Panorama (Albania)

“KoKo Fest” mbush 5 vjet, festivali që i bën të gjithë të qeshin

Trupa nga Shqipëria e Kosova marrin pjesë në garë, artistët: Do linim gjithçka për të shkuar në Korçë

-

Ashtu si pa kuptuar, tashmë është bërë 5 vjeç. Qëndron fort mbi këmbët e veta dhe ngjall besim. “KoKo Fest”, Festivali Mbarëkombë­tar i Komedisë në Korçë, këtë vit feston 5vjetorin e krijimit.

Nga data 1 deri në 8 shtator, trupa nga e gjithë Shqipëria, por edhe Kosova, do të mblidhen në Korçë në një garë miqësore sepse Korça nuk mund të jetë veçse e tillë. Trupa nga Tirana, Vlora, Durrësi, Fieri, Korça, Prizreni e Prishtina, do të ngjiten në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” me veprat më të mira të vitit të fundit në zhanrin e komedisë. Janë vepra që janë pritur mjaft mirë nga publiku në skenat e qyteteve të tyre, e tashmë pretendojn­ë edhe një trofe. “Vetëvrasës­i” dhe “Darka e Lamtumirës” vijnë nga Tirana. E para si një bashkëprod­him mes Teatrit Kombëtar dhe “A. Z. Çajupi” dhe e dyta një prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimen­tal “Kujtim Spahivogli”. “Dy dyzina me trëndafila” vijnë nga Fieri, ndërsa nga Durrësi “Komedia që shkon për dreq”, një vepër që u prit me shumë sukses edhe në Tiranë. Nga Vlora vjen “Në dorë të fatit”, ndërsa nga Kosova vjen “Roberto Zucco” nga Prizreni dhe “Hollyshit” nga Prishtina. Vetë Korça ka përzgjedhu­r veprën “Lajzëlota”. Zgjedhje nga më të larmishmet, që nga komeditë e zeza dhe me mesazhe të forta, tek ato më argëtueset, që të bëjnë të qeshësh me lot, jo më shumë për batutën, sesa për humorin e krijuar prej situatave. Krahas veprave të mira, organizato­rët e festivalit premtojnë “surpriza dhe momente të paharruesh­me”. BESNIKËT E FESTIVALIT

Përgjatë këtyre 5 viteve, aktorë nga të gjitha trevat shqipfolës­e kanë pasur mundësinë të ngjiten në këtë skenë, të interpreto­jnë, të jenë pjesë e jurisë së saj apo spektatorë. Pavarësish­t pozicionit, pavarësish­t nëse kanë fituar apo jo, të gjithë janë larguar me përshtypje­t më të mira dhe me dëshirën për të qenë pjesë e këtij festivali, edhe në edicionet e ardhshme. Përveçse një garë, në të cilën ia vlen të hysh, kanë gjetur mirëpritje­n nga ana e organizato­rëve, me në krye drejtoresh­ën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, Zamira Kita, por edhe të gjithë Korçës e korçarëve, të cilët e presin këtë aktivitet si një festë. Nuk i kanë munguar asnjë edicioni aktoret Tinka Kurti e Margarita Xhepa, që kthehen në Korçë me mallin e së shkuarës, por edhe me kënaqësinë e së resë. “Me kënaqësi pres çdo vit ftesën për në ‘ KoKo FEST’. Kam çfarë te gjej në këtë qytet. Entuziazmo­hem me interpreti­met e shume trupave që vijnë në këtë festival, me miqtë e dashur dhe kolegët e shumtë që takoj aty. Shëtis në rrugët e bukura të këtij qyteti unik e endem mes kujtimeve, bukurive, artistëve që gjej aty. I uroj jetë të gjatë festivalit”, shprehet aktorja Margarita Xhepa. “Ky festival më sjell në Korçë e art me një dashuri të madhe. Më sjell kujtime, kolegë, e shfaqje të mrekullues­hme. Korça më do dhe e dua, me mallin e viteve dhe me të tashmen e mrekullues­hme”, thotë Tinka Kurti, duke i uruar jetë të gjatë dhe suksese festivalit. “Ndjej një përjetim dhe kënaqësi të veçantë kur marr pjesë në ‘ KoKo FEST- in’, që organizohe­t aq bukur në qytetin e mrekullues­hëm te Korçës. Këtu më jepet rasti të takohem me miq, shokë, kolegë e dashamirës të shumtë të këtij qyteti të bukur dhe shumë artistik”, shton aktori Reshat Arbana. E zërave të tyre u bashkëngji­ten shumë e shumë aktorë të tjerë, që do të linin gjithçka për të qenë pjesë e këtij aktiviteti. Rrallë dëgjon kaq shumë fjalë të mira, të gjitha bashkë...

 ??  ?? - Programi i edicionit të pestë të “KoKo FEST”
- Programi i edicionit të pestë të “KoKo FEST”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania