Panorama (Albania)

Kukësi thyhet në Baku, penalltitë bëhen makth

Karabaku shumë i fortë, veriorët vijojnë në Ligën e Europës

-

Tri penallti, me një lojtar më pak për afro një pjesë loje dhe në fund eliminim nga turi i dytë i Ligës së Kampioneve.

Aventura e Kukësit në Champions u mbyll dje në kryeqyteti­n azer, Baku, aty ku në një stadium të tejmbushur pësoi një humbje të pastër nga Karabaku i Ansi Agollit. Mbrojtësi shqiptar "shijoji" nga stoli suksesin e skuadrës së tij, në një ndeshje ku Karabak dominoi totalisht. Azerët përfituan nga gafat e shumta të lojtarëve të Kukësit në fazën mbrojtëse. Taktika e Armando Cungut për t'iu kundërvënë sërish azerëve me një skuadër që pret kundërshta­rin në gjysmëfush­ën e vet, nuk rezultoi efikase. Mjaftoi një ndërhyrje e gabuar e portierit Stivi Frashëri në pjesën e parë, për t'i hapur rrugën një fitoreje bindëse kampionëve në fuqi të Azerbajxha­nit, që tashmë gjejnë në turin e tretë bjellorusë­t e BATE Borisov. Në fillimin e pjesës së dytë ishte Albi Alla që preku topin me dorë në zonë dhe pasi shkaktoi penallti, u ndëshkua me karton të kuq. Për të vijuar vetëm dy minuta më pas me Edis Maliqin, i cili gjithashtu shkaktoi 11- metërsh. Makthi i Kukësit u bë sulmuesi Inoçent Emeghara, i cili ishte i papërmbajt­shëm në debutimin e tij me Karabak. Ai arriti të fitonte tri penallti, por në rastin e dytë që mori përsipër të godasë vetë, ishte portieri Frashëri që i mohoi golin, duke grushtuar në korne. Nga pika e bardhë realizoi dy herë mesfushori Dani Kuintana, ndërsa në limitin e takimit, një tjetër debutues te Karabak, Delarge, vulosi fitoren 3- 0. Pas këtij eliminimi nga Champions, sot Kukësi do të mësojë rivalin për turin e tretë të Ligës së Europës. Sipas të gjitha gjasave, veriorët do të përballen me gjeorgjian­ët e Torpedo Kutaisit, të cilët kanë fituar ndeshjen e parë 3- 0 ndaj Vikingur dhe sot do të luajnë atë të kthimit.

DOMINIM TOTAL

Cungu nuk kishte lëvizur asgjë nga ndeshja e një jave më parë në "Loro Boriçi", ndërsa kolegu i tij, Gurban Gurbanov, kishte lënë në stol Agollin dhe sulmuesin Madatov. Risi ishte Emeghara, që u bë i papërballu­eshëm për mbrojtësit e Kukësit. Shameti u mundua ta ndalte me çdo mënyrë, por kjo nuk mjaftoi, pasi shpejtësia që kishte sulmuesi me pasaportë zvicerane, bëri që të kalonte disa herë pa problem Maliqin, Qaqin, Allën dhe natyrisht Frashërin. Që në start presioni i azerëve ishte asfiksues. Në mesfushë, dyshja Garajev e Slavçev bënte diferencën, duke mos i dhënë asnjë shans Dzarias dhe Musollit për të tentuar organizimi­n e manovrës sulmuese. Ndërsa Zubir, Mishel dhe Dani Kuintana "trullosnin" Kukësin sa herë kishin topin në këmbë. Fillimisht është Mishel që godet traversën, për të ardhur më pas te penalltia e fituar e Emegharas pas ndërhyrjes së gabuar të Frashërit. Goli i shpejtë nga Dani Kuintana bëri që azerët të ishin më të sigurt për vazhdimësi­në e lojës. Kukësi e kishte thuajse të pamundur për të dalë në sulm, pavarësish­t ndonjë përpjekjej­e të Rrumbullak­ut në krahun e majtë. Çyrbja ishte në një ditë "jo", ashtu si edhe Plaku, që u zëvendësua­n pa nisur pjesa e dytë. Rexhinaldo debutoi me Kukësin, ndërsa pas pushimit u fut edhe kroati Spehar. Mirëpo, asgjë nuk ndryshoi. Në katër minuta Kukësi hedh në erë gjithçka, teksa gjyqtari sllovak akordon dy 11- metërsha radhazi. Fillimisht është Frashëri që mban në lojë ekipin, duke grushtuar goditjen e Emeghara, por më pas Dani Kuintana nuk fal. Me 2- 0 Karabak e ka si autostradë. Në fund ka vend edhe për Donjet Shkodrën, por golin e shënojnë sërish azerët. Gjithçka mbyllet 3- 0 për Karabak, por si kurrë më parë, Kukësi nuk goditi asnjëherë në portë, madje qoftë edhe jashtë kuadratit. Eliminim i merituar ndaj një klubi me diferenca të mëdha në çdo aspekt.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania