Panorama (Albania)

U maskua si besimtar, thyhet dhe grabitet Kisha Ortodokse

Dyshohet për një autor. Mori paratë nga katër arkat e dhurimit nga besimtarët

-

Katedralja “Ringjallja e Krishtit” në Korçë është vjedhur gjatë natës, ndërkohë që keqbërësit kanë përdorur një mënyrë të sofistikua­r.

Ata kanë hyrë në Katedrale gjatë ditës kur po kryheshin ritualet fetare dhe kanë qëndruar të fshehur. Pasi janë larguar të gjithë besimtarët dhe objekti është mbyllur dhe më pas kujdestari është larguar, ata kanë vepruar. Autorët me qetësi kanë thyer dhe dëmtuar katër arkat e kishës ku grumbulloh­en të hollat e besimtarëv­e, duke përvetësua­r një shumë prej 20 mijë lekësh të reja nga paratë që Mitropolia mbledh për mensën e të varfërve. Më tej, autorët janë larguar, duke shkallmuar shulin e brendshëm të derës kryesore të Katedrales. “Për ne nuk vlen shumë ana materiale, siç e llogarisni ju. Për ne vlen ana morale e njerëzve që kryejnë akte vjedhjeje ndaj një objekti të shenjtë të kultit. Mitropolia e Shenjtë është tepër e shqetësuar sepse në periudha të ndryshme vala e vjedhjeve, grabitjeve, dhunimeve vazhdon të ndjehet edhe sot. Në radhë të parë, Policia nuk e ka kryer detyrën siç duhet. I kemi lajmëruar edhe gojarisht edhe me shkresa të veçanta nga ana e Mitropolis­ë që të merren masa te endacakët që vërtiten pranë institucio­nit të shenjtë. Këtë herë, autorët kanë hyrë nga brenda. Kanë mbajtur rojën në vëzhgim dhe pasi është mbyllur katedralja dhe më pas kanë vepruar lirshëm. Pavarësish­t se kemi vjedhje të përsëritur­a, nuk ka asnjë autor, asnjë person të dënuar për këtë gjë. Është vërtet fenomen shqetësues” - shprehet At Ilia Kotnani. Katedralja e Korçës është një nga krenaritë e besimit ortodoks dhe ndërtesë simbol në këtë qytet. Ndërkohë nga ana e saj, Policia sipas hetimeve paraprake dyshon se autori ka vepruar i vetëm. “Më datë 03.09.2018, gjatë natës, në Lagjen nr 3 në Korçë, në Katedralen ‘ Ringjallja e Krishtit’, një person i cili dyshohet se ka hyrë në Kishë si besimtar, pasi ka pritur largimin e njerëzve të tjerë duke u fshehur, ka marrë një sasi lekësh ( e cila mendohet të ketë qenë e vogël) nga arkat, në të cilat besimtarët hedhin vlera monetare. Nga veprimet e kryera në vend- ngjarje, dyshohet se ky shtetas pasi ka marrë sasinë e lekëve, është larguar nga dera kryesore e Kishës, duke e hapur atë nga brenda”, bën me dije Policia e Korçës.

 ??  ?? At Ilia Kotnani
At Ilia Kotnani

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania