- Po nuk e di ti që armiqtë e popullit këtë duan, që të shpifin e të hedhin baltë mbi njerëzit tanë dhe të na ngatërrojn­ë me njëri- tjetrin. Prandaj, mos u merr me këtë punë. I ke folur ndonjë tjetri për këtë problem.

- Jo, shoku ministër. E dimë vetëm unë, juve dhe i pandehuri, që shumë shpejt do të marrë gjysmën e lekut. - Epo mirë. Mos bëj zë me njeri tjetër, ma lër mua këtë punë. Se çfarë bëri Mehmet Shehu, vazhdon në rrëfimin e tij Jake Tefiku, e çoi apo nuk e çoi diku atë informacio­n të rezervuar, nuk dihet. Por, në fakt, Enver Hoxha nuk mori vesh asgjë dhe Ramiz Alias nuk i hyri gjemb në këmbë. I njëjti në gazetën dhe librin në fjalë, kujton edhe shumë rrethana nga momentet e arrestimit të grupit të drejtuar nga Kristaq Capo, ku e vë gishtin pikërisht te Ramiz Alia. Ndoshta në një përgjigje të dytë për zotin Polovina, do t'i risjell të plota, bashkë me shumë kujtime të tjera që m'i ka treguar i paharruari Jake Tefiku dhe disa nga miqtë e tij.

DËSHMIA E PROFESOR SOTIR MANUSHIT

Ka qenë një pasdite korriku e vitit 1994, kur me profesorin e nderuar kemi biseduar gjatë rreth dyshimeve për aktiviteti­n e Ramiz Alias në qarkun e Beratit, në verën e vitit 1943. I qetë e pa komplekse në rrëfimin e tij, megjithëse disi i rezervuar, ai më ka treguar një sërë rrethanash kritike të asaj periudhe që lidhen me emrin e Ramiz Alias. Ja një pjesë e rrëfimit të profesor Manushit: Unë dhe Ramiz Alia shkuam në Berat në fillimin e vitit 1943 me urdhër të sekretarit të rinisë komuniste të Shqipërisë, Nako Spiru, për t'u angazhuar në drejtimin e Lëvizjes Antifashis­te në qark. Sapo mbërritën në stacionin e autobusit në qytet, u ndeshëm me Policinë e kuesturës, që na kërkoi dokumentet e identiteti­t dhe na pyeti për arsyen e ardhjes. Unë i paraqita pasaportën dhe një shkresë, ku më rekomandon­in të interesohe­sha për blerjen e një sasie lëkurash për një firmë italiane në Trieste. Me mbarimin e kontrollit, më lanë të lirë. Dokumentet iA kërkuan edhe Ramizit dhe për çudi ai nuk dispononte asnjë të tillë. Për këtë arsye, ata e shoqëruan në kuesturë, ku e mbajtën vetëm disa orë dhe e liruan. Fola me Ramizin kur u takuam pas kësaj ngjarjeje, por të them të drejtën, mënyra si ma shpjegoi "nderin" që i kishin bërë në kuesturë, nuk më bëri përshtypje të mirë. Sidoqoftë, Ramizi, ia kishte marrë dorën vizitave në zyrat e kuesturës. Dy herë të tjera kur ishim në Tiranë, ai ishte bërë "mysafir" vetëm për pak orë i birucave të ftohta, por ia kishte hedhur pa ndonjë problem. Pas këtij detaji, që tregonte "lehtësinë", me të cilën Alia futej dhe dilte nga zyrat e kuesturës, profesor Manushi më tregoi dhe një ndodhi që më ka bërë shumë përshtypje dhe më ka vënë në mendime. I ndodhur në Berat në kohën kur ishte bërë arrestimi i Kristaq Capos, sa kishte marrë lajmin e kobshëm, ishte nisur menjëherë në bazën e sigurt ku rrinte Margarita Tutulani. "Sa shkova te porta,- tregonte profesor Manushi,dëgjova një debat të acaruar që bëhej brenda shtëpisë. Mbajta këmbët. Aty për aty dallova zërin e lartë të Margaritës, por nuk merrja vesh se me kë fliste. Një çast dëgjova edhe zërin e tjetrit. Ishte Ramizi. Më befasoi prania e tij atje, sepse e dija që ishte me grupin e Kristaq Capos. Nuk vonoi shumë dhe u hap dera. Përballë pashë Ramizin që doli me nxitim dhe u largua i skuqur në fytyrë. Pa më folur fare. Nga brenda derës dëgjova përsëri zërin e Margaritës, që në largim e sipër i thoshte Ramizit: Ta dish mirë se do të përgjigjes­h për këtë!

Profesor Manushi, i ndodhur në Berat në kohën kur ishte bërë arrestimi i Kristaq Capos, sa kishte marrë lajmin e kobshëm, ishte nisur menjëherë në bazën e sigurt ku rrinte Margarita Tutulani. “Sa shkova te porta, - tregonte profesor Manushi, - dëgjova një debat të acaruar që bëhej brenda shtëpisë. Mbajta këmbët. Aty për aty dallova zërin e lartë të Margaritës, po nuk merrja vesh se me kë fliste. Një çast dëgjova dhe zërin e tjetrit. Ishte Ramizi”

 ??  ?? ( MEHMET SHEHU MAJTAS) RAMIZ ALIA
( MEHMET SHEHU MAJTAS) RAMIZ ALIA
 ??  ?? Jani Capo, nipi i dëshmorit
Jani Capo, nipi i dëshmorit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania