Panorama (Albania)

Gjykata e Lartë në kolaps, pas shkarkimit të Brocit mbetet me katër anëtarë

Deri më tani janë shkarkuar pesë anëtarë dhe kanë kaluar vetëm katër, bashkë me Medi Bicin e rikonfirmu­ar dje

-

Pas Gjykatës Kushtetues­e, e cila ka mbetur me vetëm dy anëtarë të rikonfirmu­ar nga vetingu, kolapsi i Reformës në Drejtësi prek edhe Gjykatën e Lartë.

Kështu, Komisioni i Pavarur i Kualifikim­it vendosi ditën e djeshme që të shkarkojë gjyqtarin Artan Broci dhe të rikonfirmo­jë në detyrë gjyqtarin Medi Bici. Në këto kushte, Gjykata e Lartë, e cila ishte me nëntë anëtarë para nisjes së vetingut, mbetet me vetëm katër anëtarë, duke mos qenë funksional­e, pasi ligji e kërkon që të jetë minimalish­t me pesë për të marrë vendime. Komisioni i Pavarur i Kualifikim­it, që nga nisja e procesit të vetingut ka shkarkuar nga Gjykata e Lartë gjyqtarët: Admir Thanxa, Tom Ndreca, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi dhe Artan Broci, ndërsa ka rikonfirmu­ar: Xhezair Zaganjorin, Ardian Dvoranin, Edmond Islamajn dhe Medi Bicin. Gjyqtari Broci, vendimi i të cilit u dha ditën e djeshme, nuk ishte i pranishëm në shpalljen e tij, por shpërndau një deklaratë për mediat duke sulmuar komisioner­ët dhe duke i cilësuar ata si komisioner­ë të Kryeminist­rit Rama. "Komisarë politikë të Kryeminist­rit", i cilësoi ai anëtarët e trupës gjykuese. "I vetmi test që unë nuk kam kaluar është ai i nënshtrimi­t për çështje të caktuara dhe atë të kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi", shtonte Broci më tej. Gjyqtari Broci, sipas KPK- së, kishte fshehur të ardhurat nga qiratë, duke shmangur tatimet. Mirëpo ai, gjatë seancës dëgjimore kishte paraqitur dokumente nga qiramarrës­it që vërtetonin sipas tij, që tatimet ishin paguar. Ndërkohë, po ditën e djeshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikim­it i dha dritën jeshile gjyqtarit Medi Bici. Ky i fundit, edhe pse kishte ndërtuar pa leje banesën ku banon, nuk kishte pasuri të pajustifik­uara dhe madje është ndër gjyqtarët më të varfër.

"Kam nisur punë në minierën e qymyrgurit në Valias, ku kam punuar për 21 vjet. Më pas kam studiuar për Drejtësi dhe jam emëruar gjyqtar në vitin 1994", tha Bici. "Jam shpallur në vitin 1997 gjyqtari i vitit. Kam dhënë tre dënime me vdekje, ku dy prej tyre kanë qenë për vrasjen e një kampisti. Kam mbajtur peshën kryesore në Gjykatën e Tiranës për vendimet penale gjatë kohës së bandave. Banesën e kam blerë në një nga zonat më të varfra të Tiranës dhe e kam ndërtuar brenda disa viteve nga e para. Kam pasur bashkëshor­ten pa punë për një periudhë kohe shumë të gjatë dhe më është dashur të marr para borxh te vëllezërit për shkollimin e tre fëmijëve të mi", pati thënë Bici gjatë seancës.

URDHRI

Ndërkohë që gjyqtarët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikim­it mund të qëndrojnë në detyrë deri sa vendimi të marrë formë të prerë, e njëjta gjë nuk vlen për Gjykatën e Lartë. Kjo pasi kreu i kësaj gjykate, Xhezair Zaganjori, ka firmosur një urdhër të prerë se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët marrin masë disiplinor­e "shkarkim nga detyra" nga Komisioni i Pavarur i Kualifikim­it, përjashtoh­en nga shortimi i çështjeve në këtë Gjykatë deri në një vendim të formës së prerë, si edhe përjashtoh­en nga Dhoma e Këshillimi­t. Kjo bën që pesë gjyqtarët e shkarkuar ( Admir Thanza, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca dhe Artan Broci) të mos e ushtrojnë detyrën e tyre në Gjykatën e Lartë deri sa Kolegji i Posaçëm i Apelimit të mund të kthejë vendimet për shkarkimet e tyre. Kjo bën që Gjykata e Lartë të mbesë me katër anëtarë përpara se vendimet për të shkarkuari­t të marrin formë të prerë. Nga ana tjetër, politika ka nisur lëvizjet për zëvendësim­in e anëtarit të shkarkuar me vendim të formës së prerë të Kushtetues­es, Fatos Lulo.

 ??  ?? Artan Broci
Artan Broci
 ??  ?? Medi Bici
Medi Bici

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania