Panorama (Albania)

Piro Mani, letër nga Amerika: Më fal Gaqo Çako

"Ti në vitet e Moskës i mrekullove pedagogët e ' Çajkovskit' e atij konservato­rit të famshëm"

-

Ai ndoshta nuk do t'ia falë dot vetes që nuk u ndodh dot dje në Tiranë, por nuk do të mund të thyente dot ligjet e natyrës... Regjisori i madh Piro Mani e vajtoi së largu, në Amerikë, ikjen nga kjo jetë të mikut të tij të kohërave të shkollës, tenorit Gaqo Çako. Në pamundësi për të qenë në Tiranë, ai i dërgon një letër lamtumire mikut dhe ngushëllim­et familjes, përmes gazetës "Panorama". "Më fal, miku im, që nuk jam aty të të përcjell tek nisesh që t'i bashkohesh përsëri korit të engjëjve", e mbyll letrën Piro Mani.

LETRA E PLOTË

Ca fjalë zemre në përcjellje, Gaqo Çakos

Ky lajm i hidhur i ikjes tënde na pikëlloi fort, i shtrenjti miku im, Gaqo. Ti i pikëllove pa masë tërë shqiptarët që u rritën me këngën tënde, me zërin tënd të kthjellët, me timbrin qiellor që dukej vërtet një dhuratë e engjëjve. Ikja jote është e hidhur për tërë shqiptarët, kudo që ata ndodhen Gaqo. Por mes tyre, më përfytyro mua, shokun tënd të Liceut Artistik, bashkëstud­entin e Moskës së largët, ku ti në ato vite i mrekullove pedagogët e "Çajkovskit", e atij konservato­rit të famshëm moskovit. Unë studioja për regjinë e skenës, shkollat tona ishin pranë dhe qenia pranë me njëri- tjetrin na e bëri më të fortë miqësinë, ashtu sikurse sot ma bëri më të fortë pikëllimin. Pastaj ne nuk u ndamë edhe kur u kthyem në atdhe, unë në radhën e shfaqjeve të mia, kujtoj me mall edhe dy angazhimet operistike në Teatrin e Operës, ku ti ishe ku tjetër veçse në rolet kryesore. Zëri yt, Gaqo, goditi malet e bukura të atdheut tonë të mahnitshëm, mbushi luginat dhe koriet, liqejtë, krojet, pllajat dhe fushat, edhe u bë njësh me to. Është e natyrshme që njerëzit vijnë mbi këtë dhé, edhe natyrisht ikin. Por arti yt i veçantë dhe sidomos talenti dhe ngrohtësia e zërit tënd e fshijnë për ty fjalën ikje. Ti u mbetesh ad- miruesve të tu, ashtu siç i mbetesh familjes tënde të dashur, miqve të tu. Ti nuk u ikën dot atyre. Nuk ka vdekje që mund të të marrë ty, Gaqo! Më fal, miku im, që nuk jam aty të të përcjell tek nisesh që t'i bashkohesh përsëri korit të engjëjve. Piro Mani Harrison, NY, ShBA

 ??  ?? Piro Mani
Piro Mani

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania