Panorama (Albania)

Mes "gjërave të kota" të Dritëro Agollit

-

Me shkrimin e dridhur ai kishte shkruar mbi to "Gjëra kot". Janë shënime të hedhura aty këtu, një mendim i çastit, një poezi me rimë dhe me pak humor e ironi spërkatur. Teksa rrëmon në sendet e të atit, si për të shuar mallin, Elona Agolli zbulon çdo ditë copëza historish, ngjarjesh jete dhe i ndan me të tjerë. "Një tog letra, të lidhura me një kapëse metalike. Në faqen e parë që shërben edhe si kopertinë shënohet: ' Gjëra të kota'. Data: 18.3.2014. Vargje e strofa të çrregullta, mendime diku edhe shënjuar kuturu, sarkazëm, tallje, të përqendrua­ra në jo shumë rreshta", shkruan Elona. Ndër to edhe një poezi që i drejtohet Sadijes, bashkëshor­tes së tij. Është si një bisedë e netëve vonë për trashëgimi­në që do t'u lënë fëmijëve. Asgjë me më shumë vlerë se dashuria, nuk do të kishte...

"Nëse shtrëngimi më mbërthen kraharorin, nëse sytë pa i ndjerë më lëngëzohen, nëse mosdëshira për të folur më bën memece, nëse malli i flet mallit, atëherë dua veçse të zhytem në germa e fjali të shkruara me dorë, me atë dorë që vetëm e puthja e puthja së fundmi. Zbuloj nga një pasuri shkrimore e pamat, çdo ditë diçka. Një dialog inatçor i një pasditeje ndoshta, është shenjuar në një fletë të bardhë, e vendosur mes të shumtave shënime", tregon vajza e shkrimtari­t. "Ai tha: - Më vjen një mendim dhe nuk e kap. Sa bëhem gati për ta kapur, ai ikën. - Ti je i çmendur. - Ju ma përzini mendimin. Po unë do ta kap, kur ju të ikni dhe të mos jini këtu. Ju ma përzini mendimin. Edhe unë vetë e përzë mendimin kur jam me ju. Ju jini, e dini çfarë jini? Erozione jini!"

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania