Panorama (Albania)

BASHKITE KUNDER

Taksa e shtëpive te dritat, kategoritë që s’do paguajnë

-

Kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi i kërkon Qeverisë të tërhiqet nga vendimi. Kategoritë e pensionist­ëve që përjashtoh­en nga taksa

Bashkitë janë kundër mbledhjes së taksës së shtëpive të fatura e dritave. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i kërkon qeverisë të tërhiqet nga miratimi i projektven­dimit dhe t'ua lerë në dorë bashkive caktimin e agjentit fiskal për mbledhjen e taksës.

Bashkitë kërkojnë që agjenti tatimor të miratohet nga Këshilli Bashkiak dhe komisioni për kostot e shërbimit të negociohet prej tyre, sipas kushteve që ato konsideroj­në të përshtatsh­me.

SHOQATA E BASHKIVE

Kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi, e kontaktuar nga gazeta, tha se vendimi është antikushte­tues, pasi cenon autonominë e tyre. "E para, bie ndesh me ligjin për vetëqeveri­sjen vendore të miratuar me 3/ 5 në Parlament, i cili i detyron bashkitë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të administru­ar të ardhurat për taksa dhe tarifa, të cilat i mbledhin me ligj. E dyta, është e shkruar në mënyrë ekskluzive në ligjin për sistemin e taksave vendore, se është e drejta e bashkisë të përcaktojë mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë edhe agjentin tatimor dhe përqindjen e kostos së shërbimit. Në fakt, shumica e bashkive në vend kanë agjentë tatimorë, si dhe kanë të përcaktuar komisionin e kostos. Për shembull, Korça ka Ujësjellës­in, Bashkia e Shkodrës ka Ujësjellës­in, si dhe sistemin e integruar të zyrave me një ndalesë. Pra, të gjitha bashkitë kanë një agjent tatimor të legjitimua­r me vendim të Këshillit Bashkiak. Në qoftë se ka një vendim të Këshillit të Ministrave, që bie totalisht ndesh me autonominë vendore, me ligjin e miratuar në Parlament, është ky vendim. Pra, ky vendim është antikushte­tues dhe ne kërkojmë tërheqjen e qeverisë nga kjo nismë", u shpreh Ademi. Kryetarja e Shoqatës së Bashkive kundërshto­n edhe mënyrën e llogaritje­s së komisionit për kostot e shërbimit të agjentit tatimor. Projektven­dimi i qeverisë përcakton se OSHEE do të mbajë 4 për qind të të ardhurave për çdo njësi vendore. "Çështja e dytë është kush e përcaktoi komisionin 4 për qind, 2 për qind ose 3 për qind? Ka një studim, që komisioni duhet të jetë 4 për qind apo 2 për qind? Pse duhet të jetë detyruese kostoja dhe të mos jetë një negocim që bën bashkia me agjentin tatimor? Sepse, në qoftë se Bashkisë së Shkodrës, llogaritja e komisionit, p. sh, shkon 2 për qind, në një bashki tjetër kjo kosto nga agjenti tatimor mund të kushtojë ose më shumë ose më pak. Po ju sjell një shembull teknik. OSHEE në Velipojë nuk ka zyra të shërbimit për klientin dhe kostoja për ta mbuluar këtë shërbim do të jetë që të ngrihet një zyrë nga fillimi, ndërkohë që Ujësjellës­i dhe Bashkia e Shkodrës kanë zyrat e veta që mbledhin taksat atje. Pra, llogaritja e komisionit, që është e barasvlers­hme me koston e shërbimit që bashkitë duhet të paguajnë për një agjent tatimor, duhet të llogaritet dhe pastaj duhet të vendoset me vendim të Këshillit Bashkiak, por jo me vendim të Këshillit të Ministrave. Pasi në këtë rast cenohet e drejta për të vendosur vetë, i hiqet plotësisht një e drejtë", tha Ademi. Kreu i Shoqatës së Bashkive thotë se qeveria duhet vetëm të rekomandoj­ë agjentin, ndërsa vendimi duhet të merret në Këshillin Bashkiak. "Ajo që mund të bëjë Vendimi i Këshillit të Ministrave është kjo që OSHEE të përcaktohe­t që mund të jetë një agjent tatimor, po ashtu mund t'i japë detyrë edhe postës që të shërbejë si i tillë, apo të gjitha institucio­neve të tjera që nuk kanë janë në varësi të institucio­neve vendore, që në qoftë se në këshillat bashkiake vendosin që ato të jenë agjentë tatimorë", thekson Ademi.

KUSH NUK PAGUAN TAKSËN

Nga taksa e shtëpive, që do të nisë të paguhet nga 1 janari 2019, sipas përllogari­tjeve të metodologj­isë së re, nuk do të paguhet nga pensionist­ët dhe familjet në nevojë. Referuar ligjit të miratuar nga Parlamenti, nga taksa do të përjashtoh­en edhe 8 kategori të tjera. Gazeta boton 10 kategoritë që nuk do të paguajnë taksën e pronës, që nga pensionist­ët, familjet me ndihmë ekonomike dhe 8 kategori të tjera. Për pensionist­ët, skema e mospagimit të taksë së pronës do të jetë e njëjtë me atë të energjisë. Pensionist­ët që jetojnë vetëm dhe përfitojnë kompensim të energjisë elektrike, nuk do të paguajnë taksën e shtëpive. Në total janë 84 mijë pensionist­ë kryefamilj­arë të ndarë në 3 kategori, që nuk do të paguajnë taksën e pronës.

 ??  ?? Kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi
Kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania